Bredhi është një dru i
bukur halor, i ngjashëm me pishën, por me të veçantat e tij. Bie fjala në
Shqipërinë Jugperëndimore, gjëndet jo shpesh. E gjen në Hoshtovë të Përmetit,
në Zarel, midis Golëmit, Gusmarit e Kuçit, te Buza e Bredhit, midis Lekdushit
dhe Luzatit dhe sidomos te Llufa e Rexhinit në malësinë e Kurveleshit. Po Llufa
e Rexhinit është tjetër gjë. Është një mrekulli krijuar nga natyra a Zoti,
merre si të duash...! Si një bukuroshe, ulur mbi gjunjët e malit të Këbusit, të
mahnit me hiret e saj në të katër stinët. Në pranverë shpërthen vrullshëm
gjelbërimi dhe sheshet rrotull saj a në brendësi, kthehen në lulnajë, që i
ngjan një qilimi thurur nga shtojzovaret e pyllit, që diku janë, por s't'i kap
syri.(!!!) Në verë, freskia e pyllit të mbush gjoksin me ajër të situr nga
krehri i halave dhe ndjehesh i lehtë pupël, sikur jeton në habitat parajse. Vjeshta
kthehet në piktore dhe me penel në dorë e kthen pyllin në një telajo
madhështore, ku derdh gjithë ngjyrat, por dominon e verdha dhe e kuqërrëmta. O
Zot, ç'mrekulli! Dimri vjen me dëborë të rëndë dhe gjithçka është nën pushtetin
e tij të bukur e mizor.Shoh këtë pejzazh mahnitës dhe përtyp me vete vargjet e
një poezie:
"Shtrihem si i
dehur, mbi borën e trashë,
Dyshek i sfurgjentë,
çarçaf i mëndafshtë..."
Nëse je kurioz, mund të
ndjekësh mbi dëborë gjurmët e banorëve të saj të shumtë e besnikë e mund të
shkosh deri në strehët e tyre, ku pushojnë derrat e egër, që janë shtuar shumë,
dhelprat, lepujt,kunadhet, rrëqebujt e tufat e thëllëzave , që i ke patur kaq pranë,
po nuk i ke vënë re dhe trembesh nga"brofi" i tyre i beftë. Nuk di
pse mungon ariu!? Ku është ? Mos e ka parë ndokush? Sipas Eqerem bej Vlorës,
ariu i fundit këtyre trevave,është parë nga mesi i shek. XlX. Struktura e
pyllit në një sipërfaqe prej qindra ha.është një harlisje e bredhave, që
dominojnë gjithë pyllin.Po këta bredha bujarë, kanë mirësinë t'ju lënë pak
hapësirë edhe drurëve të tjerë, si lisave, te "Bregu i lisave" ,
plepit të egër, lajthive, mollëve dhe kumbullave të egra, murrizave, dëllinjave,
etj, etj. Ka bredha me bukuri të hatashme, qindra vjeçarë, në një garë të
pandalshme, kush t'i afrohet më shpejt diellit.Babagjyshë me myshkun si mjekër,
që shumë prej tyre i kanë zhuritur rrufetë e llohërave të mëdha,por përreth
kanë mbirë plot filiza të njomë, që ngjajnë si nipër e mbesa të këtyre
babagjyshëve. Janë gjaku i ri i pyllit e të mbushin me besim,se pylli do të
jetojë sa të jetë jeta. Përballë Llufës, Këndrevica madhështore, me
2288m.lartësi, natyrisht "xheloze", që nuk ka në prehrin e saj një
bukuroshe të tillë. Ç' t'i bësh? Kështu janë fatet..! Po edhe Këndrevica është
në fatin e saj. Kjo Zonjë e rëndë, përballë a përkrah, ka malin e perëndishëm
të Tomorrit,ku në agun e mëngjesit, bie rrezja e parë e diellit. Rrezen e dytë,
me bujari,Tomorri, ia nis Këndrevicës. Dhe
kështu, dorëpër dore a gji më gji, si dy të dashuruar të përjetshëm, ecin në
univers. Pyll i Llufës është magjik edhe për diçka tjetër. Për burimet e
ujërave të kristalta, si ai i Lajthizës apo i Shtogjezës, që e kanë burimin nga
Hauzi i Dëborës, në krye të pyllit dhe që më poshtë bashkohen me ujërat e Kroit
të Zotërisë, Medarovës, Aleçkës e Vrutkës dhe prej këtej e ka fillesën lumi i
Nivicës, që ecën në qejf të vet, që kur është krijuar bota.gërryen shkëmbenj e
krijon shpella, ujëvara e kanione të ububushëm, gjersa i bashkohet lumit të
Bënçës, tashmë jo më i egërsuar, por si një kotele e butë. Të vjen çudi, që
industria e ujit të pijshëm nuk ka tentuar për të shfrytëzuar këto burime të
mrekullueshme, ndonëse infrastruktura, si rruga dhe energjia elektrike, po
vihen në rrugën e zgjidhjes, falë bujtinave, që janë ngritur dhe turistëve, që
bujtin pranë kësaj mrekullie... Llufa ka qënë bujare me banorët e asaj ane. Sa
herë kalonin rrebeshe lufte dhe jo rrallë herë, sa herë dushmani i të gjithë
kohëve, digjte shtëpi e shkumbonte fshatra, sytë e banorëve, drejtoheshin nga
Llufa. Kishin nevojë për qereste për çati e dërrasa për dysheme e tavanë. Llufa
nuk ua kursente .Ata i përgjëroheshin asaj dhe krijonin kultin e vendit të
shenjtë. A nuk është Bregu i Lisave, në mes të Llufës një i tillë? Qofsh i
shenjtëruar në përjetësi, pylli i bukur i vendlindjes sime.!