loader
Loading...

Në bisedë e sipër me një nga këngëtarët ai ma ndërpreu pyetjen që po i bëja dhe më tha, “jo këngë labe, po iso-polifoni”. “Korrigjimi”  i tij më kapi befas – unë e dija që emri “iso-polifoni” kishte tashmë mëse 20 vjet që kishte hyrë në fjalorin shqiptar por deri në atë moment nuk e kisha përfshirë në pyetjet e mia që u bëja këngëtarët. Ky “incident” ndodhi gjatë intervistave e bisedave që bëra në 2023 dhe 2025 me këngëtarët më të njohur dhe “Mjeshtra të Mëdhenj” të polifonisë labe në Shqipëri. Këta përshin këngëtarë dhe këngëtare të grupeve polifonike mëse të njohura e ikonike për publikun shqiptar si Grupi i Pilurit, Grupi i Bënçës, Grupi i Lapardhasë, Grupi i Dukatit, Grupi i Vezhdanishtit, Grupi të Rinjve Gjirokastër, Grupi Kaonët e Delvinës, e të tjerë. Intervistat ishin pjesë e një studimi që kishte në qëndër të vëmendjes ndryshimin e këngës labe në këto 50 vjetët e fundit. Studimi kishte si fokus tre periudha të rëndësishme të këtyre pesë dekadave: vitet 70-të 80-të gjatë komunizmit, periudha e tranzicionit, dhe gjëndja e këngës labe sot (për me tej shih dhe dokumentarin “Zëra që ndezën zjet” 2024). Unë isha i intersuar të dija se si këto periudha të ndryshme kishin ndikuar tek kënga labe. Në veçanti, më intersonte ti shijkoja këto ndryshime nëpërmjet këndvështrimit të vetë këngëtarëve, si “Mjeshtra” dhe përjetues të këtyre ndryshimve, një këndvështrim që i mungon shkrimeve e analizave të polifonisë labe dhe folklorit shqiptar më në përgjithësi. Duke marë shkasë nga “korigjimi” i mësipërm, fillova ti pyesja të gjithë këngëtarët pastaj se çfarë mendimi kishin mbi këtë emërtim të ri. Përgjigjet që mora nuk ishin thjeshtë çështje preferencash mbi terminologjinë e këngës labe por ato nxorrëm në pah një “krizë identiteti” në të cilën gjendet kënga labe sot, duke dëshmuar se kjo këngë po kalon një peridhë varfërimi dhe vështirësie në historinë e saj.

Iso përpara

Njëri nga këngëtarët që e shikon emrin “iso-polifoni” si shumë problematik dhe një “gabim”  të madh ishte Golik Jaupi, Mjeshtër i Madh, marrës dhe drejtues i Grupit të Bënçës mbi 60 vjet. Ai u shpreh: “Kënga labe nuk quhet iso-polifoni, ky këtu është  një gabim. Këtë e ka bërë… (ata) që nuk dinë për Labërinë. Ajo Labëri u fut në UNESCO. Jo iso polifoni, nuk vjen nga Greqia kënga labe, as nga grekët e lashtë e as nga grekët e largët… le ta marrë vesh gjithë Shqipëria, gjithë bota… Kënga labe ka lindur që kur lindi Labëria, që kur lindi Shqipëria, që kur lindi njerëzia… Ajo quhet polifoni, jo iso-polifoni.” Në kritikën e tij, Goliku i referohet një debati të vazhdueshëm e të ashpër që ka lindur që nga hyrja e këngës labe në UNESCO në 2005 si pjesë e folklorit “iso-polifonik” shqiptar. Në thelb të këtij debati është lidhja që i është bërë origjinës së lashtë të këngë labe, apo më saktë isos, me muzikën kishtare greko bizantine. Në fakt, emri “iso-polifoni” iu fut fjalorit folklorik shqiptar pak më herët se 2005, në 1999, jo vetëm thjesht si një emërtim i ri por edhe si një koncept i ri studimi: “…kur në shumëzërëshin popullor zbulojmë tregues strukturorë të brendshëm identifikues, siç është koncepti i ‘iso-polifonisë’ në vend të ‘polifonisë popullore’, apo të ‘këngës shumëzërëshe polifonike’, sigurisht që kemi hapur një temë të re për diskutim dhe analizim të saj” (Tole cituar tek Ahmedaja 2011: 246). Thelbi i kësaj teme të re është “isua” që shikohet si një fenomen i “pa kontestueshëm i strukturës gjenetiko-muzikore” shqiptare (Tole 2007). (Duhet përmendur këtu që sipas studiuesve të tjerë isua gjendet edhe në muzikën polifonike Ballkanike, Evropiane dhe më tej atë Aziatike, përveç asaj shqiptare (Shituni 2006)). Një nga temat e reja të “diskutimit” që ka sjell ky lloj rikonceptualizimi është origjina e këngës labe, gjë që ka shkaktuar debate të ashpra, debate që me sa duket sa po vinë e më shumë po ashpërsohen. (Për një përmbledhje të tyre mund të shikoni dokumentarin “Projekt i Fshehtë? Dosja!” , 2023). Në studimin tim, siç e thashë më lartë, unë isha interesuar për ndryshimet e këngës labe në këto 50 vitet e fundit dhe jo tek origjina e saj. Megjithatë, është e mjaftueshme këtu ti referehemi këshillës së Prof Spiro Shitunit, një nga studiuesit më të mirëfilltë të polifonisë labe dhe muzikës popullore shqiptare më në përgjithësi kur thotë se “çështja e origjinës, kohëlindjes, moshës së muzikës popullore polifonike shqiptare, në kushtet e mungesës së plotë të dokumenteve historike …. paraqitet mjaft e ndërlikuar… dhe ajo s’ka gjetur ende një zgjidhje të plotë e përfundimtare” (Shituni 2006: 5). Në këto kushte, zbardhja e kësaj historie të ndërlikuar kërkon studime serioze, të vazhdueshme e të gjithëanshme, duke përfshirë këtu dhe këndvështrimet e vetë atyre që e këndojnë dhe ruajnë këtë këngë. Duke qënë të preokupuar me “origjinën”, shpeshherë këto debate e kanë nënvlerësuar influencën apo ndikimin që koncepte të reja si “iso-polifonia” kanë mbi këngën labe sot. Megithëse “iso-polifonia” është një term gjithpërfshirës që mbulon gjithë folklorin polifonik (dhe monofonik sipar faqes së UNESCO-s) shqiptar, kënga labe përbën një pjesë kryesore e të rëndësishme të këtij folklori siç e dëshmojnë dhe materialet – duke përfshirë këtu dhe vidjeot – që gjenden në faqen e “iso-polifonisë” shqiptare në UNESCO. Pra, duke filluar nga 2005, në arenën ndërkombëtare kënga labe u bë pjesë e folklorit “iso-polifonik” shqiptar. Syrja Hodoj, Mjeshtri i Madh i Grupit të Tërbaçit, ishte një tjetër këngëtar që gjatë intervistës shprehu kundështimin e tij ndaj emërtimit “iso-polifoni”: “Ç’është kjo iso njëherë …s’bëhet fjalë fare. I bie sikur ne të gjithë… të vinim të gjithë (në festival) atje këto grupet sa vanë 20 e ca edhe ta fillojnë me ‘eeeeeee’ e pastaj të futej një marrës atje në mes. Ç’farë do bëhej? Patjetër qe do alarmohej gjëja… po se bejmë. Vazhdojmë prapë siç kemi vazhduar . Po ç’është kjo iso? Po ç’ështe dhe kjo polifoni?”  (Syrja Hodoj) “Iso-polifoni quhet ‘eeeeeee’ [këndon këngë myzeqare]… shiko tani… dmth del Lushnja… ndërsa Labëria…[këndon ‘Labëri larë në hënë’]… shiko, direkt fillon këngëtari. Kush janë këta që e bëjnë iso-polifoni, isua del përpara?Jo! Del këngëtari (i pari), dhe këtu është gabimi që quhet iso-polifoni.” (Golik Jaupi) Në përshkrimin e strukturës së këngës labe këngëtarët e rendisin ison të fundit duke filluar me marrësin, kthyesin, hedhësin dhe së fundi isua. Të fusësh ison të parën, për ta  do të thotë një farë “përmbysje” të kësaj renditje. Sipas Prof Spiro Shitunit, autori i të vetmit monografi me titull “Polifonia labe” (1988), një nga tiparet e këngës labe që e dallon dhe nga polifonitë e tjera si ajo toske është natyra recitative e saj. Pra kënga fillohet nga marrësi, gjë që shpjegon pse termi “iso-polifoni” shikohet si problematik nga këgnëtarët më lartë, pasi për ta i fut një tjetër perceptim këngës labe. Nga ana tjetër, megjithëse një pakicë e vogël, kishte dhe këngëtarë për të cilët ky emërtim i ri ofron diçka pozitive pasi fjala “iso” i  jep një tingull shqiptar, siç u shpreh dhe njëri prej tyre: “Në diskutimet që bëjnë këta akademikët shkencëtarët qe kemi, kanë diskutuar se kjo ‘polifonia’ është në gjuhën greke, shumëzërëshe në greqisht, dhe këta disi e kishin diskutuar edhe kishin thënë, kjo ka ngelur me këtë fjalën greke, që është polifoni. Po mirë kthejeni në fjalën tuaj i tha… dhe këta i vunë fjalën iso, p.sh. iso-polifoni. Sot ngrihen dhe diskutojnë se kë quajnë iso-polifoni. E kupton çfarë bëhet apo jo. Nuk duan fjalën që është ‘iso’ shqip po duan ‘polifoninë’ që është greke.” Ndryshe nga “polifonia”, fjala “iso” është pjesë e fjalorit të përditshëm shqiptar. Në këngë labe, shprehjet si “s’ka iso kënga”, “isua nuk vete” ose “rregulloni ison” janë të zakonshme dhe treguese për këtë përdorim të përditshëm. Siç u shpreh gjatë intervistës dhe një tjetër këngëtar: “Fjala iso është shqip, mbaj iso themi ne nuk i themi ndonjë fjalë të huaj.” Megjithëse “isua” është tashmë pjesë e flajorit të përditshëm popullor dhe gjuhës shqipe, në bazë të studimeve ky term po ashtu ka origjinë të huaj, dhe vjen nga fjala Greke “ισον“ (Ahmedaja 2011: 245). Studimet ethnomuzikologjike kanë treguar një fakt të veçantë në lidhje me “ison”. Nëse në Labëri apo Shqipërinë e Jugut më në përgjithësi, kjo fjalë ishte shumë e shpërdarë në fjalorin popullor në gjysmën e dytë të shekullit to kaluar, studime të këngës polifonike të shqiptarëve në jugperëndim të Maqedonisë tregojnë se “isua” nuk figuron në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve atje. Në disa fshtra kur banorëve iu përmend termi “këngë me iso”, ata nuk e kuptonin pyetjen. Në fshatra të tjerë si Frëngovë apo Ladorishtë afër Liqenit të Ohrit këngëtarët e këngës polifonike të këtyre trevave shqiptare i kishin dëgjuar fjalët “këngë me iso” madje dhe “iso-polifoni” ngaqë kishin marrë pjesë në festivale folklorike në Shqipëri, por ata vetë  nuk e përdornin asnjë nga këto terma por kishin atë të tyren dhe e quanin “këngë me të mbajtur” (Ahmedaja 2011: 247). Tek këngëtarët që intervistova unë, “këngë me të mbajtur” nuk njihej si term por ishte interesante një fjalë tjetër që Ermioni Mërkuri, Mjeshtre e Madhe e Grupit të Pilurit, përdori në vend të isos, “mbushje”: “Kënga e Naim Frashërit nuk është thjesht një këngë polifonike, kënga e Naim Frashërit për mua është një simfoni, edhe nuk ka [vetëm] 4 zëra, marrje, kthenje, hedhje edhe mbushje, po ka dhe një zë, ka dhe 2 zëra më tepër, ka dhe një zë koke, në qoftë se do ta dëgjosh me kujdes, ka dhe një prerje , nje prerje, ajo prerje bëhesh gjithmonë nga grupi i Pilurit… është zë midis kthenjes dhe hedhjes dhe quhet prerje, nuk është hedhje, tjetër hedhje, e pret….” (Ermioni Mërkuri) Fjala “mbushje” është jo vetëm shqip por tregon edhe rolin e isos në këngën labe. Pra roli i saj është ai i “mbushjes”, plotësimit të këngës; jo kryesor por i rëndësishëm. Kjo shikohet siç e përmenda dhe më lartë tek mënyra se si këngëtarët e “radhitin” ison gjithmonë të fundit, pas marrjes, kthesës dhe hedhjes. Në qoftë se do të “përkëthejmë” iso-polifoninë në shqip atëherë ajo do të quhet “mbushje-shumëzërëshe”!

“Nga doli kjo polifonia?” Një nga pasojat a futjes së këngës labe në UNESCO është jo vetëm kontestimi përreth termit “iso-polifoni”; vetë fjala “polifoni” tani ka filluar të vihet nën dyshim dhe nën syrin e kritikës. Kjo nuk ishte për të gjithë këngëtarët që intervistova. Disa nuk e shikonin si problem termin “polifoni” dhe përdornin të dy emrat si “polifoni labe” po ashtu dhe “këngë polifonike”. Siç u shpreh dhe Goliku, “ajo quhet polifoni, dhe jo iso-polifoni”. Por për disa, termi “polifoni” nuk duhet përdorur më, siç e tha dhe Syrja Hodoj: “Ç’është kjo iso? Po ç’është dhe kjo polifoni?”. Për Paro Ziflën, Mjeshtre e Madhe e Grupit të Bënçës, gjithë këto debate mbi emërtimin e këngës kanë sjellë veç konfuzione:

“Se nga na doli kjo polifonia, ne e dimë polifonia është shumëzërëshe po pse s’thua labe, labçe, jemi lebër të gjithë… s’di, pastaj fusin një prapashtesë një parashtesë, jo është timja thotë ai jo ësthë timja thotë kyja. Nuk më vjen aspak mirë, s’e quaj kurrë polifoni, kënga labe – ku do vesh, do vete të këndoj labçe do u them unë. Ku je Paro, do iki të këndoj labçe me grupin. Kështu e kemi nga të parët tanë, pse do ti kthejmë sipas qejfit të këtyre të sotshmit.” (Paro Ziflaj) “Këta studiuesat e trajtojnë shumë keq… është UNESCO, arritëm tani në UNESCO. Kur ti më bën pyetjen, jemi me këtë grupin, i thua: “Oh çuna, mund të më këndoni një këngë labe apo një këngë polifonike?… mua do më drejtohesh: ‘Ajet, do ja marrësh një këngë labe të bukur?, jo ‘një këngë polifonike nga të tuat.’ (Ajet Duka) Ndryshe nga “iso-polifonia”, fjala “polifoni” është më e hershme dhe ka hyrë në fjalorin shkencor muzikor shqiptar por dhe atë popullor  pas luftës së dytë botërore, në vitet 50-të dhe 60-të. Një nga emrat më të njohur në lidhje me këtë term është studiuesi i njohur i folklorit shqiptar, Ramadan Sokoli, dhe veçanërisht artikulli “Polifonia jonë popullore” botuar në 1959 si një nga përmendjet e para të termit “polifoni”.  Futja e tij shënoi një periudhë të rëndësishme në historinë e këngës labe dhe folklorit shqiptar më në përgjithësi; para viteve 1950-të studimet e këngës labe pothuasje nuk egzistonin. Evolimit dhe vrullit që mori kënga labe dhe folklori shqiptar në periudhën e komunizmit iu bashkuan dhe studimet shkencore të saj, këto të fundit jo vetëm të rendësishme brenda për brenda territorit shqiptar por i dhanë mundësi këtij folklori të njihej dhe në arenën ndërkombëtare. Në studime shkencore, është mëse normale përdorimi i fjalëve me origjinë Greke (sidomos Greqishtja e lashtë) apo dhe Latine në fjalore ndërkombëtare, dhe “polifonia” është një term që përdoret për të përshkruar dhe studiuar muzikën popullore në vende të ndryshme dhe jo vetëm në Shqipëri. (Një tjetër fjalë që përdoret në rang ndërkombëtar por që nuk ka origjinë Greke apo Latine and p.sh. “folklor”, që vjen nga fjala Gjermane “volk” dhe do të thotë “popull”.) Megjithatë,  fjalët me origjinë Greke kanë një peshë të veçantë për shqiptarët sepse kanë lidhje me historinë  dhe politikat asimetrike të fqinjësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, histori që ka pasur dhe vazdon të ketë episode të dhimbshme për popullin shqiptar

(Heraclides & Kromidha 2024), gjë që shpjegon pse sot termi “polifoni” ngjall reagime dhe emocione të forta.

Merrja një kënge labe

Siç shihet dhe tek fjalët e Paros më lartë, kontestimi i termit “polifoni” ka rezultuar në njëfarë “soul-searching” tek këngëtarët, një lloj  vetë-reflektimi duke iu kthyer sytë tek “rrënjët”  e këngës, tek tradicionalja, ashtu siç i “thoshin nënat tona”. Për disa nga këngëtarët termat e ri “me parashtesa apo prapashtesa”  jo vetëm po krijojnë konfuzion por po e largojnë këngën nga “tabani” i saj. Në përpjekje për të rezistuar terminologjitë e reja apo të “huaja” si  “polifoni” apo “iso-polifoni”, ata thonë që kënga duhet quajtur thjesht “labçe” apo “vënçe”… Terma të tjerë që kanë hyrë në fjalorin popullor përfshin dhe “shumëzërëshi”, “këngë me iso”, “iso labe”, etj. Këto tre të fundit nuk u përmendën në intervista me këngëtarët por tashmë janë pjesë e fjalorit popullor po ashtu dhe akademik.  Ky “shpërthim” termash, kjo “krijimtari” terminologjike, dëshmon një lloj “krize identiteti” për këngën labe sot. Kjo krizë gjen pasqyrim jo vetëm tek emërtimet lloj e soj por dhe tek cilësia e saj; pothuasje të gjithë këngëtarët që unë intervistova ishin të një mendimi se cilësia e këngës labe sot është e dobët përsa i përket prurjeve të reja apo artit të saj. Deri diku, emërtimet e ndryshme në lidhje me këngën labe nuk janë diçka e re; gjithmonë ka pasur dallime midis stileve të ndryshme dhe larmive të veçanta të polifonisë shqiptare të Jugut dhe gjeografia ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Për shembull, rapsodi dhe poeti i madh Lefter Çipa veçonte këngët polifonike sipas grupeve dhe trevave të ndryshme duke dalluar “këngën e Bregdetit” dhe “këngën Himariote” nga ajo e “Kurveleshit të Sipërm”, apo e “Lumi të Vlorës”, etj.  Në intervistat që bëra unë, Ermioni Mërkuri, Mjeshtra e Madhe e këngës Piluriote, nuk  përmendi fjalët “kënga labe” apo “polifonia labe” por thjeshtë iu referua si “kënga polifonike”. Megjithatë, dhe pse ajo nuk përdori “mbiemrin” labe, ajo e shikon tabanin e këngës Piluriote te kënga me katër zëra, apo siç iu shpreh dhe vetë, te kënga “që na kanë lënë të parët”. Kënga labe përfshin dhe këngë me dy apo tre vija melodike, pra dy- apo tre-zërëshe, por ajo çka e bën atë të veçantë nga polifonitë e tjera si ajo toske, është katërëzërëshi (Shituni 2011). Pra kjo ësthtë baza apo “tabani” i saj; dhe pse jo të gjithë e përdorin fjalën “këngë labe” kur i referehen polifonisë shqiptare të Jugut, është e njëjta bazë që nënkuptohet. Siç u shpreh në intervistë  një tjetër këngëtar, Vendim Zykaj –  këngëtar virtuoz i Grupit të Vezhdanishit –  këngët e bregut janë ndryshe por “dhe ato këngë labe janë”. Dmth çfarëdo lloj stili qoftë, p.sh., Himariot, Gjirokastrit, Piluriot, etj, tabani i këngës është i njëjtë. Tipikisht për poetikën e tij Lefter Çipa e quajti “unazë floriri” atë çka bashkon të gjitha stilet dhe variacionet e polifonisë së Jugut, duke iu referuar asaj si  “kënga e perëndive”. Një nga arsyet pse “kënga labe” nuk përdoret nga të gjithë ka të bëj me identitetet e ndryshme që egzistojnë në Labëri dhe në krahinat rreth saj. Siç e tha dhe Parua më lartë, për ata që janë lebër apo jetojnë në Labëri është mëse e thjeshtë: “jemi lebër, thuaj këngë labçe”. Mirëpo jo të gjithë e shikojnë veten si lebër, pavarësisht shtrirjes së kufinjve të Labërisë në Shqipërinë e Jugut. Sipas Prof Shitunit, për shembull,  në zonën e Zagorisë, edhe pse gjendet në kufijtë apo pranë kufijve të Labërisë, njerëzit nuk e shikojnë veten si lebër edhe pse stili muzikor i kësaj krahine është lab. Ky lloj identiteti lokal (në krahasim me atë krahinor dhe më të gjerë si Lab) u duk dhe tek tek këngëtarët që bëra intervistë unë, siç u shpreh dhe njëri prej tyre: “Unë s’do e quaj kurrë këngë labe se unë e kam këngë Gjirokastrite… s’mund ta quaj, s’mund ta pranoj. S’është Piluri Labëri, s’është Himara Labëri, s’është Lunxhëria Labëri, s’është Gjirokastra…” Ky lloj perceptimi apo kjo lloj krenarie vjen edhe pse, sipas Shitunit, Gjirokastra, ashtu sikurse Zagoria, megjithëse përshin një stil të veçantë muzikor, kënga e saj është kryesisht po ashtu me katër vija melodike, pra e dialektit muzikor lab (Shituni 2011: 46). Dmth polifonia labe nuk është vetëm një kategori me bazë gjeografike, por edhe ethnomuzikologjike. Shpallja e folklorit shqiptar para dy dekadash si “iso-polifoni” është tashmë pjesë e historisë së këtij folklori. Ky emërtim nuk është më thjeshtë një referencë për të huajt, por siç u tregua dhe më lartë është pjesë e fjalorit popullor dhe të përditshëm shqiptar. Me dashje apo pa dashje, siç u duk dhe tek “korrigjimi” që mu bë mua gjatë interistave me këngëtarët, këngës labe tani i thonë dhe “iso-polifoni” apo “polifoni me iso”. Intervistat me këngëtarët dëshmojnë se ky term nuk është pranuar nga të gjithë – shumë nga këngëtarët e kritikojnë për arsyet që u trajtuan më lartë. Në të njëjtën kohë, një pakicë e shikojnë “iso-polifoninë” si diçka të re, një identitet të ri për polifoninë ku theksi apo parashtesa e “isos” i jep një karakter shqiptar.  Në rrugëtimin e saj të gjatë, ashtu sikurse u fut termi “polifoni” në vitet 50-të apor 60-të, një emërtim i ri si “iso-polifonia” nuk mund të shikohet si ndonjë problem i madh; një emër ri për një kohë të re. Mirëpo, konkluzioni i intervistave që bëra me këngëtarët e mëdhenj të këngës labe dëshmon se pasojat e kësaj ardhje të re janë të shumta dhe jo pozitive. Pikë së pari, ky emërtim ka rezultuar në një lloj “krize identiteti”, kur kënga labe ka filluar të quhet me emra të ndyshëm e të rinj. Një nga pasojat e kësaj krize është jo thjeshtë një konfuzion termash por cënimi i vetë dialektit muzikor lab. Në vërshime për të akomoduar koncepte të reja si iso-polifonia, studiuesë të folklorit po fillojnë të “ulin nga kategoria” këngën labe duke e trajtuar atë jo si një dialekt kryesor e të veçantë të folklorit shqiptar por thjesthë si një nga “degët” e shumta të këngës polifonike të Jugut. Ky është një nga ndryshimet më shqetësuese; argumenti këtu nuk është një thirrje për ti “kthyer” këngës labe një status privilegjues në folklorin shqiptar. Por vendi i saj, siç e trajtova dhe më lart, është i veçantë – jo më kotë Lefter Çipa e quajti “këngë e perëndive” – në muzikën tradicionale shqiptare, prandaj duhet trajtuar dhe ruajtur si e tillë. Më tej, ruajtja  e identitetit të saj ka rëndësi të veçantë se ka të bëj jo vetëm me muzikën tradicionale shqiptare por dhe me vetë historinë dhe identitetin e popullit shqiptar, një popull i vogël dhe historikisht i vuajtur ku trashëgimia gojore ka luajtur një rol të veçantë e shumë të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e traditës por dhe në vetë egzistencën e këtij populli. Së dyti, pothuajse të gjithë këngëtarët që u intervistuan janë të një mendimi se kënga labe po kalon një varfëri artistike sot. Kuptohet që shkaqet e kësaj varfërie janë komplekse e të shumta. Por hyrja e këngës labe si pjesë e folklorit iso-polifonik shqiptar nga UNESCO-ja në këto dy dekadat e fundit me sa duket nuk ka ndihmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm. Së treti, riklasifikimi apo rikonceptualizimi i muzikës tradicionale shqiptare si “iso-polifoni” është aq i zgjeruar dhe i pa bazuar në realitetin empirik saqë humbet kutpimin e tij në përballjen më të vogël me këtë realitet, siç e dëshmojnë dhe intervistat me këngëtarët më lart ku shumica e tyre e kundërshtojnë këtë emërtim. Futja e folklorit shqiptar në UNESCO si “iso-polifoni” njeh dhe i jep mbrojte këtij folklori në çdo cep të Shqipërisë dhe më tej. Ky ishte padyshim një moment i rëndësishëm historik për muzikën tradicionale shqiptare duke e ngulitur atë në hartën botërore të trashëgimive kulturore më me vlerë. Mirëpo, duke bashkuar gjithë folklorin shqiptar që nga Veriu e deri në Jug nën “çadrën” e “iso-polifonisë” –  pra polifoninë e Jugut bashkë me monofoninë e Veriut – ky lloj riklasifikimi ka homogjenizuar apo thjesthtëzuar grupimet e ndryshme egzistuese të muzikës tradicionale shqiptare. Ky homgjenizim apo (super)grupim i të gjithë muzikës tradicionale shqiptare e bën më të vështirë njohjen dhe ruajtjen e dialekteve të veçanta të kësaj muzike. A mund të futet kënga labe apo toske në UNESCO tani që “iso-polifonia” është përfaqësuese kryesore? A ka Shqipëria mundësi si vend i vogël e i varfër ti tregojë botës për larmshmërinë e saj të trashëgimisë gojore, pa mbështetje ndërkombëtare? Si mund të ruhet larmshmëria e këngës labe, stilet e veçanta muzikore e krahinore të saj, nëse jashtë botës ato quhen të gjitha “iso-polifoni”? Këto pyetje janë me rëndësi jo thjesthtë se kanë të bëjnë me çështje emërtimesh; në këto kohë të vështira për folklorin shqiptar, origjinaliteti, individualiteti dhe larmshmëria e këtij folklori janë ato që po vuajnë dhe duan rishqyrtime e përpjekje urgjente e serioze. Ky shkrim dhe studimi në të cilin bazohet pëbëjnë një hap të vogël drejt këtij misioni të rëndësishëm.

Bibliografia Ahmedaja, Adrian. 2011. “Approach to a ‘Lexicon of local terminology on multipart singing among Albanians in the Balkans’”. Në: Ahmedaja (ed.) European Voices II. Cultural Listening and Local Discourse in Multipart Singing Traditions in Europe, Böhlau Verlag, 237-263. Heraclides, A dhe Y. Kromidha. 2024. Greek-Albanian entanglements since the nineteen century. Routledge. Mërkuri, Timo. 2023. Origjina e këngës iso-polifonike dhe ballafaqimet rreth saj. Tiranë: ASD Studio. Shituni, Spiro, 2011. Albanian tradiotional music. An introduction, with sheet music and lyrics for 48 songs. MacFarland and Company Publishers. Shituni, Spiro. 2006. “Një popull i vogël mund të ketë një art të madh.” Iso-polifonia, f. 5. Sokoli, Ramadan. 1959. “Polifonia jonë popullore .” Buletini i Institutit të Shkencave, 3. 117–144.Tole, V. 2007. Enciklopedia e iso-polifonisë popullore shqiptare. UEGEN. Top Channel, 2023. “Projekt i Fsheht Dosja!” Seriali dokumentar Gjurmë Shqiptare. https://www.youtube.com/watch?v=zFTkvZGolJc