Kaloi edhe 2 Gushti I 2026, një datë që mendoj se
Ushtria Shqiptare do të duhej ta kishte në kalendarin e saj të kujtesës. Dita
kur dhjetëra ushtarë e oficerë shqiptarë ranë në mbrojtje të kufirit të
shtetit, në një nga momentet më të rrezikshme të pasluftës. Por, siç duket,
drejtuesit e ushtrisë sonë ishin më të zënë duke promovuar dyzet automjete të
reja (ende të pakuptueshme për publikun se çfarë përfaqësojnë) sesa duke
vendosur një tufë me lule mbi varret e atyre që sakrifikuan jetën për
integritetin territorial të Shqipërisë. Një ceremoni e tillë nuk do të
kushtonte asgjë. Mungesa e saj, përkundrazi, kushton shumë në kujtesën
kombëtare. Në një shkrim modest që publikova dje pati edhe zëra kritikë lidhur
me përfshirjen e Shqipërisë në Luftën Civile Greke. Historia, megjithatë, nuk
mund të lexohet me emocionet e ditës, por me dokumentet e kohës. Burimet
amerikane, britanike dhe greke të deklasifikuara tregojnë se ngjarjet e gushtit
1949, të njohura si “ Operacioni Pyrsos” apo "Provokacionet e
Gushtit", nuk ishin një incident kufitar i zakonshëm. Ato ishin pjesë e
një përballjeje shumë më të madhe, që shtrihej përtej Ballkanit dhe ishte një
nga frontet e para të Luftës së Ftohtë. Në tetor 1944, në Moskë, Churchill dhe
Stalini ranë dakord që Greqia të mbetej pothuajse tërësisht në sferën britanike
të ndikimit. Komunistët grekë, të cilët kishin qenë shtylla kryesore e
rezistencës antifashiste, e panë këtë si një tradhti dhe refuzuan të dorëzonin
armët. Kështu shpërtheu Lufta Civile Greke. Qeveria greke, e mbështetur fillimisht
nga Britania e Madhe dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara, nisi një luftë të
pamëshirshme kundër Ushtrisë Demokratike Greke të gjeneralit Markos Vafiadhis.
Konflikti zgjati katër vjet dhe u kthye në një nga betejat më të ashpra të
Europës së pasluftës. Në fund të vitit 1948 dhe gjatë verës së vitit 1949,
forcat e gjeneralit Markos ishin vendosur në malin e Gramozit, ndërsa
prapavijat e tyre ndodheshin në territorin shqiptar. Shqipëria luajti një rol
aktiv në mbështetjen logjistike të tyre. Spitale fushore u ngritën pranë
kufirit, ndërsa furnizimet me ushqime, municione dhe armatime mbërrinin përmes
portit të Durrësit dhe transportoheshin drejt frontit. Megjithatë, pas prishjes
së marrëdhënieve Tito–Stalin në vitin 1948, situata ndryshoi rrënjësisht. Jugosllavia,
deri atëherë mbështetësja kryesore e komunistëve grekë, mbylli kufijtë.
Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik, ndonëse kishte dhënë një ndihmë të kufizuar,
vendosi të mos sfidonte marrëveshjen strategjike me Perëndimin për Greqinë dhe
nuk ndërhyri drejtpërdrejt. Pas një rezistence të ashpër në Gramoz, forcat
komuniste greke u detyruan të tërhiqeshin në territorin shqiptar. Në ndjekje të
tyre nga pesë divizione të ushtrisë greke, tre brigada kaluan kufirin dhe
depërtuan në territorin shqiptar. Pikërisht këtu ndodhën përplasjet me repartet
kufitare shqiptare. Sipas burimeve të kohës, forcat shqiptare arritën të
bllokonin rrugët e tërheqjes dhe të kapnin një numër të konsiderueshëm
ushtarësh grekë robër. Dokumentet japin shifra të ndryshme, nga rreth 600 deri
në afro 800 të zënë rob. Dokumentacioni shqiptar tregon gjithashtu se njësitë
tona kishin urdhër të prerë të mos kalonin kufirin shtetëror, pikërisht për të
mos krijuar asnjë pretekst që Shqipëria të akuzohej për agresion. Ky detaj
përputhet me dokumentet amerikane të deklasifikuara, ku thuhet se Uashingtoni
ishte i gatshëm të mbështeste një operacion ushtarak grek në territorin
shqiptar nëse provohej se ushtria shqiptare kishte kaluar e para kufirin. Po
sipas këtyre dokumenteve, aviacioni grek, i pajisur me avionë amerikanë,
përdori bomba me napalm gjatë operacioneve në Gramoz. Disa prej tyre ranë dhe
shpërthyen edhe në pyjet e territorit shqiptar pranë Leskovikut. Këto nuk janë
më pretendime propagandistike. Janë fakte të mbështetura në dokumentacion
arkivor ndërkombëtar. Historia e gushtit 1949 nuk është thjesht historia e
Luftës Civile Greke. Ajo është edhe historia e ushtarëve shqiptarë që,
pavarësisht rrethanave politike të kohës, luftuan dhe ranë duke mbrojtur
kufirin e shtetit të tyre. Regjimet kalojnë. Ideologjitë ndryshojnë. Aleancat
treten. Por varret e ushtarëve mbeten. Dhe ndaj tyre detyrimi i shtetit nuk
është politik por është moral. Një tufë me lule, një ceremoni e thjeshtë
ushtarake dhe një përkulje para kujtimit të tyre nuk do të ishte nderim për një
regjim të shkuar. Do të ishte nderim për ata shqiptarë që në gushtin e vitit
1949 dhanë jetën në mbrojtje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kapiten Memo Nexhip
Nëntoger Ferit Naim Bregasi
Novruz Orhan Danaj
Tafil Ferhat Feçanji
Jonuz Bektash Hajdini
Muharrem Sabri Veizi
Fari Nevruz Totolaku
Vangjel Tasi Prifti
Mehmet Ibrahim Muslia
Qazim Haxhi Manka
Ismail Rexhep Iliazi
Shefik Ymer Pitja
Pren Filip Dedja
Abdulla Mustafa Hida
Estref Maksut Bajrami
Shefik Hasan Alçani
Rexhep Ismail Demiri
Tafil Shahin Rolli
Vasil Naum Golemi
Shyqyri Hazis Gërmenji
Taulla Tahir Saliasi
Teki Zenun Kalemasi
Qani Haxhi Rama
Selam Haki Gjoni
Llambi Thanas Ndreka
Hasan Ramazan Gjyzeli
Shyqyri Avdia (Avdyli)
Ibrahim Fetahu
Hasan Ramadani.