Me siguri përbën një rast të rrallë
fakti që katër këngëtarë të vijës së parë, të pa ndarë nga njeri tjetri, të
bien dy nga krijimet më interesante në polifoni në dy festivale kombëtare të
një pas njëshme. Për të parën herë u ngjitën në skenën e kalasë së Gjirokastrës
në vitin 1983 me këngën “Dy ditë më të dalë Prili” ndërsa pesë vite më vonë, në
atë të 1988, me këngën “Kalinë, moj”.
“Dy ditë më të dalë prilli,
Delvinë kuraja thirri,
Djem u bëne-të pusia,
Te rrapi e të xhamia…”
Një avaz të tillë kënge nuk e kishte
dëgjuar më parë ajo skenë ndaj dhe të gjithë sa qenë atë natë në ndjekje të
festivalit u bënë sy e veshë për të parë e dëgjuar. Harikla Nasti, kjo vajzë
vetëm njëzetë e dy vjeçare, me mënyrën e saj të marrjes, me zërin dhe
autoritetin e saj si prijse e grupit, falë edhe portretit fixik të saj, do të
shënjohej si një prej këngëtareve më të veçanta e të jashtëzakonshme që ka parë
ndonjëherë ajo skenë. Jo më pak impresionant edhe marrësi i dytë, ai që duket
se për ta lënë marrësen e parë të përgatitet për të interpretuar dyvargshin e
radhës, kryen të njëjtën gjë, në të njëjtin regjistër vocal e në të njejtën
vijë melodike. Anastas Butshi në këtë rast është një vazhdimësi e prerë në
muzikalitet, fuqi dhe interpretim. Po kush janë dy të tjerët që plotësojnë këtë
kuartet të mahnitshëm polifonik.Dy vëllezërit, Arqilea e Aristotel Stefani,
ndajnë pozicionet e kthyesit dhe të hedhësit, një tjetër dyshe me një
kombinacion e ndërveprim të rrallë. Në iso përsëri djem lukovjot me ison si
valë e detit përfund vendlindjes së tyre me limoj e portokalle. E njëjta
paraqitje edhe pesë vite më pas, këtë herë me një tjetër baladë dridhëruese,
realisht tronditëse jo vetëm nga brendia e vargjeve e tematika që përcjell por
më tepër nga gjetja e vijës melodike si dhe shpërfaqia emocionale e tregimit të
një legjende të jetuar.
“ U poqe me asqer në gurrë,
Të vërvitën nënë urë,
Kalinë zëmëra ime,
Kalinë e rritura jetime.
- Tu hodh zabiti mëzuar,
Të lidhi këmbë edhe duar,
- Ku ma shpini Kalininë,
Që e kisha si florinë,
- Kalina në lum’ ç’u vërvitë,
Përtej shelgjeve u mbytë,
Kalinë zëmëra ime,
Kalinë e mbetura jetime.”
Një tjetër kryevepër e këndimit
polifonik, një tjetër perlë e rrallë në fondin e artë të këngës polifonike
shqiptare. Këtë radhë me një strukturë edhe më fine, me kombinacione gati të pa
besueshme se mund të realizohen nga zëra njerëzorë, pa instrumenta, pa
pentagrame notash, pa dirixhim. Këtu përmes interpretimit mjeshtëror të të
katër korifejve të këngës, e tëra vjen përmes ca zërave magjikë pa as më të
voglin sforcim apo bërtitje, përkundrazi me disa ulje ngritje vokalesh e
tonalitetesh që do ti kishin zili edhe këngëtarë profesionistë të këndimit me
nota . Nuk ke kë të veçosh e as ku të përqëndrohesh, ata vijnë të katërt në një
tis melodioz që të rrëmben të tërin. Aty veçohen si marrësa e aty bëhen prapë
bashkë, madje si e tillë edhe pesëshja e iso-s, mbas. Po ç’është ky grup,
ç’janë këta këngëtarë që duket se bënë ç’duhej për këngën dhe bënë tutje, pa
kërkuar e pyetur për të marrë “dekorata”. Lukova besoj se ka qnë një nga
vendbanimet më të pasura në aktivitetet kulturore e artistike të kohës në afro
gjysëm shekullin e kaluar. Jo vetem kënga polifonike por edhe zhanre të tjera
të kulturës si estrada e teatri këtu ishin gati profesioniste. Dhe siç thonë
bashkëkohësit e gjitha kjo lëvizje thuajse falë një emri, një emri që ishte bir
i këtij fshati por edhe artist e regjisor i madh ardhur nga Tirana për një punë
“njolle” në biografi. Darkave kur ktheheshin pas pune por edhe sa herë kishin
aktivitete apo koncerte të ndryshme e festivale zonale do të mblidheshin për të
kënduar këngë të vjetra të zonës por edhe vargje të rapsodëve të fshatit Vasil
Shameti e Spiro Butshi. Këndonin e përherë konkuronin por u desh viti 1983,
viti i festivalit të të katërt kombëtar të Gjirokastrës, që në takimin final në
Sarandë të merrnin “biletën” për të udhëtuar në vjeshtën e atij viti drejt
Kalasë së festivalit Drejtuesi i
kulturës, Boçi, siç e thërrisnin të gjithë Naqe Boçit, një pasionant e
organizator i rrallë për kulturën dhe trashëgiminë, këtë herë kishte zbuluar
nga “sepetet” e hallës së tij Sofia Gjoni, një motiv të rrallë e të pa dëgjuar
ndonjëherë më parë. Sofia, tani e moshuar e në dhjetvjetshin e nënëtë të
shekullit ishtë një njohëse e jashtëzakonshme e vajeve dhe logorive të zonës.
Ajo u bë rrënja dhe baza e motiveve të grupit të Lukovës në të dy festivalet.
“Dy ditë më të hyrë prilli” u selit në këto kushte, falë këmënguljes për të
realizuar në detaje të gjitha ato “sekrete” që nënë Sofia i pat interpretuar
vetë. Dhe kuarteti polifonik me Hriklën, Atqilean, Anastasin e Aristotelin
arritën të realizojnë një simfoni të vërtetë të këndimit polifonik, e pa parë
dhe e pa dëgjuar më pare në trevat e këndimit me iso duke u shpallur edhe si
një prej laureantëve të të gjitha prurjeve të festivalit. Tregon Aristotel
Stefani, hedhësi i grupit. “Në vitin 1983 mu dha mundësia të aktivizohesha me
grupin për të përgatitur për festivalin e Gjirokastrës. Drejtuesi i kulturës
Naqe Boçi na thotë se do të punonim me katër këngë, me qëllim që të paktën
njëra të përzgjidhej. Mua më kishte parë që këndonim me shokët sa herë bëheshim
bashkë pas pune dhe më thotë që të dua të më nxjerrësh prerësin e këngës. I
kishte menduar të gjitha pozicionet se si duket këngën e kishte në kokë nga
provat që bënte me hallë Sofinë. I kishte future në bllok edhe Anastas Butshin
dhe Harikla Nastin në marrje ndërkohë që tim vëlla, Arqilenë, në kthim. Në
fillim punoi me ne të katërt dhe vetëm kur pa që ne po harmonizoheshim si ai e
donte, at’here pruri dhe djemtë e isos, të gjithë djem të rinj nga Lukova. Po
edhe ne të rinj ishim, unë vet 31, Anastasi 20, gati aq dhe Harikla, vetëm
Arqilea ca më i madh, po dhe ai jo më shumë se dyzet. Ashtu si e kishte menduar
Naqia, ashtu dhe ndodhi. Në konkurimin në rreth, në Sarandë, nga katër këngë
njëra u zgjodh për në kalanë e Gjirokastrës, siç thuhej në këto raste. “Dy ditë
më të dalë Prilli” u vlerësua më e mira. Më tej nis e tregon për atë mbrëmje
magjike në Kalanë e Gjirokastrës ku e gjithë kënga u shoqëruara me të
duartrokitura e ovacione sikur të ishin në një stadium futbolli. Zëri i
Hariklës që në nisje të këngës vendosi një heshje që fillimisht nuk dëgjohej as
miza, një marrëse shumë potente, me një timbër e tingëllim të
jashtëzakonshmëm.“Dy ditë më të dalë prilli, Delvinë kuraja thirri… Një zë
dridhërimë, një vocal me një tingëllimë jo të zakontë ndër zërat femërorë të
këngës polifonike. Një deklamim i qartë, i pastër fare si një pararendje e
vendosur për atë ç’ka vjen më pas e ku kthyesi i këngës dhe hedhësi, të ndarë
këto pozicione mes vëllezërve Stefani, me ule-ngritjet e me një kombinim
mjeshtëror krijojnë një magji më vehte. Më tej, Anastas Butshi, përmes një
vokali tepër melodioz e gati profesional, duke ruajtur të njëjtën linjë të
këndimit ashtu fare natyrshëm krijon një dialog të rrallë duke i dhënë këngës
jo vetëm shtrirjen por edhe dramacitetin që përcjellin vargjet ardhur prej
rapsodit të madh popull.
“Djem u bëne-të pusia,
Te rrapi e të xhamia…”
Me siguri do të konsiderohej unikale
apo diçka që ka të bëjë me rastin e veçantë në se prurja apo gjetja e këtij
grupi do kishte mbetur vetëm këtu. Ka meteorë që shkëlqejnë dhe kur bien e
humbasin shkëlqimin. Prëkundrazi ky detashment kënge i Lukovës tregoi se prurja
befasuese e 1983 nuk ishte një shkëlqim i rastit, ishte një ngjizje e rrallë
shpirtërore nxjerrë jo thjesht nga legjendat por nga memoristika popullore e
ardhur nga brezat dhe e ruajtur e trashëguar si trashëgimi e pa ngjashme me të
tjerat. “Kalinë, moj”, kënga tjetër e kalasë së këngës mbase duhet konsideruar
jo thjesht e vetëm si një mrekulli polifonike e një grupi por edhe si një nga
krijimtaritë shpirtërore më të arrira në të gjithë korpusin e vlerave që kanë
marrë vulën e artë të kësaj krijimtarie popullore.