Nuk zgjodha të lindja në Labëri, nuk ishte zgjedhja ime të isha një bijë nga fshati Nivicë, nuk i zgjodha dhe as më zgjodhën prindërit e mi! Për të gjitha këto që nuk i zgjodha, ndjehem më FATLUMJA! E titulloj veten të tillë për faktin se u linda dhe u rrita ,nga dy prindër zemërbardhë Pashun dhe Asije Memisha, nuk u lodhën së bëri mire ata të dy, me mikpritje, dashamirësi, e vlera të larta njerëzore! Unë e nisa nga familja ime, por të njëjtin përshkrim do të bëja për çdo familje nivicjote. Një kthesë ne të djathtë të kalasë së Tepelenës, të çon drejt një gryke të thellë malore, ku shtrihen fshatrat e Kurveleshit. Në vargun e fshatrave me tradita të admirueshme labe si; Bënça, Lekdushi, Progonati, Gusmari, Rexhini dhe së fundmi, aty ku preket qielli," një pëllëmbë nën zotin" ndodhet e bukura Nivicë. Ky fshat i ngritur mbi hone e kanione të thella, futur në mes të një gardhi malesh ,ku më kryelarti rri hijerendë, Kendrevica. Aty ku dëbora në supet e saj nuk shkrin as në muajin gusht. Rrëzë tyre si në një moket arkitekti qëndrojnë, pyje të dendur pishash e bredhash, aty në Llufën e pashoqe. Kodra të mbushura me të gjitha llojet e bimëve mjekësore, ku breza të tërë i mblidhnin e kultivonin. Rezervuari buzë Raçanit i mbush tablonë e pikturës në atë cep ku kufizohemi me fshatin e bukur të Rexhinit, që unë gjithmonë kam menduar që emrin ja kanë huazuar nga italishtja"MBRETERESHË" Kanionet e guvës duken si themele të kullave të lashta, me histori e legjenda. Shpesh në fëmijëri, i soditja ulur në një shkëmb në formen e kalit, i cili ndodhet në koshtën (kopesht) tonë të poshtëme, isha e sigurt se dikush i kishte ndërtuar, e pabesueshme të besoje se shkallët e tyre ishin të skalitur nga natyra aq përsosur. Poshtë dëgjohej gurgullima e ujit që zbriste nga ujvara të larta,e parë aty nga shkëmbi im, syri nuk të kapte fund, thua se gjithçka kishte dalë nga përrallat. Vërtet, ai vënd është përrallë e bukur, veç bukurive natyrore që përshkova aty edhe njerëzit ishin tepër miqësorë dhe kishin shpirt të bukur. Këtë nuk e them vetëm për ti dhënë ngjyra përshkrimit tim, por ata ishin vërtet të tillë, me ndjenja të larta njerëzore, me harmoni, bashkëpunuese. Jetesa në ato male nuk ishte e lehtë, dimri ishte i acartë dhe i gjatë, kur studionim për klimën në shkollë, gjithmonë me" inatin" e fëmijës që do vetëm stinën e verës citoja: - Në shqipëri ekziston një fshat që ka vetëm dy stinë, dimër 9 muaj dhe 3 muaj pranverë, sepse i ftohti fillonte në shtator dhe shirat zbeheshin në maj, asnjëherë nuk kishte temperatura të larta vere, vetëm ditë të bukura pranverore. Banorët në kushte të vështira, të lodhur fizikisht, të veshur thjeshtë, të pastër, pa salltanete, nuk u mungonte komunikimi paqësor, brënda normave të edukatës. Në ditë të zakonshme shikoje, grupe fëmijësh që kishin nga një top llastiku, me apo pa këpucë, por ju lexohej gëzimi dhe kënaqësia që merrnin nga njëri-tjetri dhe loja. –Të rinjtë organizonin mbrëmje kërcimi fundjavave dhe pa shthurje shijonin moshën plot ndjenja të sinqerta! -Burra intelektual të profesioneve të ndryshme, diskutonin tema jetësore plot njerzillëk e maturi! -Pleq të mënçur që përcillnin historinë, mesazhe për brezat si, atdheu është më i dashuri, FAMILJA ESHTE KUPTIMI I KESAJ JETE! -Dhe me të admiruarat e atij vëndi ishin Nënat, të palodhura kurrë, veç përgjegjësisë familjare kishin një bashkëpunim të pashoqe me njëra-tjetrën, kur martoheshin vajzat, i bënin pajën të gjitha dorë më dorë, qëndisnin, tirrnin, ngjyenin, endnin e hidhnin në tezgjah, dhe finalizonin bukuritë e punës së dorës. Ato gatuanin gjellët më të shijshëme në botë, këndonin birbil aty ku kishte gëzim, dhe vajtonin me ligje aty ku kishte kujë! -Nuk dua të bëj përshkrimin e përsosmërisë. Jo! Aty ka patur halle, konflikte, probleme, por funksionimi i rregullave njerëzore, i ruajtjes së besës, nderit, traditës, aty përafrohej përsosmëria e bashkjëtesës njerëzore në komunitet. Nga ky fshat kanë dalë njerëz të ditur e intelektualë ndër breza, ku ne të gjithë jemi krenar për ta, ku në një tjetër moment do përmënd me detaje jetën dhe veprën e tyre. Kjo tablo e vogël, që unë u mundova t’ju përshkruaj është pak, nga jeta mes malesh në të bukurën Nivicë. Ps: Pas shumë vitesh jetese në qytet, kam dëgjuar shpesh termin "fshatarët", në rrethana të ndryshme më kishte qëndruar rëndë, jo për faktin se më turpronte lindja në fshat, por ndjej keqardhje për disa që se kuptojnë dot se lindja në qytet nuk të bën të qytetëruar, kultura dhe edukata që mbart të bëjnë të tillë, qoftë fushor, malor apo kodrinor vëndi i lindjes tënde. Së afërmi dëgjova bisedën e disa" turistëve qytetarë të cilat me një ndjenjë përçmimi dhe imitim frike pyeten: -Si mund të jetojnë njerëz ketu? -Me perulësine e një bije fshati nga Nivica po ju përsëris përgjigjen: -Aty kanë jetuar ata lloj qënije humane që quheshin vërtet NJERËZ, me nder, respekt dhe vlera të larta, që sot rrallë gjënden në shoqerinë tuaj qytetare!