loader
Loading...
Poezi
1 vit më parë

Poezi

Nga Halo Mala

Vetëtinte Malit Gjërë


Kush njohu Demo Eminë:

Si ylli që feks pa gdhirë!

Vetëtiste malit gjërë,

Ndriçonte dhe Manastir.

Jo…,për trimëritë e tij,

S’u gjënd metër, për t’u matur!

Kur zbriste Qafës Pazarit,

Çerçizi e prit krah hapur!

Si shqiponjë treste shikimin,

Që nga maja e Këndrevicës,

Dhe Artës i ndrisnin sytë:

“Erdhi djali i Nivicës.”

Nga trimat e Beqohite,

Jo vetëm Nivica me fat:

Mbrojtën cep më cep kufirin,

Nga Podgorica në Artë

Ndaj historia i mori,

Në gjirin e saj, pa frikë,

Mbetën për brezat pas tyre,

Si gurët kilometrikë!

 

  

Atyre që s'i njoha

 

Unë nga afër s'u kam njohur,

Se jemi gjysëm shekulli larg,

Po që unë linda ku lindët ju,

Domosdo, kam qënë me fat!

Ju penën në dorë na dhuruat,

(mua dhe brezit të tim eti)

E di, "trastat" me libra u grisën,

Në xhep asnjë kacidhe s'u mbeti!

Jo, për ju s`mjaftojnë kaq, për të shkruar,

Ndaj thërras në ndihmë këdo tjeter,

Se puna juaj o, dritëtarë,

Nuk është punë, por kryevepër.

Po të kisha qënë "ca i madh",

A, një grusht të holla patur,

Përmendoren tuaj, dritëtarë,

Me Eifelin do ta kisha matur!

Një borxh e di, ua kam mbi supe,

(Që breza të tërë, s'e dinë kush jeni)

Të tërë themi: kemi bërë çudira,

Por çudinë më të madhe mes vetes e kemi!

 

Ata ishin gjashtë:

1-Sinan Kërpi - Lekdush

2-Shaqo Buzo – Progonat

3-Magrip Bana - Gusmar

4-Bilal Rukia -Gusmar

5-Shuko Dalipi - Rexhin

6-Jaho Karafili - Nivicë

 

 

Mos më bëni lapidar

 

Poetët s'e morën penën,

Të na thonë ç'është Havzi Nela!

I mënçur, sa mënçuria,

S'deshi Shqiperinë në tela!

Hej, lexues, pse nuk përmënde

Flet nga litari Havziu

Unë s'i desha ndaj më varën,

Ata që hanë mish njeriu!

Unë të desha ty lexues,

Dhe më shumë se veten time,

Ndaj më varën në litar,

Dhe ma bënë jetën thërrime!

Në më doni sa ju desha,

Mos më bëni lapidar.

Pastromëni ferrat nga varri,

Të ketë vënd dhe për të qarë!


  

Nivicës

 

Ulur në prehër të Këndrevicës,

Vrutka - gjiri yt i hapur ,

Atje i vumë buzët të vegjël,

Atje do të pimë edhe të plakur.

Ikëm nga " degët" e tua,

Si zogjtë kur bie një armë,

Por kujtimet e vegjëlisë qënkan;

Si Meka për myslimanë !

Ndaj dua të vi tek ai shkëmbi,

Që mu përplas atë ditë balli,

Ta prek me dorë e ta puth,

Të më bien lotë, të pakohet malli .

Dua të marr atê gurin ,

Që më vrau gishtin e këmbës,

Tek ai janë arsitjet e babës,

Atje do të puth , puthjet e mëmēs !



Mënçuria

 

Ikën flokët shumë shpejt, mu arratisën,

Aq shpejt, sa kam harruar dhe rininë,

Krëhëri më mbeti në xhaketën e vjetër,

Xheli, tek pasqyra, mbi komodinë.

Është shënjë mënçurie, më tha një mik,

Por unë mënçurinë s`e kam takuar dot,

Ai e ka parë që shkon nga shtëpia ime,

E, ajo si duket, kthehet në tjetër portë!

 

 

"Zëri im - Zëri i Kombit"

 

Unë pranë sofrës këmbëkryq,

Ti më thua: "Mos zgjat dorën!"

Nuk mban mënd moj Evropë,

Që unë të vura kurorën?

Dërrmova perandoritë,

Të shpëtova Krishtërimin,

E mban mënd moj plakë e vjetër,

Apo, Gjergji s'quhet imi?!

E mban mënd 13-tën

Përmbi hartë u bë coptimi!

Shtatë milionë, në pesë shtete,

Ky na paska qënë shpërblimi?!

"Bën lutje, tani thua,

Që të futesh në Evropë!"

Unë jam zemra e kontinentit,

Jam Evropë, përmbi Evropë!

Kam akoma për të thënë,

Ndaj shprehem me kaq revoltë,

Kthemë borxhin se më duhet,

Kthema se më duhet sot!

 

 

Moj e mira Tanë

 

Ja rrëmbeve nga dora sikur s`ish,

Djalin e tij - "djalit të botës",

Të kish një Shekspir në ditët e tua,

Një tjetër tragjedi do t`i kish falur epokës!

Ja rrëmbeve "Karadakut" nga dora,

Ja prishe vendimin fatal!

Motakut ai do t'i priste kokën,

S`kish ku ta linte, do ikte në mal.

Ja more djalin, moj fisnike,

Dhe trimin e "pështete" për muri!

Kur një nënë marrka vendim të tillë,

Pesë para u bëka trimi, asnjë lek s`bëka burri!

Me shpirt e rrite motakun e vogël,

Më të lumtur se femijtë e atij fshati.

Avdiu, s`dinte që kish humbur nënën,

Ai s`kuptonte që i humbi dhe i ati!

E fute në gjirin tënd të ngrohtë,

Ndaj s`ndjeu brengë, s`ndjeu tëngë,

Se Ti, nënë Tana e fildishtë,

Ju bëre babë, ju bëre mëmë.

Por vdiqe në të shuat nënë Tana,

Nuk vure kokën në gjunjë të Avdiut.

Avdiun s`e lanë "të vinte lart",

Se Ti "kishe shkelur" ligjet e Kadiut!

 


Një pllakë me firmë

 

Nuk di pse aq mirë t'u përshtat,

Titulli "Mësues"-si emer,

Dhe emëri Zace t'u spostua,

Në gojë të të gjithëve mbeti mbiemer.

Ashtu, ledhatushëm,merrje vocërrakët,

Pranë sobës i ngrohje me durim,

Duart e vogëla ua nxirrje mbi bangë,

E pastaj u thoshje : "Këtë orë kemi këndim".

Të dashur e me humor të kujtojnë,

Dhe sot që ata janë të thinjur :

Në matematikë me zë të fort,

Në fizkulturë me zë të ngirur .

Ndaj dëshirë të madhe kam,

Që te klasa të vendos një pllakë me firmë,

Të shkruaj:"Këtu Mësues Zacja dha mësim,

Këtu ka punuar një njeri i mirë !"

Kur ta lexojnë nxënësit e tu,

Do thuash:"Pse m'i përlote, as më thua?"

Lotët nuk do t'u ikin nga sa thash unë,

Por do të kujtojnë klasën dhe shakatë e tua !

 

 

Na mungove gjatë...

 

Duart të lyera me graso,

E, njërën këpucë mirë pa lidhur,

Ece me një "Zis" të vjetër,

Mes për mes kohës së hidhur.

Korskotin mbushur romane,

Lexoje në pushim në hije,

Lugën e lije në mes...

E, shpëtoje një jetë fëmije!

Kush s`hipi te "zisi" "yt" ?

Shërbeve tek i biri, më parë te i ati,

Ndaj mbete në kujtesë të tyre,

Si lundër proletariati.

Prapë jeta me ty e hidhur,

S`të la të shikoje ç`kishe ëndërruar,

Lexuar e pate nëpër romane,

Po nuk e shijove , s'e preke me duar!