Baladë për një re
Shpirtbutë sa një re
E hollë sa një ëndërr,
Kjo mbrëmje kadife
Magji më bën në zemër.
Si pelë e harbuar
Vrapon një re.
Pas një ylli tërbuar,
Pa turp e pa fre.
Te mali i Parnasit,
Muzat ku rrinë,
Me kalin e Pegasit
hipur venë e vinë.
E vogël ajo re
Sa gëzimi im.
Kalëron gjith' hare
Dehur, ngazëllim.
Manare pas hënës
Varg e varg ca re.
Si gjumi pas ëndrrës
Natën kur fle.
Një re te sytë,
Shpirti i trazuar.
Kur fiket një dritë
Një shpirt i helmuar.
Mos e prish atë re
Ju luta qiellit.
Një imazh kam atje
Larë me dritë dielli.
Imazhi i një vajze
Aty më shfaqet mua.
Vellua valle-valle
Aty u ylberua.
Kur reja tërë dhele
Qiellin blu vozit,
Bjondja kaçurrele
Ëndrrat m'i prushit.
Prilli në lëndina
Më jep lule plot.
Vjeshta ndër violina
Dogji këtë mot.
Varur në sup mali
Po dremit një re.
Sa të vijë behari
Vjosës shkon e fle.
Kal balade një re
Më erdhi një çast.
I harlisur, pa fre
Ç'yll e ndjek pas?
Si hero beteje
Kostandini kalëron.
Mbi një kalë reje
Doruntinën kërkon.
Zefiri i pranverës
Kur borën e shkrin
Qumështore pas derës
Të sjell në agim.
Ç'pluhur meteori
E përndrit një re?
Natës kush e mori
Që me të të fle?
Ndonjë yll i bukur
Marrosur pas saj
Re e paputhur
Si lule më maj.
Një re e bardhë
Si varka me vela
Vozit valë-valë
Dehur nga pranvera.
Shtëllunga-shtëllunga
Ca re puplore.
Hidhen kotollumba,
Me hënën përdore.
Krahët e një reje
Hapur mal më mal.
Flakë e një rrufeje
Ndizet gur e stërall.
Vjen një re e zezë
Mbarsur plot me shi.
Vetëtima ndez
Grykës në veri.
Zogu pendëlarë
Retë shtyn me sqep.
Një copë re të bardhë
Mbaj shami në xhep..
Vallen e Osman Takes
Shquaj përmbi re,
Në argjend të natës
Hëna ëndrra sheh.
Një jastëk me re
Mban te koka hëna.
Yllit ç'farë i fsheh
Mbytur nëpër ëndrra?
Balada e lotit
Sa globi i rëndë,
Si dhimbja që s'hesht,
Për lotin një këngë
Po nis një poet.
Kur zbret në faqe
Loti si ortek,
Thua kërkon paqe,
Kur jeta të vret.
Ç'peshë brenda fsheh
Loti që syri gremis?
Male vërtet nuk ngre,
Por male lëviz.
Gremina e syrit
Liqene trishtimi.
Dy pikat e yllit,
Shkëlqim si rubini.
Ç'ëndërr në pikë loti
Derdhi një fëmijë?
Nëse e sheh Zoti,
Ditën s'do ta gdhijë.
Ç'kishte zemërimi
Në sytë e një nëne?
Lot' i një jetimi
Hiri i një ëndrre.
Zemreku i zemrës
Kur derdh një pikë lot.
Si meraku i nënës
Që përgjunj një botë.
Ç'thotë nëna mbi djep
Kur ëmbël këndon?
Te syri, në cep,
Diçka i buron.
E rëndë një pikë lot,
E rëndë sa planeti.
Malli nuk hesht dot
Nga varri te djepi.
Bota dridhet si gjeth
Nga sytë e një fëmije.
Mjekrën Zoti rrënqeth
Nën pendesë perëndije.
Kurrë nuk pyetet burri
Pse ka një pikë loti?
Te varri, s'pyetet guri
Shtëpinë ku ka Zoti?
Misërnikja e hënës
Na shuante urinë.
Si bekim i nënës
Që në ëndrra rrinë.
Për një që dje iku,
Mallkoi veten toka.
Në një fill qerpiku
Dridhjen e ndjen bota.
Fshehur gëlltit lotë,
Nëna, një shpirt nëne.
Si ta zbresë në tokë
Atë dritë hëne?
Fytyrën e urisë
Kush e pa te loti?
Si fjalë e urtësisë
Kur të vjen nga Zoti.
Brenga diçka thotë
Te dy rrudha balli.
Te dy pika lot
Dashuria dhe halli.
Lot i hidhur burri,
Lot i thinjur nëna.
Që plas edhe guri
Që plaket edhe hëna.
Loti- shpirt i vrarë...
Nuk përbuzet loti.
Xhevahir i rrallë
E bekon dhe Zoti.
Lot i një gruaje
Te burri mbështetur.
Hardhi e trishtuar
Nga malli i tretur.
Loti ngroh shpirtin
Dhe shpirtin përvëlon.
Loti e vret mitin
Dhe qiej i thërrmon.
Ngrica e ndarjes
Gjithë yjet e mbrëmjes ishin në oborr
Ku zjente dasma e nuse ishe ti.
Një ngricë dimri ndjeva në kraharor,
Kur në valle ishe ti dhe… Ai.
Mbi qerpikët e tu një re kishte rënë
E mbi të mitë rizonte një pikë shi.
E mjegullt më vije si një natë pa hënë
Se mes nesh tani kishte hyrë… Ai
Për herë të fundit i pashë ata sy
Që rrezëllitën nga një pikë lot.
Pse e shuam pasionin ne të dy,
Të pyeta tani me një vështrim të ftohtë.
Kur “puthe, puthe” oborri oshëtiu
Diku u mbështeta të mos bija në tokë
Bryma e ndarjes aty më ngriu
Për atë zjarr që u fik pa e ndezur dot.
Vëndlindjes
Malet i hapën krahët të dy
E me mall rendën drejt meje.
Një pikë loti më fshiu ndër sy
Mbrëmja me një shami prej reje.
Fli këtu- më tha guri i portës-
Se këtu e nise dhe fillin e ëndrrës.
Nuk i ndjen sot rrëmbat e aortës
Që rrahin fort muret e zemrës?
Gjithë natën humba nëpër ëndrra
Gjersa qielli një nga një i shoji
yjet,
Nga mali nuk dëgjohet më kënga,
U qetua përroi, heshtën dhe pyjet.
Ç’ëndërr më mbajti peng këtë natë
Që fjeta vonë, gjer në mesditë?
Djepi i kujtimeve ma bëri zemrën lak,
E malli te sytë më qeshte si një
dritë.