loader
Loading...
ÇORRAJ

Në grinë universale të maleve, reve, detit dhe vjeshtës, makina “ Nisan” prodhuar në Japoni ngjiti udhën e murme tërë gjarpërime nga gryka e Bodarit në Borsh, drejt vëndit të një legjende sa reale aq të pabesueshme për kohën dhe realitetin e sotëm shumë lehtë të ndikueshëm të gjeopolitikës dhe historisë së virgjër të Maro Kondes së Çorrajve. Së bashku me intelektualin dhe bisnesmenin Minella Prifti, kryetarin e fshatit dhe drejtuesin e “ Nisanit” Mihal Duka ngjitemi si në një planet tjetër përballë kalasë së Sopotit për të trokitur jo me delikatesë, por me forcën e krenarisë lavdimadhe, tek shtegu ku kontesha Maro Kondi së bashku me foshnjën e gjirit, mori në greminë edhe 28 ushtarë e komandë turq të cilët kishin ardhur në këtë fshat për të lëvizur malet drejt gjysëm hënës. Në anë të xhades “ Nisani” japonez, buzë varrit, agavia kineze dhe ne tre shqiptarët e kohës së re që në greminën e historisë kërkojmë të shohim e të aromizohemi nga lulet e përjetshmërisë së veprës së Maro Kondes. Në këtë shkrim, tip reportazhi sot nuk do merrem shumë me historinë por me një fshat të çuditshëm që kokofortësia e tij i dha ruajtjen e identitetit shpirtëror në kohën e përthyerjeve të mëdha religjoze dhe sot egzistencën mbijetuese nga fenomeni i shuarjes si etni, jetesë dhe konstrukt material !                                                                   E gjithë bota u falë,   Çorrajt halë e bri halë,   Këto dy vargje monumentale mjaftojnë për të “ pushtuar” tërë shekujt e egzistencës së këtij fshati. Kur jeta urbane në qytetete dhe qëndrat e rëndësishme pushonte së marri frymë nga pushtimet, ajo shkonte dhe rronte në gryka, humnera e gremina të maleve tona dhe mbi kalin e legjendës zbrisnin përrenjve, lumenjve dhe shkonte në limane të rimerrte trojet e saj çdo herë e më të pakta. Në thyrjen relievore të malit, bregut dhe lumit disa qepariza të drejtë si e vërteta dhe të gjelbër si shpresa të krijonin besimin se sido që të vinte jeta me ikje-prurjet e saj, do të ishte aty edhe pse deti i pabesë pushtonte e lëshonte, toka buzë tij të ardhura nga dheu i shpirtit të këtyre maleve. Gjithëçka të befason por një pllakatë mermeri të dëshmorëve të Atdheut përbri atyre të luftës së dytë botërore, tregon më së miri se gjaku “ princëror atdhetar” i Ҫorrjotëve nuk është derdhur vetëm për trojet e shkëmbta të bregdetit por edhe për Plavën e Gucinë shqiptare të marrë padrejtësisht e pabesisht nga të tjerët Në Çorraj çdo gjë ruante virgjërinë e saj dhe banorët e mbetur, kur i takon nuk shtrojnë në tavolinë mikpritjen e tyre por me duart e reshkura nxjerrin nga kafazi i kraharorit zemrën e dashurisë për ta bërë mikun gjak të saja.