DJEPI IM
Dheu im i bekuar, ti më bëre poet
Edhe mjalt edhe vrer, m’i afrove në jetë
Djepi im i florinjtë, më përkunde si
mbret
Varri im ndanë udhe, e di që më pret
Epizmin e mora nga malet e lartë
Lirizmin e gjeta te shpirtrat e ngratë
Më lidhe me pranga, s’më fale uratë
U grinda me fatin, më dha një shuplakë
Jam dishepulli yt, të kam perëndi
E gdhend emrin tënd, e mbaj hajmali
Duroje, ndriçoje, më thotë një hyjni
Ky tempull të ngroh e të fal dashuri
Shandanin me yje t’a zbrita mbi ballë
Vështroj midis reve, pres hënën të dalë
Kërkoj zërin tim në lumin me valë
Qafohem me erën, që fryn si e marrë
Vendi im kryelart, mbretëria pa mbret
Djepi im i florinjtë, ti më bëre poet!
VËRSNIK ME LISIN
Lapsin ma thyen, morën fletën
Goja u mbyll me çelës burgu
Sa gjatë kërkuan, po nuk gjetën
Se ç’fshihte brenda heshtjes murgu!
Çekiç e daltë s’më lanë t’i mbaja
Të gdhendja gurin, siç gdhend fjalën
(Në ëndërr ngjitesha në maja
Prisja më kot, si bregu valën!)
Të bëhem mjek, dhimbja më nxiu
I thonja vetes dhe vrapoja
Mbi rafte librash syri mbiu
Më jepnin dritën që kërkoja
Jo, jo-më thanë, bujqit na duhen
Dhe doemos, barinj për tufën
E djeshmja sot me fjalë nuk thuhet
Veç unë e di si nxirrja bukën!
Dhe shkova larg, në një korije
Në trung të lisit emrin shkrova
E sot i thinjur rri nën hije
Lisi më mban siç dëshiroja!
ZËRAT E DHEUT
Ja shtruan sofrën mysafirit
Rreth tij tre burra këmbëkryq
I morën c’pati brenda gjirit
Pastaj e mbytën tinëzisht
U drodh konaku. Loti ngriu
Në sy fatkeqit fillikat
Mes territ hëna syrin shtiu
Tre vrasës zhduken nëpër natë
Nuk di në ishte vjeshtë e vonë
Ndoshta dhjetor apo janar
Një zë i mbytur, thonë, rënkon
Brenda një sterre në Gusmar
E gjora grua, sytë nga udha
Foshnjën mëkon e rri serhat
E thinji pritja, u mbush rrudha
Po burri s’mund të kthehej prapë
Kaluan mote, plot një shekull
Jetimi s’foli dot-‘baba’
Dhe eshtrat, thonë, se s’qënkan tretur
Një xhind lëviz atje ku ra!
E PASHË NJË NËNË
U pamë në sy dhe befas ndala
M’u bë se ishte nëna ime
Te buzë e çarë këputej fjala
Te fjala ndjeva ngashërime
I mora duart t’ia lexoja
Me gjuhë misteresh, si një
libër
Mermer i ballit mbushur
shkronja
Herë si Kuran e herë si Bibël!
E pashë një labe hijerëndë
Nuk di nga ç’tempull kishte
zbritur
Vajtim i saj më bëhej këngë
Dhe kënga djepet kishte ngritur!
FJALȄ TȄ PENGU
(Gjyshes time, Trëndafiles)
U ngrite tempull dashurive
Asnjë prej tyre s’mbeti gjallë
Tri herë i zbuan pas frëngjive
Tri herë pas vdekjes prapë i vranë!
As short i fatit s’pat rrëfyer
(Ç’lëngatë në shpirtin tënd të brishtë!)
Rreth teje idhuj të urryer
Përtypnin ëndrra perëndish
Mali t’u shemb, asnjë dritare
Vendi t’u err, gremisej udha
Në orë të xhanit vetmitare
Dhimbjen shtrëngon e flet me rrudha!
Herë feks si diell, herë si hënë
Kujtim i largët mallëngjimi
Të shihja shpesh te ime mëmë
Kur mbushte sytë me lot rubini!
M O T R A
Mbi kodrinën e heshtur del hëna
Përmes reve me sy përgjimtar
Numron gurët mbi varret e ngrëna
Sipër territ e ndez një pishtar
Ndjej një shpirt që më flet me rënkime
Ngjitet lart edhe kthen përsëri
Aty erdhi dikur motra ime
Mbushur plagë dhe u tret në vetmi
Oh, sa rrallë të kam ardhur te pragu
Te qivuri me peshën e rëndë
Ishte maj kur u mbyte nga gjaku
Dhe gëzimi u kthye në gjëmë
A s’m’i thua dy ligje së gjalli
Siç vajtonte dhe nëna dikur
Për të vdekurit shpesh më merr malli
Dhe për fjalët, për qeshjen me nur!
Diku u dashka një mbështetje
(Te druri po, jo te njeriu!)
I strukur thellë në drama jete
Zhgënjimin pi dhe hesht fatziu!
Mbështetur rri si shkop profeti
I bëhet krah një ëndërr udhe
Përndjekur keq nga Nazareti
Thellon mbi ball’ një brazdë rrudhe
Në kënd të dhomës pret një dorë
Se s’mund të thinjet në dremitje
Të shkelë një shteg a një sinor
Të ndjehet gjallë, vetëm në ikje
Ç’sopatë e shtriu vallë përtokë
Kur s’kishte gjethe, s’bënte hije?
Besoj në vjeshtë, me hënë të plotë
Një dru prej thane në korije…
Trazova sot një grusht kujtime
M’i zgjon papritur kjo relike
E heshtur flet me heshtjen time
E ndjej në shpirt, më jep trokitje!
BALIL-O, BALIL NURI!
(Baladë)
Ja dhe Kserovalta
më përtej Guveri
Qafë e Peshkëpisë
ndizet si ylberi
Soset Balil nuri
zbret nga Kurveleshi
Trimat pas e ndjekin
derdhen si rrebeshi
Një pasha me tuje
e fut tek tabuti
Një tabor nizamësh
e zhurit baruti...
Ke një plagë te sisa
t’a ka puthur plumbi
Bën sikur do
shtrihesh
po s’të qaset gjumi
T’u ndez fustanella
brezin t’a këputi
Me gjyle të rënda
të qëllon harbuti
S’të malakset këmba
gjuri s’të gremiset
Burri vdes në këmbë
shembet, po
s’vithiset
Dhe një re e bardhë
zbret nga Këndrevica
Të ta lidhë një plagë
dorën zgjat Nivica
Të të marrë tek gjiri
Krahët hap Xhixhia
Po ti, feks si drita
Balil - bukuria!
Rrobat palë-palë
treten në sepete
Asnjë lot rubini
s’e mbajte për vete!
Krah me Tafil Buzin
edhe Hodo Beun
Si foshnjën në djepe
ngarkuat atdheun!
Rri në ballë të kohës
roje istikami
Të na bëjë rrëmujë
prapë na ndjek Junani.