Për më të mirin tim !!! Babain! E vërteta është që, unë kurrë nuk mund të të ngre ty, në piedestalin që ti meriton, unë nuk jam aq i zoti të thur fjalë për të përqafuar imazhin tënd aq sa dua. E gjithë dëshira ime është që të ngjaj ty, e të eci nën hapat e tua, të gaboj aq bukur sa gabove ti! Im atë, Muho, ishte njeri puntor, i thjeshtë, fjalë ëmbël, imcak, me trup të shkurtër, por mendimin dhe duart i kishte flori. Fjalë pak dhe autoritar. Gjithmonë kërkonte më të mirën. Porositë dhe këshillat e tij nuk ishin me fjalë. Ai ta impononte me punën e tij për të marrë ato cilësi të cilat me aq sa mundëm ne i trashëgojmë sot. S’ka nevojë për fjalë thoshte ai, do ta kuptosh me punën që ndërton vetë! Koha bën të sajën. Megjithatë, kurrë nuk lajthiste të na vinte në dukje gabimet e moshës, sepse ju e dini merakun e prindit. Tashmë njihet nga të gjithë që babai është themeluesi i një fushe të dijes, ose nismëtari apo, udhëheqësi kryesor i një veprimtarie, ose i diçkaje tjetër dhe njëkohësisht edhe shtylla kryesore e familjes. Jeta nuk vjen me manual. Vjen me një baba. Goja më ishte hapur disi dhe instinktivisht edhe fryma pothuajse më ishte ndalur. Ndjeja se sipërfaqja e gjuhës më ishte çarë nga thatësira e në grykë më kishte ngecur pështyma, si një lloj lëmshi ngatërrimtar. Përpiqesha të merrja frymë, por zbrazëtia e gjoksit më digjte aq keq, si një lloj shkretëtirë. Papritur gishtat e djersitur kapën thesin e najlonit përtokë, ndërsa sytë vazhdonin të mbeteshin të gozhduar drejt atij mirazhi akullnajor, që fliste sikur të ishte një qënie e vërtetë njerëzore. Ai sigurisht vinte nga troje të ftohta, nga thellësia e tokës, teksa unë, sapo kisha zhvarrosur babain!. Nuk e di pse e ndërmora një veprim të tillë, që të zhvarrosja tim atë, e pranë tij të sillja atë, nënën time, shoqen dhe bashkëudhëtaren e tij të jetës. Ndoshta nga frika se nuk doja ta lija vetëm, se atje nuk kishte asnjë që të kujdesej për të. Ndoshta nga pa mundësia për të gjetur nje vënd afër për nënën se siç e dini parcelat për të vdekurit në Sharrë, të Tiranës janë drejt finishit. Dhe ja i ndodhur përballë me të edhe pse dhimbja për nënën ma zinte frymën, në vesh dukej sikur më kumbonin fjalët e tij. O biri im!. Ç’farë ishte ky sahat? Përse më duhej të vdisja sërish! A mundem unë të gjej fjalë për ty ! Tek imagjinoj se shiheshim sy më sy, se ju e dini që edhe të vdekurit flasin me të gjallët, mundohem te hedh tej atë pirg dheu, që kishte vite që e mbante mbi shpinë, e për ti liruar sadopak kufarin që të dëgjoja edhe njëherë këshillat e vyera të tij. Eh sikur këto këshilla t’I kuptonim në atë moshë! Ç’ti bësh, jeta kështu qënka e ndërtuar. U dashka njefarë moshe për ta kuptuar atë. Jeta ka kapriçot e veta. Të allahut jemi e tek ai do shkojmë! Kam punuar me ndershmëri gjithë jetën për ju! Sa e sa parmenda kam latuar që ugari të mbruhej mire, e fara të ruhej e pastër. Sa e sa kosha me thupra shelgu kam pleksur, duke thurur njëkohësisht historinë e jetes time dhe tuajën bashkë. Djersa e ballit është e rëndë. E kam shijuar jetën me të mirat dhe të këqiat e saj, aty në moçalin e praruar. Shumë jam lodhur e këmbët mu kanë dridhë, që ju të beheshit të mbarë. Më kanë rënë në shpinë të hidhurat dhe nuk kam gjetur më të hidhur se sa të kërkoja nga njerëzit. Edhe pse nuk kam pasur, prapë kam qënë i kënaqur me atë që na ka caktuar Allahu! Kam dëgjuar të flasin shumë, por nga heshtja kam mësuar më shumë dhe kështu ja kam arritur të dal faqebardhë. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të lëvdohem. Puna flet vetë! Për një çast dal nga kllapia dhe mëndja më shkon në fëmijërinë time duke munduar të sjell copa kujtimesh nga jeta me babain. Jeta e kishte kalitur atë, ndaj mundohej të na nguliste në mëndje ato që ai vetë kishte kaluar por duke na i servirur ato në një mënyrë krejt ndryshe, duke na i provuar gjerat, për të zgjedhur midis të mirës e duke larguar të keqen. Në aventurën e jetës gjithmonë mendoja se unë kisha të drejtë dhe ai që kishte gabim, ishte babai im. Mirëpo, mësimet e ashpra të jetës më kanë bërë të kuptoj se fjalët e babait tim kishin qënë gjithmonë të sakta. Edhe pse ti e vendose të ikje njëzetë e një vjet më parë, pikërisht në një Maj, ditën e puntorëve. Nuk e di pse zgjodhe këtë ditë! Në shënjë proteste, apo nderimi për punën, se i tillë ishe, Duar Artë. Sot, mu desh ta prishja ritualin. Jo si në çdo Maj, kur unë ju kujtoj me sytë e lagur, ati im! Më rri para syve buzëqeshja juaj paqësore, e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të herëshme, kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ti rezistoje gjithnjë e më pak ngaqë më dukej vetja I rritur dhe se dija ç’do gjë!“. Folu butësisht njerëzve më thoshe! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”. Mirëpo, sot kam ardhur ndryshe! Jo si në ç’do Maj. Sot është Nëntor, është dimër, por jo vetëm për nga natyra se atë do ta kalonim si ç’do dimër tjetër. Po ky qënka dimër mbi dimrat. Ai ka mbërthyer gjithë qënjen time, jam mpakur si ty….! Brenga më ka kapluar në shpirt, dhe nuk po gjen qetësi deri sa një ditë të bashkohemi atje në botën e pa fundme në xhenetin qiellor dhe të nisim ç’do gjë nga e para. E megjithatë ti vetë na ke mësuar të bëhemi të fortë. Ndaj gjithmonë them, faleminderit Zot, që unë jam djali jot BABË”!.