loader
Loading...
Nëntori, muaji i lavdisë dhe i themelimit të kombit shqiptar



Nëntori për ne shqiptarët nuk është vetëm muaji i njëmbëdhjetë i vitit. Me të, na lidhin shumë ngjarje të mëdha historike kombëtare. Muaji nëntor është muaji në të cilin gërshetohen një varg ngjarjesh me karakter historik, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe janë ngulitur thellë në vetëdijen e shqiptarëve. Rastësi apo me paramendim këto ngjarje janë të përfshira në një ditë të shënuar siç është 28 Nëntori, e cila është kthyer në datë-simbol të ngjarjeve me karakter historik për të gjithë shqiptarët. Nëntori është muaji në të cilën janë inkorporuar ngjarje historike që kanë kuptim brenda tyre dhe janë bërë referencë frymëzimi për gjeneratat që do vinë pas, ku për shqiptarët kanë qenë burim për të realizuar synimet e tyre për të qenë të lirë nga robëria që impononte pushtuesi. 28 Nëntori është data më e ndritshme e Rilindjes sonë kombëtare në të gjithë historinë tonë. Kjo ditë e bekuar shënon momentin e ndarjes nga robëria e gjatë dhe mbetet simbol i sakrificës, bashkimit, unitetit dhe qendresës së popullit shqiptar. Dita e Flamurit është festa e krenarisë sonë kombëtare, me traditën më të gjatë të kremtimit. Është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. Andaj sot, të gjithë ne, me përkulje i kujtojmë gjeneratat dhe personalitetet kombëtare, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën gjallë indin tonë kombëtar, në periudha të caktuara të historisë sonë. Nëntori është muaji i Skënderbeut, është nëntori i plakut Ismail Qemalit është dita e flamurit kombëtar. Është nëntori i parë ku Pavarësinë e Shqipërisë e shpalli Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kur në Krujë me 28 Nëntor të vitit 1443, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare, në Kalanë Krujës.Ai flamur valoi i pamposhtur në kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore.Kurse nëntori i dytë është më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorë, ku ishin mbledhur patriotët dhe krerët e të gjitha krahinave shqiptare. Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarsinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Kryetar i Kuvendit  natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u    zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngrinte Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka thënë; “fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është Atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Prandaj, Nëntori është muaji i shqiptarëve, muaji i flamurit. Sa herë që afrohet 28 Nëntori, mendja na fluturon te flamuri ynë Kuq e Zi, flamuri ynë i lyer me gjak që sjell në kujtesën tonë përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona..Është ky flamur që na priu nëpër beteja të përgjakshme shumëshekullore në përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarsi. Për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë. Është ky flamur i bukur e hijerëndë që rrezaton pastërtin morale, dinjitetin, nderin e kombit shqiptar.  Prandaj, 28 Nëntori nuk është thjeshtë vetëm një festë e ditës së flamurit kombëtar dhe e pavarësisë së Shqipërisë, por është edhe një amanet, një betim për të qenë gjithmonë të mbrojtur me idealin kombëtar, që shqiptaria dhe shqiptarët të ndihen të lirë, krenar dhe Zot në trojet e veta. Flamuri ynë kombëtar është vetëm flamuri i lirisë! Është ky flamur që mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara. Është kjo shqiponjë që nën krahët e saj të fuqishëm, me një ngrohtësi prej nëne i mbanë së bashku të gjitha bijat dhe bijtë e saj kudo që ndodhen në botë. Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë kombëtar. Për të kujtuar rrugën që e kemi kaluar për të ardhur deri te kjo ditë, rrugën tonë drejtë lirisë, rrugën e mundimshme, por të drejtë dhe të lavdishme. I madhërishëm qoftë edhe kujtimi për të gjithë martirët e kombit, atyre që dhanë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar, liri që ne e gëzojmë sot!                                                                                               


 Zoti e bekoftë popullin shqiptar!