Në vitin 1846 acarimi i kontraditave midis popullit shqiptar
dhe pushtuesve arriti kulmin. Zbatimi me forcë i reformave centralizuese turke
e detyrojë popullin tonë për një kryengritje tjetër popullore. Nevoja e luftës
bëri të ringjallej përsëri një besëlidhje e krahinave kryengritëse.Në këtë vit
u organizua një Kuvend lebërish në vëndin e quajtur Toroninё të fshatit Zhulat
për të përcaktuar masat që do të merreshin për tu bërë ballë hordhive turke dhe
për të bojkotuar zbatimin e reformave të tanzimatit në vendin tonë. Duke
zbatuar vendimet e marra në këtë kuvend, në verën e vitit 1847 shpërtheu
kryengritja e përgjithshme anti-turke. Forcat kryengritëse, të drejtuara nga
Gjolek Kuçi dhe Hodo Nivica u drejtuan për në Delvinë, ku pasi dëbuan
administratën turke, morën qytetin. Pas kësaj sulmuan Butrintin, që gjithashtu
ra në duar të kryengritësve. Th.Ippen , P.Aravantinos dhe gazeta ruse e asaj
kohe “Lajmet e Petërsburgut “pohojnë se kjo kryengritje drejtohet nga një
Komitet Kombëtar ku udhëudheheqësit kryesore të Labërise Hodo Nivica, Gjolek Kuçi
e Çelo Picari u lidhën me udheheqësit e krahinës së Vlorës dhe me Rrapo
Hekalin.
“ Ne Kurvelesh tre nishanë,
Bëjne harb me padishanë,
Çelo Picari i pare
Gjolek Kuçi me pallë
Hodua që mban kalanë…”
Sipas
këtyre burimeve Rrapo Hekalit ju caktua si front lufte Qafa e Sinjës afër
Beratit, Hodo Nivicës, Delvina dhe Qafa e Peshkëpisë në Gjirokastër ndërsa Gjolek
Kuçit, Kurveleshi dhe Bregdeti .
Në brigje te Kamenica
Bën dyfek Hodo Nivica…
Kjo kryengritje që fillojë nga gryka e Kuçit , menjëherë u
përhap në gjithë labërinë. Në Mallakaster dhe në Berat luftonte Rrapo Hekali
dhe Tafil Buzi, ndërsa Gjirokastra mbahej e rrethuar nga forcat e udhëhequra
nga Gjolek Kuçi e Hodo Nivica .
Ç′u ngrenë , shokë , ç′u ngrenë
Kuç , Kallarat e Bolenë
Treqint Niviciot levenë
Në 28 gusht 1847 këto forca u ndeshën në luftime të
përgjakëshme me forcat turke të nisura nga Thesalia për t′i ardhur në ndihmë
këtij garnizoni. Këto luftime u zhvilluan në fshatin Dholanë në veri të Janinës
ku turqit u thyen nga forcat kryengritëse. Rruga e Janinës ishte e hapur. Sipas
Aravantinos, Janina do të kishte rënë në
duart e kryengritësve, sikur këta të mos kishin hequr dorë nga ky aksion,
aksion për shkak se morën vesh se Reshat Pasha me një ushtri të madhe turke
ishte drejtuar kundra Rrapo Hekalit. Luftime të mëdha u zhvilluan kundër
forcave turke në Palavli të Delvinës, zona ku forcat kryengritëse komandoheshin
nga niviciti Hodo Nivica :
Hodo Beu i Kalasë
E rreh topi kumbarasë
Kumbaraja me zinxhirë
Nizam dymbëdhjetëmijë
Ranë pellgut në Delvinë…”
Duke parë se kjo kryengritje po merrte përmasa të mëdha Porta
e Lartë u detyrua të dërgonte forca të shumta me në krye serasqerin e Rumelisë
Reshat Pashën :
U mbush deti me pamporë
Nje pasha me tre taborë
S′e dine me kë luftojnë
Me Gjolek Kuçin thonë
Gjolek e Hodo Aliu
Në dorë palla ç′u ngriu
More djemt e Kurveleshit
Me pallë luftuat sheshit
O halldup shallvare gjërë
Në të zënça dot guberë
Do ta bëj si tjetër herë…
Kurvelesh krye të ngrini
I madh e i vogël të dili
Burra e gra armë të vini
Vjen dushmani po t΄i bini
Asnjë të gjallë mos lini
Pas shtypjes së kësaj kryengritje turku mori masa nga më
të egrat për të shuar çdo vatër
rezistence në Labëri. Ai dogji fshatra të tëra, ndër të cilat edhe ato të
Kurveleshit, vrau , preu e torturojë pa mëshirë të gjithë kundërshtarët e këtij
sundimi. Disa nga krerët e lëvizjes që ranë në duart e tyre u vranë barbarisht
ose u internuan shumë larg atdheut, si në Tresane e gjetkë. Por megjithatë
shumë kryengritës të tjerë, me armë në dorë, u arratisën maleve, duke i
vazhduar përpjekjet e tyre në mënyrë të shkëputur kundër okupatorëve
osmanllinj. Sipas Aravantinos, Hodo Nivica me forcat që e pasonin kalojë nga
ana e Delvinës, kurse Gjoleka lëvizte sa andej këtej nëpër gjithë krahinën.
Turqit bënë çmos për t΄i hedhur në dorë, gjallë a vdekur këta kapedanë të mëdhenj të kësaj kryengritje. Por së fundi
këta dy kapedanë ranë në duar të armiqëve dhe u internuan në anadoll. Por duke
u nisur nga rrethanat e kohës ku shtetet ballkanike kërkonin pavarësinë nga
Turqia, përpjekje të cilat ndërthureshin me synime grabitqare ndaj vëndit tonë
sidomos të Serbisë e Malit të Zi, e detyrojë Portën e lartë që në vitin 1849 të
shpallë amnisti ndaj kapedanëve të kryengritjes së vitit 1847. Midis tyre edhe
Hodo Nivicën e Gjolek Kuçin, të cilët jo vetëm i fali por në vitin 1852 u detyrua t′u besonte detyra
komanduese në veri të Shqipërise kundër forcave serbe e malazeze : Në luftrat
kundër qëllimeve grabitqare të Malit të zi të knjaz Nikollës kontributi i Hodo
Nivicës dhe Gjolek Kuçit ishte i madh. Forcat malazeze gjatë vitit 1852 filluan
sulmin për pushtimin e qytetit te Shkodrës duke i ndarë forcat në dy drejtime,
në veri të liqenit të Shkodrës, në
Kërnicë, ndërsa një pjesë tjetër nga mali i Taraboshit. Në ndihmë të malësoreve
shkuan luftëtarët e Labërisë e të bregdetit të udhëhequra nga Hodo Nivica,
Zenel Gjoleka, Gjikë Thanasi, Halim Toto etj. Lufta në fillim fillojë në zonën
e Kërnicës e pastaj u zgjerua dhe nga krahu i Taraboshit ku luftonin trimat e
Hodo Nivices.
Do qaj unë Labërinë
Për Çelon që mbet në Athinë
Gjolek kordhë këqinë
Bashkë me Hodo Alinë
Njeri Rjekë tjetri Cetinë
Për të mbrojtur kufinë
Qaj e qaj moj Këndrevicë
E lartë mbi male gjithë
Qaj për drerin e Shqipërisë
I shkreti Hodo Nivicë
Që bën dyfek në Podgoricë
Bëm ja bëjn e dot se vrisnë
Plumbat mbi të s′kolisnë
Rrobat e shkreta ja grisnë…..
Në këngët e bukura popullore pasqyrohet qartë vllazërimi i
shqiptarëve që pavarësisht nga krahina, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e vendit
nga pushtuesit , populli shqiptar bëhej nje grusht i vetëm:
Hodua me gjith′ Gjolekë
Me trima toskë e gegë
Iu ngjitën malit perpjetë
-Ik , o Niko , se të zunë
Brënda në Rekë t′u funë
Reka me kulla të larta
Nga Cetina dukej flaka……
Zenel Gjoleka u vra në luftime, dhe sipas këngës popullore
edhe në momentin e vdekjes, i plagosur rëndë, nuk pranojë që të binte i gjallë
në duar të armikut :
Shuaip të kam djalë
Jam lavosurë në ballë
Mos më le në ta të gjallë
Hiqma kokënë me pallë!
Dhe Shuaipi përgjigjet:
Ç’thua kështu Zenel-a’
Këtu mbet’ dhe imija’
Bashkë të na bëjnë varrë
Se pa tij s’kthenem i gjallë.
Ndërsa Hodo Nivica gjatë këtyre luftrave të vazhdueshme u
sëmurë, e më vonë vdiq, por në fakt thuhet se e helmuan :
…Të enjten e të xhumanë
Hodo trimi e dha xhanë
Hingëllin i shkreti kalë
Hingëllin e s′do të hajë
Njëzet vetë dot s′e mbajnë…..
Hodua në vitin 1852 I plagosur vdiq në afërsi të Rekës varri
në Shpuzë. ( Mal të Zi )Por në fakt u
helmua. Rapsodi popullor e ka përshkruar me shumë dashuri figurën e ndritur të
këtij udhëheqësi të madh të kryengritjes mbarë popullore kundër sundimit turk :
O bajrak i kuq me lule
Kaza më kaza u ngule
Parësinë e sëmurë
Parësinë e Vilajetit
Hodo kapedan i detit
I rri për karshi dovletit
O Hodo , Hodo Nivica
I lartë si Këndrevica.........
Apo për trimërinë e tij :
Gjylja në kokë i ra
Koka në dysh ju ça
Ai bën sikur se pa.