loader
Loading...
MIRËSIA RRINTE TE HALILI SI NJË KALORËS MBI KALIN E VET

Ai iku pak vite më parë. Për vdekjen s’kishte folur kurrë dhe kurrë nuk kishte patur frikë nga ajo. E kishte sfiduar atë si kishte sfiduar edhe jetën. Shumë e kanë njohur dhe vlerësuar. Hokatar, i qeshur, njerëzor, poet i dashurisë, shkrimtar i dhimbjes njerëzore, ai ishte trishtimi i jetës dhe vetëdija e saj. E njihja që nga vitet 1985. Para se të ndahej nga jeta i kisha premtuar se do të shkruaja për librin e tij të fundit me poezi “Leximi i syve”, por nuk e mbajta fjalAi nuk më dëgjon, por ky shkrim është ndjesia, është falja, është mëkati që ne të gjallët kemi ndaj të vdekurve. Se ai nuk është si çdo i vdekur. Se ai i kishte sytë aq të deshifrueshëm ashtu si i përshkruan te libri i tij. Dhe të gjallë shpuzë, njerëzorë, të depërtueshëm. I tillë ishte ai, kështu kishte qënë edhe atëhere kur mbi të frynë erërat e dikurshme dhe e larguan nga Tirana. E ndëshkuan sepse kritiku e redaktori i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Halil Qendro, kishte dhënë “okej” për një libër me tregime të Dritëro Agollit “Zhurma e erërave të dikurshme”. Ishte viti 1974 dhe tani Halil Qendro dërgohet për “riedukim” në vendlindje, në Progonat. I hiqet e drejta e botimit, e vite më vonë e emërojnë mësues në Maricaj të Tepelenës. Dikur e fitoi të drejtën e botimit e atje në netët e hënëzuara, ku nisin udhën dy vargmalet e mëdhenj të Jugut, shkrimtari Halil Qendro ndizte flakët e shpirti të tij puritan dhe vargëzonte në stilin e tij të veçantë; një varg të lirë, një poezi të thellë, një prozë të gjerë, të rrokshme e gjithë jetë brenda. Ai e kishte kuptuar thelbin e lirisë edhe pse ajo dikur i ishte cënuar. Ai plotësonte veten atje në atë fshat të humbur e që dikur “zbuloi” kush e vodhi një natë furrën e fshatit. Policia ishte vënë në dijeni se hajdutin e dinte Halili, mësuesi i letërsisë. –Po e di,- tha atëherë Halili para policit dhe sekretarit të partisë, - e vodhi Zhan Valzhani!!! Ironia ishte therrëse, por shpëtoi Halili nga ndonjë rindëshkim. .Operativi tundi kokën, por edhe gishtin tregues. Se herën tjetër e kishin “shpëtuar” minjtë e shtëpisë së tij. Dikur, kur lëvizi me shtëpi atje në Maricaj, nuk i gjeti ca poezi që i kishte strukur diku. I kishin humbur ca poezi nga ato që mund ta shpinin kushedi ku poetin rebel, por minjtë i kishin marrë e i kishin fshehur në skutat e tyre. U tremb poeti. Vetëm pas ca ditësh i kishte gjetur dikush, gjysëm të grisura. Minjtë i kërkojnë letrat, por jo poezitë!... Eh, Halili i mirë! Eh, “Xha Xhulja” siç e përkëdhelnin të njohurit e tij të shumtë. Kush do të besonte se mund të ikte kaq shpejt! Sa shokë duhet ta kenë marrë ato ditë në telefon në numërin 06…! Dhe nga ana tjetër një heshtje vrastare. Se ai nuk mund të heshtte. Hokatar edhe kur luante shah, - sport të cilin e adhuronte- edhe kur fliste për ilirët, për traditat, për librin e tij të ri, për… dhe një zile, një alo, Halil, jam Velua, jam Reniu, jam Zahua, jam Jonuzi dhe zëri i tij i plotë sikur të mbushte, sikur të plotësonte, sikur të thoshte diçka e cila tjetrit i ka munguar e ai zë ia jepte. Se kështu janë poetët. Janë nga një fis i mirë; të përkorë, të dashur, njerëzorë, dinë të mëtojnë të mirën, të japin e të marrin ndjesi. Se ai kështu plotësonte atë boshësi që ndjente e përjetonte atje në fshatin malor, por që atij nuk i mungoi kurrë balanca shpirtërore. Ai e dinte mirë se vuajtja e kishte gjetur vendin; atje në shpirtin e tij prej poeti, një shpirt i dridhshëm si një gjeth. Ishte i lidhur në prangat e lirisë së tij artistike, por sërish ndihej mirë, i dridhej tastiera e shpirtit të tij, teksa kërkonte ta zgjeronte atë për të futur brenda saj gjithë simfoninë e dashurisë njerëzore. Një zile tjetër, por ai nuk mund të përgjigjet. Ai është atje në dhé të ftohtë atë vjeshtë të cilën ai gjithnjë e quante të trishtë. Ndoshta ajo e kishte marrë inat dhe e ndëshkoi. E ndëshkoi poetin e mirë Halil, njerëzorin Halil, hokatarin Halil. Ai nuk ka ikur, nuk mund të iki, mjafton një çast dhe unë mund të nxjerr nga biblioteka ime librat e tij e me të mund të flas gjatë. Të flas për temat shoqërore, për historinë, dashurine E ky mund të jetë i fundit hatër që mund t'i kërkojmë Halilit që i kemi borxh të gjithë nga pak. Edhe unë. E njihja më mirë se ç’njihja poetët e rralluar të Tepelenës. Shkollat ku ne punonim të dy i kishim afër. I veçantë në gjithçka të tijën. Një rebel i lindur, stoik në pikëpamjet e veta. Me një nga ata bajraktarët komunist që nuk linte kund pa i futur hundët, ai u grind keq. Dhe grindja ndodhi një mbrëmje në qendër të fshatit. Mësuesi i letërsisë, Halil Qendro, ishte përzënë nga Tirana. Dhe bajraktari tërë ditën rrugëve të fshatit, korridoreve të shkollës, jepte direktiva partie, sugjeronte, udhëzonte, kritikonte; ai të bënte edhe varrin. Si një bej kapriços sillej kudo. Halilin e shihte vëngër dhe sikur i shmangej një përballjeje me të, por një ditë ndodhi. Do të ndodhte patjetër. E do një dajak Halili, apo kujton ai se ka ardhur nga Tirana e se është andej... nga Labëria, por këtu ka zot! Dhe Halili i përvishet keq bajraktarit me atë teserën e kuqe që e tundte në çdo mbledhja - “Si bajraktar po sillesh kudo. Unë nuk pyeta për të tjerë e do të pyes për ty. Pa m’u hiq sysh!”E bajraktari jugor e vështroi nga koka te këmbët sikur do t’i merrte gjatësinë e arkivolit!!! Në Maricaj gjeti edhe mjekun Ylli Ziçishti, edhe ai sjellë aty nga lufta e egër e klasave në vitin 1981 Ishte një bërthamë e mirë jabanxhinjsh në Maricaj e që epiqendra ishte Halil Qëndro. Kishte mësues, agronomë, ekonomistë. Cigaren nuk e hiqte nga buzët. Për shumkënd dukej i ashpër, nursëz, por një fill po t’i kapje, ai do të të shfaqej ndryshe. I fortë në karakter, aq sa edhe shpirtbutë. Një botë e tërë të paraqiste me elokuencën e vet, zemërgjerë, mbante një kolektiv në një unitet të brendshëm, nuk linte ai njeri kurrë kënd të grisej, të intrigonte, të prapaskenonte. Një mësues aq i zellshëm në spjegim. Në një orë gjuhe që unë pata mundësi të ndiqja për fjalëformimin vura re thjeshtësinë e spjegimit, mënyra e ndërtimit të fjalës që lidhja mes tyre ndërtonte fjalë të përbëra e të përngjitura e kështu nxënësit me atë spjegim do ta kishin kaq të lehtë e të kuptueshëm. Vinte nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, ku ishte redaktor dhe redaktimi e botimi i një libri të Agollit ”Zhurmat e erërave të dikurshme”, e sikterisi për 22 vjet fshatrave të Tepelenës duke i hequr edhe të drejtën e botimit. Ndoshta unë pata fatin të isha miku i tij më i afërti aty. E kjo për shkak të një cikli me poezi që unë kisha botuar në revistën “Nëntori” të cilën, së bashku me “Drita”, nuk i linte kurrë pa i lexuar. Më ftoi te shkolla e tij dhe u bëmë miq. Kishim hyrë te njeri-tjetri dhe nuk u ndamë kurrë, edhe kur të dy erdhëm në Tiranë. Vonë i dhanë të drejtën e botimit dhe një ditë ai zbriti te shkolla ime për të më dhuruar mua librin e tij të ri me tregime “Si në balada”, me temë nga lufta çlirimtare. Tregime të ndjera të cilat i lexova me një frymë, madje edhe i diskutova në orët e mia letrare me nxënësut. Kishte gjetje interesante aty, kishte detaje që të mbeten në kujtesë dhe unë pashë se fytyra e Halilit atë ditë kishte marrë një dritë hyjnore. Ishte drita që ai e priste prej kohësh, por atij ia kishin zënë me një perde të rëndë e të zezë e që ai tani do të botonte disa libra njëri pas tjetrit. Kur demokracia erdhi ai lëvizi drejt Tiranës. Mësues ishte diku në fshatrat e Tiranës dhe ethet e librave tani po e përvëlonin. Jetonte në një bodrum, edhe pse vinte me statusin e një të përndjekuri politik. Dhe një skenë unë nuk do ta harrojë kurrë. Një akt i lartë human i cili i shtoi në sytë e mi një përmasë njerëzore figurës së tij. Jetonte me gruan e vet, Dritën, shkodranen e dritshme e aq fisnike dhe dy djemtë e tij dhe burimi i jetesës ishte vetëm rroga e Halilit si mësues. Mezi e priste familja atë rrogë. Por atë mbasdite, Halili, që atë ditë kishte marrë rrogën mujore, takon në sheshin "Skënderbej" një njeri, i cili u ndal përpara tij. Një burrë i vjetër, veshur keq, me një pamje të lodhur që ndillte keqardhje. Ishte Kin Dushi. Poet, kritik arti, por që qëndrimet e tij ishin kundër politikave të shtetit komunist dhe ai kishte vuajtur dënimet me burg. Pak më i madh në moshë nga Halili, por njiheshin mirë. U ulën diku dhe qanin hallet e jetës. Dhe Halili nxori nga xhepi gjithë rrogën mujore dhe ia la në dorë poetit të cilin diktatura e shpuri në zgrip të jetës. Pa shtëpi, pa familje, i burgosuri i ndërgjegjes vetëm lëshoi ca pika lot nga keqardhje që po ndjente për veten. Halili e përqafoi përmallshëm dhe ky njeri humbi. Eshtë vetëm një numër 36 në listën e shkrimtarëve e poetëve të dënuar të diktaturës. U bë redaktori i librit tim të parë me poezi “Pëllumbat e mi të egër”, viti 1997, me një reçencë të poetit tjetër tepelenas Petrit Ruka. Nuk jargavitej kurrë, nuk dinte të qahej, nuk të llastonte.. Ai lexonte në heshtje poezitë e mia duke i palosur fletët njera pas tjetrës. Por unë digjesha nga dëshira të dëgjoja ndonjë fjalë lavdëruese. Petritit i tha atë që mua nuk ma tha: “Më pëlqyen poezitë e Velos!”. Dhe Halili iku një ditë. U ndjeva keq. Dhe u ula të shkruaja diçka për këtë njeri krenar deri në kryeneç, të drejtë deri në sakrificë, të ndershëm deri në cak dhe nuk e di pse më erdhën ca fjalë profetike të cilat i lidha duke nxjerrë; “Mirësia rrinte te Halili si kalorësi mbi kalin e vet.” Shkrimtar dhe poet, publicist stoik, skrupuloz, manjak deri në detaje. Ishte një lab nga trungu e rrënja, por modest, i dhembshur, atdhetar i ftohtë, i pakompromis në parimet që njeriut i mbajnë lart dinjitetin, veprimtar shoqëror, tolerant. Ka botuar shtatë libra me poezi dhe katër në prozë. Libri “Këngët e Progonatit” e vuri në një rreth të kuq. Kujdes me ditët e kthjellëta/ horizonti s’është aq afër sa duket. Këto dy vargje në tjetër kohë do t'i shtonin Halilit ca vite të tjera burgu. Alegori e pastër, vargje që flasin me nëntekstin e tyre. Kushtojnë shtrenjtë poetët/ me ar mund t’i blejnë vetëm mbretërit/ kushtojnë lirë poetët/ në një karrocë dore qytetit/ i shtyn në një tog librash bakalli. Ia rrëzuan shtatin te vdekja/ s’e nxinte dot asnjë lloj arkivoli/ hyri në këngët e popullit.( Isa Boletinit).Nëse treva tepelenase i ka joshur poetët e vet kryesisht me vargun e rregullt, Halili ka përdorur vargun e lirë. Ka një figuracion ku alegoria, nënkuptimi të bëjnë ta rilexosh poezinë duke kërkuar te vetja idenë, nënidenë që poeti ka aty. Halili e ka njohur shumë mirë shtratin e poezisë shqipe, ndaj është sa lirik e aq epik, ku tradita i vesh ndjeshëm personazhet, ngjarjet me elementët e vet më qenësorë. Ndikimi i trevës nga vinte ishte përcaktuese, edhe pse ai u shkollua jashtë kësaj treve e në formimin e tij poetik ndihet prirja e përgjithshme e krijuesit; arti kërkon shpirt, kërkon substancë. Epizmim e ka të qartë në tregimet, ku origjina ka vulën e vet e kjo e bën atë të qartë, të rrjedhshëm e të bukur