loader
Loading...
THIRRJE E POLO ÇIPËS: EVGJENI JONUZI – NJË ZË QË MERITON TË RIKTHEHET NË SKENË

Kur këngëtari Polo Çipa nuk harron këngëtaren e Kallaratit, Evgjeni Jonuzi, kemi jo vetëm një kujtesë të bukur mes artistësh, por edhe një vlerësim të merituar për një zë me individualitet të rrallë në këngën labe. Evgjenia, e dëgjuar dhe e njohur në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që në vitin 1983 me këngën “Djepi ynë, burim floriri”, ka pasur dhe ruan një timbër të veçantë, të ëmbël e të pastër, por njëkohësisht të ngarkuar me emocion, mall dhe dramë. Në interpretimin e saj ka natyrshmëri, ndjeshmëri dhe një forcë të brendshme që e bën zërin menjëherë të dallueshëm. Është një nga ato zëra që nuk kanë nevojë të imponohen për t'u dëgjuar: të hyjnë natyrshëm në shpirt dhe të mbeten në kujtesë. Veçanërisht në këngët e kurbetit, sidomos në atë të interpretuar së bashku me Zeqo Hoxhajn, Vasil Serën dhe fyellin e mjeshtrit Vendim Kapaj, siç e përshkruan aq bukur e artistikisht vetë Polo Çipa, Evgjenia nuk këndonte thjesht vargun, por i jepte atij shpirt, dhimbje dhe jetë. Zëri i saj bëhej pjesë e dramës së këngës, duke përcjellë mallin e nënës, dhimbjen e ndarjes dhe plagën shekullore të kurbetit shqiptar. Prandaj ky shkrim i Polo Çipës duhet parë jo vetëm si një vlerësim për një artiste të Kallaratit, por edhe si një thirrje e fortë për rikthimin e Evgjeni Jonuzit në skenë. Së pari, Kallarati duhet ta ketë përsëri mes këngëtarëve të tij, në aktivitetet, festat dhe takimet ku kënga labe është pjesë e shpirtit dhe identitetit të vendlindjes. Do të ishte një kënaqësi dhe emocion i veçantë që, pas kaq vitesh, zëri i saj të dëgjohej sërish atje ku mori tingujt e parë – në rrëzë të Bogonicës, mes njerëzve të saj. Por kjo thirrje duhet të shkojë edhe më tej: te organizatorët e festivaleve folklorike zonale dhe kombëtare, te institucionet e kulturës, te grupet polifonike dhe te të gjithë ata që kanë përgjegjësinë të ruajnë, të promovojnë dhe t'u rikthejnë skenës vlerat e folklorit shqiptar. Evgjeni Jonuzi, megjithëse prej vitesh jeton në Londër, meriton të rikthehet në skenë, qoftë edhe pas kaq vitesh. Të dëgjojmë përsëri jo vetëm zërin që ruajnë regjistrimet e dikurshme, por edhe zërin e saj të sotëm, sepse, megjithëse jeton larg vendlindjes, ajo vazhdon të jetojë çdo ditë me këngën labe dhe, nëpërmjet rrjeteve sociale, t'i qëndrojë pranë asaj me të njëjtin mall e dashuri. Sepse zëra të tillë nuk i përkasin vetëm një fshati apo një brezi. Ata janë pjesë e pasurisë së folklorit shqiptar dhe meritojnë të dëgjohen përsëri në skenat ku dikur shkëlqyen. Një BRAVO e madhe edhe për këngëtarin Polo Çipa, i cili, megjithëse jeton prej vitesh në mërgim, në Patra të Greqisë, nuk është shkëputur asnjëherë nga kënga dhe tradita e vendlindjes. Ai jo vetëm ka ngritur atje grupin e këngës labe “Malli i Mërgimtarit”, duke mbajtur gjallë këngën shqiptare në mërgim, por është i pranishëm në Shqipëri në festivale e veprimtari të këngës labe dhe, sigurisht, në Pilurin e tij, sa herë organizohen aktivitete artistike e kulturore. Vlerësimi që ai i bën sot Evgjeni Jonuzit është edhe një shembull i bukur se artistët e vërtetë dinë jo vetëm të këndojnë, por edhe të njohin, të çmojnë dhe të nxjerrin në dritë vlerat e njëri-tjetrit.