loader
Loading...
POEZI
4 javë më parë

POEZI

Në majë të Këndervicës isha

Fund korriku qe,

dëbora ishte fshehur

nëpër të grryerat e errëta të shkëmbit

dhe mbijetonte ende,

kishin guxuar hithrat e manushaqet

të hidhnin shtat aty pranë

në një shtrat neutral dherash;

ndërsa bari

bari guximtar

ish lartuar gjithandej rrafshirës kurrizore

dhe i bënte fyejterës së malit që frynte trazuar...

Aty u shtriva,

nën qiellin e paanë,

e pashë gjatë kaltëritë qumështore

e ndonjë re bredharake

që më afrohej tek këmbët;

pastaj i mbylla sytë

të degjoja zërat e barit:

ato, simfonitë e pafundme

që thurte era

tek shkiste nëpër bar...

Më pas?

Më pas

sa herë që ulem për të shkruar një poezi

nuk bëj tjetër veçse përkthej

nga simfonitë

që thurte era me barin

Aty në Këndrevicë!


 Unë

Guxoj të jem vetvetja

dhe nuk jam thjeshtë një këngë  mirësie

në një ditë vjeshte

kur drurët janë rënduar nga frutat...

Siç një përrua malor

rrëmben gurët e shkërmoqur

të mos shëmtojnë malin,

zemërimi im ështe i guximshëm:

Le të vdesë

çka është për të vdekur

deti rreh dallgë e rritet ...

Nuk shpik as rishpik miq;

nuk i helmoj dashuritë tek ma ndrisin ditën,

as friksoj njeri dhe as friksohem!

A grindem thua?

Grindem dhe fort

me të mënçurit per mënçuri

dhe nuk merrem me trapat

në  fjalërime budallaqe...

Sprovë  dhe mundim më  është çdo ditë!

Trishtime kam,

vetë nuk projektoj veshje për trishtimin.

Çuditërisht

pëlqej këngët e çmendura të rrugës

më ngazëllejne të dehurit e natës

yjet dhe trëndafilat...

Dhe di të dashuroj!

 


Hymn për Dashurinë

Jemi vetë Dashuria!

Eshtë jotja Ajo, duket tek ti, është bërë prej teje!

Eshtë imja Ajo, duket tek unë, është bërë prej meje!

Nuk jemi menduar thellë,

fjala dhe mendimi nuk na kanë folur kurrë dhe sa duhet!

Jemi ne,

zemrat tona kanë menduar e kanë thënë fjalën

Hymn në Dashurinë!

As nuk lind as nuk vdes Dashuria!

Zë i ashpër ishim,

ne ishim fjalë e pakuptimtë, vështrim i një budallai,

përplasje grushti,

hundë e thyer a e pa thyer,

një degë e vetmuar në tallazet e shtërngatës...

kur e patëm braktisur.

Më shumë se të folurit pa tru

kur mungon Dashuria

Jeta udhëton në frikëra të errëta,

grindje dhe mëri dita dhe nata, drita është lot e gjakosje,

humnera poshtë cdo hapi është një zgjatje dore e vdekjes...

të rrezikshëm janë yjet, lindja jonë është bërë një mort

dhe zhvendoset në kohë nga djepi tek varri,

ajri nuk bën punë, kufoma që qelben fytyrat...

Me Dashurinë

jemi zërat e kësaj bote të madhe,

zëri i drtës që udhëton hapsirave pa mort!

Era e madhe e fatit

sillet madhërishëm si ajri i uritur për cdo tingull, për cdo mendje,

dhe dëshirat janë të mrekullueshme...

Dashuria më bën tingull për këngë,

Dashuria m’i jep jetës kuptim dhe ëndrrës vlerë

Dashuria shpirtit m’i jep frymën e rrokjeve për fjalët,

Dashuria m’i jep meloditë e ngazëllimit në cdo buzëqeshje,

Dashuria është shiu që lulëzon arat e fushave dhe maleve!

Po iki ngarkuar me një zjarr të fortë:

Dashuria!

Dashuria! Të vetmen që pranoj të ma sekuestrojë jetën!

Zemra le të më digjet në Dashuri! Aty le të digjet Historia...

Jemi vetë Dashuria!

Eshtë jotja Ajo, duket tek ti, është bërë prej teje!.

Eshtë imja Ajo, duket tek unë, është bërë prej meje!

Nuk jemi menduar thellë,

Fjala dhe mendimi nuk na kanë folur kurrë dhe sa duhet!

Jemi ne zemrat tona kanë menduar e kanë thënë fjalën:

Hymn në Dashurinë!

 

Hëna e plotë e mesnatës

Lodhur nga urrejtjet

gjithçka ishte më gjumë.

Unë ecja nëpër bregdetin e lënduar

nga dita

që kishte ikur sikur të qe e rreme.

Vështrova detin:

Hëna e plotë e mesnatës

kishte derdhur e derdhte pa kursim

dritën e saj të argjentë;

ujrat trazoheshin e lëvrinin si miliona pasqyra

të lakuriqta,

që përskuqeshin, si prej turpi, në atë heshtje të madhërishme!

Pylli, mbrapa,

e më tej arat e grurit,

nuk kishin kuarjo të merrnin frymë;

dhe mali, përtej, ishte topitur

nëpër madheshtinë e vet;

yjet nuk ishin tutur,

fëshfërinin butësisht

si me qënë fije bari nëpër të errëtën e qiellit!

Shtëpia ime e fëminisë më goditi lehtë në sup:

Në vatër ishte i ndezur zjarri;

nën hi po piqej buka e misërt!

Zëmra ime, sikur dolli nga deti,

m'i hapi krahet;

më fluturoi nëpër ato lojra të heshtura të hënës së mesnatës

e më la në prag të shtëpisë, që i themi Shqipëri,

për të pritur

Mëngjezin!...

 

Burrë i vështirë, im Atë

Burrë i vështirë, im Atë

po ngjitej brinjës së thepisur të atij mali

nga s’kthehet më njeriu!

unë mbaja frymën pezull në çdo hap që bënte

dhe thosha me zë fjalët e tij të përshëndetjes…

poezi në gjuhën tonë amtare

ato rreshtat e mallkuara që më qenë ndarje me tim Atë

e që po ma thajnë shpirtin këtyre çasteve drithëronjëse

ku kujtesa arrakate pa më pyetur bredh e bredh.

nuk mund të ndez një zjarr

e të shtrihem të fle i qetë tek e shoh si vogëlohet

sikur kaq të ishte e gjitha dhe hiri i yjeve

që binte mbi supet e tij të digjej rishmë e rishmë.

pushteti i fjalës në zërin e tim Ati

më ishte e më është frymëzimi

për të dashur arat që lërohen për drithëra

e njerzit e vështirë që hapin dritare për diellin!

më mësoi im Atë aq shumë me heshtjen e tij,

më mësoi aq shumë me fjalën e tij

dhe me të qeshurën e kursyer,

siç më kujtohen mua çastet e përbashëkta nëpër muzgje…

e vërteta e vetme nuk kalon në një fjali poetike

siç edhe një jetë nuk kalon në një dritë të vetme vështrimi:

vorbulla, gjeratore, rrjedha të furishme

që rendin nga njeri horizont tek tjetri, janë jeta!

nuk ka lojra të përballojnë dëmin a të kthejnë guximin!

sytë edhe pse të brishtë dhe aq fëminor e të çiltër

sundojnë kohën e shtërngatat e murme zisjellëse

edhe në se ndonjë lot rrëshqet tinëzisht nga malli për dikë…

unë e vështroj tim Atë në heshtje edhe këtë çast:

i largët! ashtu i ngjitet e ngjitet në atë brinjë të thepisur

me yjet mbi shpinë!

e unë që nuk e kam më

e vuaj atë heshtje të thjeshtë ikjeje…

 Nga cikli: Bisedë me poete lashtësie

2. Përballë: Hemigueji!

Në të vërtetë unë isha si një ishull me vete

dhe krejt shkëmb

nëpër rrugët plot gjallëri të Barcelonës...

I lodhur prej mendimeve

dhe prej heshtjes

avitesha të drekoja në restorantin e një godine dykatëshe

ne murin e jashtëm të së cilës shkruhej:

"Këtu nuk ka ngrënë kurrë Hemingueji!"

E besoja

dhe isha i qetë duke menduar për të

teksa gjithë ditët e kalume më kish ecur përpara

ashtu trup madh e i ngarkuar me pistoleta e bomba

për t'i ardhur në ndihmë  Republikës

e njëherësh

duke shkruar tregime të shkurtëra

për të siguruar drekën e vet...

Në të gjithë  fasadat e restoranteve të Barcelonës pashë të shkruar:

Këtu drekonte Hemingueji!

E pikërisht nëpër ato vënde

Unë  nuk mund të  drekoja...

 


Jeta në market

Më mirë e më lirë-

shkruhet në çdo broshurë

që të vrasin vështrimin

Përtueshëm

në këtë ditë të zgjebosur

kur dhe shiu bije me përtesë

i ik poezisë

futem në marketin

e kryeqytetit

Ulërima e jet

ndihet qysh tek pragu

ku është dhe banaku

Natyrisht merr e paguaj

është çdo çast i kësaj pordhe

Një fjalë e pistë kjo

që nuk të bën të gogësish

dhe as të qeshësh

Raftet janë përplot mallra të amballazhuara

dhe duar të plakura

që mendojnë se kupohet cilësia

përmes të prekurës

siç është puna e cicave të deles që mjel

Jeta është e hamamtë:

Atë që kërkon nuk e gjen

dhe ti merr atë që të ofrohet

Ka dhe më keq akoma:

Çdo çast e në tërë vitet

merak ke atë që ke dashur e s'e ke arrirë

jo atë që të ka lumturuar

Siç këtu në merkaton e jetës paguan

sa të kërkon arkëtarja e jo sa ke në xhepat e çpuar...

[Shënim: Shkruar në stilin e Bukovskit

për të nderuar mikun tim Fadil Bajraj në Prizren]

 

Dita

Prapa medaljes kam dorën e ftohtë të ditës.

Më hap qepallat e lodhura e të plakura

për të më zgjuar

për të parë dritë-hijet

e për të kaluar nëpër lumturitë e grisura të mia

pa frikë dhe e etur.

Gjumi i parehatshëm ka ngrirë nëpër ajër,

ende më kërkon të dëgjojë

për kuptimin e ca buzëqeshjeve,

mbijetojnë ato

dhe a i ngjajnë këngës së një gardaline?

Si tia them që e vërteta është një lodër?

Goditje për goditje

mbijetojnë në pikëza të grisura vese

buzëqeshje në miliarda

sa mund të mbushet me to pusi i zbrazur i qiellit

edhe pse shumica e njerëzve zvarriten paprerë

në shpatet e dhimbjes...

Prapa medaljes kam dorën e ftohtë të ditës...