Përpos disave që po
përgjërohen e kanë vënë merak të madh se po u humbet kënga labe, kohët e fundit
sidomos, ka një zhvillim të pa ndodhur më parë të festivale tipologjike
polifonike, me bazë kryesisht këngën labe. Festivalit "Bejkë e
Bardhë" të Pilurit, atij të Kotës të Bashkisë Selenicë, "Jehona e
Vjosës" i Bashkisë Memaliaj si dhe "Bilbilat e Labërisë" të
Tepelenës, vetëm një ditë më parë ju shtua edhe një tjetër: "Festival mes
Malesh", në Golëm të Gjirokastrës. Gati e pa besueshme që në një hark
kohor tre ditor e në një distancë gjeografike rreth 40 km rrugë automobilistike
të zhvillohen thuajse njëherësh 3 festivale duke vënë në lëvizje dhjetra grupe
polifonike e qindra bartës e interpretë të saj. Më duhet të them disa
konsiderata për "Festival mes Malesh" jo vetëm si më të riun ndër ta
po sidomos për veçorinë dalluese mes të tjerëve. Organizatorët, aktivistja e
njohur Monda Bedo, bijë e këtij vendbanimi, jo vetëm nga emërtimi i festivalit
por më së shumti nga objekti dhe fokusi apo qëllimi mbetet unikal. I
pararcaktuar si festivali i Kurveleshit të Sipërm ai jo vetëm tenton të verë në
lëvizje burimet njerëzore të këngës tradicionale të kësaj hapësire kulturore
por edhe të mund të ndikojë të realizojë një promocion të drejtpërdrejtë të
vlerave kulturore, natyrore, historike e turistike të kësaj hapësire veçantë
etnokulturore. Është një zonë që, veç të tjerash, është shquar në shekuj për
këngën dhe vallen tipike të Kurveleshit nga ku kanë dalë këngëtarë e valltarë
nga më të shquarit e Labërisë. Edhe këtë herë grupet e Golëmit (vëndi pritës),
Picarit, Kolonjës, Rexhinit e Gusmarit (me siguri në edicionin tjetër do ti
shtohet edhe Progonati) na prunë këngën e vendit, këngën e të parëve, këngën që
vjen si trashëgimi nga rrënjët. Grupet e Bëmçës, Tepelenës qytet dhe
"Bilbili" Vlorë i shtuan edhe më shumë spektaklin folklorik këtij
manifestimi polifonik tradicional. Ndërkohë që "Shqiponja E Maleve
Kurvelesh", alias Altin Alikaj , me
zilet e byqqet e kopeve të staneve labe i shtoi edhe më shumë vlerat këndit të
traditës me sherqe, qylyma, velenxa, djepe e fyrka të traditës së Kurveleshit.
"Festival mes Maleve" e nisi jo pa sukses udhën e vet. Shpirti i
labëve kurveleshas u shkri fare natyrshëm me jehonën e grykave e madhështinë e
maleve. Një mundësi më shumë për të mbajtur gjallë e promovuar në hapësirat,
brenda e jashtë vendit, vlerat tradicionale të këngës labërishte, të gatimit
labërisht, të natyrës së bukur labe, të maleve epikë të Labërisë, të Kurveleshit
të sertë. Shumë urime organizatorëve, golëmasve të traditës e historisë,
bartësve dhe interpretëve tradicionalë të Kurveleshit të Sipërm! Udhë e mbarë
"Festivali mes Malesh", në Golëmin e Kurveleshit dhe eruditit e
shkencëtarit, birit të këtij fshati, Bilal Gëlemi!