Fjalët e urta,
janë fjalë ose norma të krijuara nga
populli, të cilat tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme, me anë të
kuptimeve figurative. Fjalët e urta njihen dhe me emrin proverba. Këto janë
thënie të shkurtra artistike kolektive, që, në mënyrë shumë sintetike, shprehin
mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme. Mendimet dhe
gjykimet e fjalëve të urta kanë dalë nga praktika shumëshekullore e punës dhe e
jetës së popullit. Për këtë arsye populli i quan ato dhe fjalë të moçme ose
fjalë ari. Po për këtë arsye, ato paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme
e me vlerë të përhershme. Sigurisht, kjo është e drejtë për shumicën e rasteve,
por jo për të gjitha rastet. Disa fjalë të urta dhe mendime që ato bartin, u
përkasin periudhave të caktuara historike. Fjalët e urta e shprehin mendimin e
tyre në forma të ndryshme: si përfundim logjik, si parim, si ligj, si këshillë.
Po s’punove në të ri, do të vuash në pleqëri; Lumi fle hasmi s’fle; Shtri
këmbët sa ke jorganin. Disa fjalë të urta e shprehin mendimin drejtpërdrejt,
kurse të tjerat në mënyrë të tërthortë, figurative. Kur thuhet puna të jep
shëndet, shprehja përdoret me kuptimin e saj të parë të zakonshëm; por, kur
thuhet S’mbulohet dielli me shoshë, shprehja ka kuptimin se e vërteta s’mund të
fshihet. Në rastin e pare, arti i proverbit qëndron te mprehtësia dhe drejtësia
e mendimit, te aftësia për ta shprehur mendimin me sa më pak fjalë. Në rastin e
dytë, veç këtyre, kërkohet dhe aftësia për të gjetur figurën e duhur. Populli
është treguar shumë i talentuar në gjithë këto drejtime. Për të shprehur
mendimin në mënyrë figurative, populli në fjalët e urta përdor më shumë
metaforën, alegorinë dhe krahasimin; Bes’ e shqiptarit – si purtek’ e arit;
S’futet hosteni në thes. Në gjithë rastet mendimi shprehet në mënyrë
përgjithësuese. Për këtë arsye fjalët e urta pëlqejnë shumë fjalitë mungesore,
mënjanojnë fjalët që nënkuptohen. Veç kësaj, tek ato ideja nuk del nëpërmjet
shtjellimit të një subjekti. Ato janë vetë ideja. Sintetizmi, karakteri
përgjithësues dhe mënyra figurative e shprehjes së mendimit bëjnë që çdo fjalë
e urtë të përdoret me disa kuptime. Proverbi Derri do plumb, fjala vjen tërheq
vëmendjen për qëndrimin që duhet mbajtur kundër armikut, kundër së keqes në
përgjithësi e kundër njerëzve kokëfortë. Prandaj për të ditur kuptimin e saktë
të çdo fjale të urtë, duhet të mbahet mirë parasysh koha, vëndi dhe rasti kur
thuhet. Tematika e proverbave është shumë e gjerë dhe e larmishme. Proverbat
kapin çështje që i kanë dalë popullit që në kohët e hershme e gjer në ditët
tona, prandaj janë enciklopedi e filozofisë popullore. Temat kryesore që
trajtojnë janë:
1. Atdheu
(atdhedashuria, liria e atdheut, lufta kundër armiqve të tij, si edhe karakteristikat
e shqiptarit): Duaje atdhenë si shqiponja folenë; Druaj’armikun - o helm, a
thikë. Gjuha dhe njerzit janë tapia e vëndit. Ara ime,varri im. Guri i rëndë në
vënd të vetë. Gjuha ruhet atje ku shkruhet. Kush ka vdekë për atdhe, nuk ka
vdekë por ka le. Balta më e ëmbël se mjalta! Bukë e hi e në shtëpi.
2. Marrëdhëniet
shoqërore (varfëria e masave, protesta dhe lufta e tyre kundër padrejtësisë): I
varfëri vjel rrushin, i pasuri pi mushtin; Ule qafën, prite zverkut.
3. Familja: Burrë e
grua – mish e thua; Kur s’do nënën e babanë, asnjeri s’ta ka sevdanë. Ata që jetojnë
nga dashuria, jetojnë për gjithmonë.
4. Puna (vlera e saj,
rregulli e kujdesi në punë, shfrytëzimi i kohës së punës, zanatet): Këmbëpërbaltja
– gojëpërmjaltja; Lëmyshku bren gurin, përtimi fik burrin; Fjala e gjatë bën
ditën e shkurtër. Mos i shiko gunën po shikojë punën. Nga puna po nuk rrodhi do
pikojë. Mbill me një dorë, korr me të dyja.
5. Morali (e mira dhe
e keqja, e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gënjeshtra, virtyti dhe vesi):
Një krimb than një lis; E drejta dërrmon hekurin; Kush shkon pas brumbullit, do
të arrijë tek plehrat
6.Jeta. (Duhet
dashuruar, duhet urryer, duhet luftuar, duhet që njeriu të vlojë përbrënda. Kjo
mund ta bëjë jetën të hidhur, por pa këtë e gjithë jeta është një kotësi. Është
një ndeshje e përjetshme në mes ëndrës dhe realitetit). Jeta nëse di ta
përdorësh zgjat shumë. Jeta kurrë nuk tepron. Jeta
është ose një aventurë e guximshme ose asgjë!
Këto ishin disa prej lumit të fjalvë të urta të
përdorura në shekuj nga i madhi “popull”, disa prej proverbave e thënjeve të shumta nga autorë, e dietarë të
mëdhenj, në kohë të ndryshme, por që jeta është një dhe vetëm një. Çka është jeta?
Pyetje sa e lehtë, po aq e vështirë. Mendje të thella filozofike kanë dhënë
përcaktime të ndryshme se si e konceptojnë në mendjen e tyre gjënë më të çmuar,
që ka njeriu. Dhe për ta përmbyllur dua të sjell në vëmëndje shprehjen e
një shkrimtari e
filozofi portugez “Fernando Pessoa”, i cili aq bukur e ka thënë:“Nëse, pasi të
vdes, duan ta shkruajnë biografinë time, nuk ka asgjë më të lehtë. Kam vetëm dy
data – të lindjes, dhe të vdekjes. Mes njërës dhe tjetrës të gjitha ditët janë
të miat.” Shijojeni jetën!