loader
Loading...
POEZI
1 muaj më parë

POEZI

TË NDALUAR E KAM TË LOTOJ

Mbahem, si një qiell, vranësirash mbytur,

Mbahem pas një rrezje, një fill drite,

Që nga ty buron dhe prapë drejt teje lundron,

Mendim i lumtur që në ajër më mban...

Mbahem dhe pse retë janë rënduar

Sa gati prekin tokën e shpirtit

Dhe pëllumbat gugasin të trishtuar,

Të ndaluar e kam pa ty pranë të lotoj...

 

DYZET PLUS-

Dyzet plus...digjej nata dhe ajri mes buzëve,

Veç heshtja hynte nga dritaret e hapura,

Ti nuk erdhe e as zërin s'më dërgove,

Të vetme më le, në shtegun pa dritë e pa ëndrra...

Si një fëmijë i harruar pas u ndjeva,

Pa lodrën e preferuar dhe krahët e tu...

Dyzet plus...po ç'punë ka mosha

Kur zemra mbi kohën galopon kështu!

Dyzet plus...si nuk erdhe i dashur?!

Digjej nata dhe ajri mes buzëve...

Të vetme si le me ëndrrat përzhitur,

Pyjeve të dëndur të heshtjeve?!

 

Toka e të parëve të mi...

Të parët e mi, njerëz të thjeshtë

Që përultësisht i faleshin diellit

Dhe me zërat e zogjve, në bistakët e rrushit,

Numëronin një e nga një bekimet e tij...

Paganë, paganë që në gjirin e tyre

I morën të tërë shenjtorët,

Ja tek i keni dhe gjurmët e shën Thanasit

Mbi dheun që prej mijëra vitesh

Ruan të patrazuar thesarin e kohës...

Të parët e mi...në heshtje kanë rënë tani,

Në heshtje lutjet, në heshtje bekimet,

Në heshje mort dhe duart

Dhe toka e lëne djerrë lëshon veç rënkime,

Toka e të parëve të mi!

 

 

 

Vetëm syri i majtë...

 

Lumi i pambukt që lëshohet nga plepat,

Më sjell pranë pritur fëmijërinë,

Prej një gjysmë jete, afrohen gjysmë botat,

Vjen lagjia ime e vjetër në Tiranë...

Nuk teshtij më kur fillon pranvera,

Kam fituar imunitet ndaj shumë gjërave tani,

Veç syri i majtë loton ngahera

Kur me ajrin përzihen, polene prej malli...

Mos u mërzit, nuk kam gjë,

Ja shih syrin e djathtë!

Hemisferë e paprekur nga asgjë

Tokë pragmatike, e thatë...

 

 

PAK ÇASTE BRENDA ZEMRËS-

Në frëngjitë e qeëve ta përgjoj zemrën,

Si një i uritur ps kangjellave,

I paqartë valëzon imazhi im me dritën,

Që si flaka në buzët e erës dridhet brenda syve...

U mbaruan dhe thërmijat e fundit,

Tani mbeti veç memorja e afshit të ngrohtë,

Me lotin mbledhur fort brenda grushtit,

Se dashuria nuk lypet e as mund të fitohet...

Lërma mua trishtimin i dashur,

Eksperten e gjithë dashurive të humbura,

Në mes te detit do jetë zënë fara ime dikur,

Në djepin e dallgëve më të çmendura...

U mbaruan dhe thërmijat e fundit,

Tani mbeti veç memorja e afshit të ngrohtë,

Si Akili do t'i shkëmbeja tërë ditët e vitet,

Brenda zemrës tënde të isha e plotë...

 

Në bar-kafenetë e Kreontit

Unë dhe Atdheu

Në një bar-kafene në Tiranë.

Flasim pak.

Shumë pak të vërteta

Kanë mbetur për të thënë...

Gjebroj me ngadalë kafen

Dhe mbytem në sytë e tij,

Në blunë e thellë,

Të tkurrur nga dhimbja..

O Zot ç'kanë parë

O Zot ç'shohin ende

Në këtë dimension të llahtarshëm

Mes dy botëve!

U korruptua dhe Kreonti!

Lundra e tij mbart të gjallët në botën e të vdekurve

Dhe të vdekurit pijnë e harbohen bar-kafeve

Që si kërpudhat kanë mbushur rrugët...

Nuk kam ç'të them,

Ty të mungojnë fëmijët e mërguar

Dhe unë jam veç një përngjasje e vakët

E Doruntinës tënde...

 

Lulëzim i vonë

Ia kam falur mikes

Që sa herë takohemi

Heton të gjej tek unë medoemos

Shenjat e perimenopauzës...

Pak më gjatë kam vendosur

Të qëndroj në pemën e jetës, e çelur...

Lulëzova shumë vonë,

Sa herë bëra të çelja, prishej moti

Pranvera të gënjeshtëra ikën e shkuan,

Me këngë të kopjuara zogjsh,

Pa ma ngrohur shpirtin, ikën, shtegtuan...

Por unë s'e humba durimin,

Me dashurinë më të madhe,

Mbërthyer pas degës,

Prita dashurinë,

Gjer në minutin e fundit...

Pak më gjatë kam vendosur

Të qëndroj në pemën e jetës, e çelur...

S'ka lidhje koha, por zemra...

 

 

Dashurisë i falem

Kthehem me vrap tek ti dashuri,
Sapo kuptoj,
Se kam ikur pak larg nga vetvetja...
Është kaq e lehtë të ikësh
Udhës pakthim, të humbësh...
Kaq shumë tundime e provokime,
Që të bëjnë, nga boshti yt të dalësh,
Si një satelit,
Në orbita të errta të endesh, paprehje...
I falem Zotit që të kam ty,
Që s'më lë të iki aq larg,
Sa mos të kthehem dot më...
Zëri yt mbush me dritë dashurie
Tërë hapësirat e zbrazta,
Rrënjë të mos hedhë,
Asnjë hije në mua...