MËMËZONJA
Jam mëma që nuk bëj gjumë,
Gjumit i kam thënë "
tutje"
Mëma që ka halle shumë,
S'di se ku të bëj një lutje.
Koha ish e tëra mjegull,
Fati- gur në bokërrima,
Po besës i ngrita tempull:
"Kostandin e Doruntina!"
Kodin e besës,unë së pari,
E krijova, e mbaj në këmbë,
Ngrita Kostandinë nga varri,
Të mbante fjalën,që kish dhënë...
Ngrita ura dhe kështjella,
Portat hapur gjithë nga deti
Dhe kur ulërinte era,
Unë sytë nga oksidenti,
Më tmerronte ngricë e stepës,
Ftohmën gjer në palcë e ndjeja
Më helmohej rrënjë e jetës,
Ku të shkoja? nga të veja?
S'di nga ç'dhimbje linda Gjergjin,
E bekova, i dhashë shpatë
Dhe kur flama nxiu jetën:
"Ngreu, i thashë, o jetëgjatë!"
Kur Evropa ish rrëmujë
Dhe pas zjarrit mbetej hiri,
I thashë Gjergjit, krejt pa bujë:
- Shko, o bir, ndihmoje fqinjin!
Tym e flakë matanë Veziri,
"Si gjëmimi që gjëmon"
Ma la amanet Naimi:
"Dielli lind nga perëndon"
Jam mëma që nuk bëj gjumë
Zemrën pol gjithë kjo botë,
S'do kërkoj asgjë më shumë:
- Hapma portën, moj Evropë!
(Nga vëllimi "Gurët e vend-lindjes")
FIS KAONËSH
Jemi fis i fisëm...
Stërgjyshërit tanë, thonë, ishin si kavakë,
Shtëpitë i ndërtuan në udhëkryqe erërash,
Hapur portat për miq e të panjohur,
Ngroheshin në prushin e bisedave...
Kur pëllëmbët vinin mbi njëra-tjetrën,
Sikur hidheshin themelet e Kështjellës së Besës...
Jemi fis i bukur...
Stërgjyshet tona, thonë,shoqe kishin zanat,
Laheshin në ujëvarat e argjënda të hënës,
Pluhur yjesh mbi flokë e supe,
Flutura, qingja e fëmijë në prehër...
Jemi fis i fisëm,
Djemtë, si lisa, këtyre anëve,
Rretë mbajnë mbi supe,
Rrufetë, me duar, zbresin nga qiejt.
Mos i zgjoni kacabujtë e tyre,
Se shkulen pyjet e shkëmbijtë gremisen ububushëm...
Jemi fis i bukur,
Vajzat- nuset e këtij ÿsi,
Si prej pranëvere gatuar,
Diellin kanë në sy,
Në bark e gjoks u hov e ardhmja,
Pikë loti vajzat- nuset e fisit tim...
Jemi fis Kaonësh,
Ua dëgjoj zërin në ujëvarat e kanioneve,
Ua gjej gjurmët te Shpella me Qiell,
Ua shoh dritën te harqet e ylberëve,
Te Dodona, majë malesh, e kanë strehën,
Afër Zotit,
Pranë Diellit!
BAJRONI
(Pjese nga poema "Te pacim, PASHA!")
Duhma- duhma lloha,
Një yll rri te dera.
- Jam poet, Pasha,
Vij nga Inglitera.
Jam Lord inglitere,
Nga rreziqet s'tutem,
Kam ardhur si mik,
Më prano, të lutem!
- Mirë se erdhe, bir,
Pac jetë e shëndet!
Patjetër je trim
Nga që je poet.
Si sarraf Pashai,
Sytë ia ngul fort,
- I fisëm në breza,
Nga që qënke Lord!
Në ode të Vezirit,
Nuk ka më vend heshtja.
-Do jeshë dhe i besës,
Me që kërren vjersha.
Patjeter do jeshë
Edhe shumë i ditur,
Domosdo i mencur,
Se ke ballë të ndritur.
Mbi fytyrë të lordit,
Hipen një e skuqur:
-Dhe qejfli do jeshë,
Se ke sy të bukur...
Nata nuk ka gjumë,
Frrap e frrap tespiet,
Agu me pulqerë,
Një nga një fik yjet...
- Të pacim, Pasha,
Shqiptarisht flet Lordi, ...
Nga ode e Kalasë,
Nis udhën Haroldi...
Ngre kokën Pashai,
Ballit shtohen rrudha:
- Te clodhet, poeti,
E ka lodhur udha...
Sy me sy me Lordin,
"Dhelper qe s'njeh lak", ...
Në poemë poeti,
Shton edhe një varg...
- Meme, Zonjë e nderuar,
(Nis poeti letër),
E di c'është Aliu?
Një Napoleon tjetër!
Tej qelqit të dhomës,
Mëngjesi po zbardh.
- E di c'është Aliu?
Dhe luan dhe shqarth...
Një mendje te tillë,
Të kish Inglitera...
...Poshtë uturin Vjosa,
Lart ulërin era...