Në kujtim të poetit Niviciot Lirim Deda
Jetëshkrimi
Lirim Deda ka lindur në Nivicë të Kurveleshit, Tepelenë, më 16 shkurt 1936. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shtatëvjeçaren dhe gjimnazin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Mbaroi studimet për oficer në Shkollën e Bashkuar, si dhe studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1961-1965 ka punuar si gazetar i kulturës në shtypin ushtarak dhe pastaj deri në vitin 1969 u dërgua në Shkodër, Kukës, Tropojë, si sekretar i rinisë i Korpusit të Veriut. Rikthehet në shtypin ushtarak, Kryeredaktor i Revistës “10 Korriku” në vitin 1973. Punoi në detyrë deri në vitin 1975. Lirimi ka qenë anëtar i kolegjiumit të gazetës “Drita”, si dhe anëtar i Komiteti Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Ka punuar në Sopot të Librazhdit në brigadat e punës deri në vitin 1990. Në vitet 1990 punon redaktor në gazetën “Fjala e lirë” dhe në gazetat “Ku vemi”. Më tej punon si redaktor në Shtëpitë botuese “Onufri”, “Egnatia” e “Xhuvani”. Zgjidhet dhe kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit të Elbasanit. Në vitet 2000-2012 punoi si kryeredaktor i gazetës “Labëria”. Ka qenë bashkëpunëtor i gazetës “Ndryshe”. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është redaktor në Shtëpinë Botuese “Alsa”.
Lirim Deda
Libra të botuara
Librin e parë me poezi dhe poema “Këngët e marshimeve” e botoi në vitin 1966 dhe pastaj me radhë: “Miqve dhe armiqve” 1968, “Në vijën e patrullimit” 1969, “E dua këtë tokë 1970, “Kolana e poezisë së zgjedhur shqipe” 1970, “Tregimet e Veriut” 1971, ‘Zambakë nga Hanoi” 1972, ‘Kënga e fitimtarëve” 1973, “Shënime për shokët letrarë” (shënime kritike, 1974), “Në Kinën e madhe” (reportazhe, 1974), “Balladë vietnameze” (reportazhe, 1979), “Zëri i tokës” 1980, “Gjurmë të arta” 1995, “Eja të blesh zemrën time” 1996, “Rrufe pikëllimi” 1997, “Trëndafili i zi” 1998, “Bukuria të verboka” 1999, “Djepvarri im, trimja Labëri” 2002, “Kush e vrau dashurinë” (shënime kritike-2006). Romanet: “Foleja e vetëtimave”, 2009 dhe “Valle në shtëpinë e vdekjes”, 2011.
Vlerësuar me çmim të parë
Në festivalet mbarëkombëtare të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe në festivale të ndryshme të folkut e muzikës nëpër rrethe si në Gjirokastër, Shkodër e Elbasan, Lirim Deda si autor i teksteve ka fituar këto çmime të para: “Gjurmë të arta”, Kujtim Laro, L. Deda në Festivalin e 12-të të Këngës në RTSH; “Lulëkuqja”, Limos Dizdari, L. Deda, në Festivalin e 13-të të Këngës në RTSH; “Për ty Tiranë”, Avni Mula. L. Deda; “Sa 100 shqiponja”, R. Zdrava, L. Deda; “Kënga e zëmrave”, Alfons Balliçi, L. Deda; “E dua këtë tokë”, Prenk Jakova, L. Deda; “Dy milionë ushtarë”, Çesk Zadeja. L. Deda. ”. Dy këngët e tij në Festivalin e 12 dhe të 13 në RTSH, mbetën ndër këngët më të bukura të artistes së madhe Vaçe Zela. Lirim Deda u lidh pazgjidhshmërisht me poezinë, me këtë “zjarr të madh dhe të gjallë” (sipas Jean Orizet). “Kënga më është bërë e domosdoshme”, – shkruan ai qysh në fillim për këtë art, lajtmotivin e jetës së tij. Vjershën e parë e shkroi më 1945, kur një mbrëmje priste babain, i cili atë natë nuk erdhi: “O moj hënë,deli hënë,/ pse s’na i sjell babin tënë,/ pse të shkretë na ke lënë,/ prit e prit, s’i dëgjoj zënë.” Botimin e parë e bëri te gazeta “Rinia” më 1952 dhe vëllimin e parë “Këngët e marshimeve” më 1964. Lirimi ka botuar 30 vëllime me poezi, dy me kritikë letrare, dy me reportazhe, një me tregime dhe dy romane “Foleja e vetëtimave” dhe “Valle në shtëpinë e vdekjes”, ku u mëshohet ngjarjeve të ditës. Një punë kolosale ai ka bërë në redaktimet e më shumë se 1700 librave të talenteve të rinj e të njohur. Ai ka punuar redaktor i kulturës në “Luftëtari”, kryeredaktor në “10 Korriku”, anëtar i kolegjiumit në “Drita”. Mbas viteve 90-të i kthyer nga Sopoti i largët i Librazhdit, çeli gazetën “Fjala e lirë” (ku ishte kryeredaktor), e cila asohere pati një tirazh 10.000 kopje. Më pas botoi gazetën “Ku vemi?!” (përsëri kryeredaktor), mandej redaktor në “Onufri” dhe mbas 2003-it i rikthyer në Tiranë, bashkëpunoi me gazetën “Ndryshe”. Sa do t’i shkonte atij kjo shprehje e Sami Frashërit: “Banorët e Labërisë kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi dhe këngë.”
Në ravat e jetës
Një ditë u bë shkas një letër lart në parti, me emër e mbiemër që ai të merrte tatëpjetën, ngase kishte redaktuar një libër poetik të një poeti me “cen” në biografi. Kaq u desh për ta degdisur ngutësisht në zonën e Dumresë, Elbasan. Kjo ndodhi në sajë të thurjes së intrigave të kohës, si dikur poeti dhe oficeri Lermontov, po të bëjmë një analogji të përafërt. Atje Lirimit i caktuan nga mbrapa një “ushtar” survejues, i cili i lexonte përmbajtjet e poezive që ai i linte patëkeq mbi tavolinë. Në vitin 2001 doli në pension, mbas 45 vjetësh punë. U zgjodh Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit.Duhet thënë se një pjesë të madhe të kohës ai jetoi i izoluar. “Të jetuarit në vetmi është fati i të gjithë shpirtrave të mëdhenj”, – shkruan Artur Shopenhaueri. Nga ardhja e demokracisë ai nuk kërkoi e s’përfitoi, as pronë, as para, as shtëpi, as ndonjë pension të posaçëm dhe asnjë privilegj a vlerësim moral.
Nëpër faqe librash
Sot ai na sjell librin me titullin e gjetur”Labëri, moj, lule gjaku”, me 11 poema me dyqind faqe, që presim ta shijojmë. Gjithashtu Lirimi ka në dorëshkrim edhe poema të tjera e qindra poezi, roman për kohën e sotme, me aq shumë intriga dhe demagogji. Po le të flasim p.sh. këtu shkurt për librin “Miqve dhe armiqve” (1967), ku premton se “gjithë jetën do jem pranë jush, – ushtarëve, ndërtuesve, lexuesve të thjeshtë. Pena e tij s’na ka tradhtuar dhe ndaj padrejtësive ai kurdoherë ka klithmuar me zemërim: “Në rrugë, në punë, në ëndrra,/ do turrem gjithmonë me flakërimë. ”Për rininë, e cila duhet të jetë në ballë të punëve, poetizon: “Ninullat rinisë nuk i shkojnë,/ ashtu si nuk i shkojnë ushtarit patericat”, ndërsa kritikut të tij të letrave i drejtohet: “Kritiko ç’të duash, po thuaj: “A janë këto këngë shqiptare?”/ nga ti s’kërkoj gjë tjetër!” Edhe kur i këndon të dashurës, s’bie pre e intimes, vetjakes, por problemin poeti e sheh më gjerë, duke shkruar se “nuk i përkasim vetën njëri-tjetrit”. Më duhet të theksoj se L. Deda është një gdhendar i poemave. Vetëm te ky vëllim na paraqet 11 të tilla motivendryshme, ndërsa te libri “E dua këtë tokë” (1970), ka 60 faqe me poema. Autori ka respekt për këtë luftë çlirimtare: “Majëmaleve, në lugje, në gryka, në ara, në stane,/ këngët e mia i ngroha në zjarre të përjetshme partizane”. Është ky poet modest i popullit që ka fjetur në një kapanon me ushtarët, ashtu i veshur, buzë kufirit, më i sigurt se kurrë apo hidhte valle mes ushtarëve, sepse siç shkruan ai, edhe vetë “është bir ushtari”. Është Lirim Deda që gjithashtu i këndon me mall të pashuar vendlindjes, “Natale solum dulce”- thonë latinët, çka do të thotë “vendlindja është e ëmbël”; ndërsa poetit Dritëro Agolli i drejtohet më pas: “Ndiz një qiri për këtë popull pa krye.”E ritheksoj se Lirimi mund të konsiderohet edhe si poet i dashurisë, vargje për të cilën ai derdh me ëmbëlsi pa kursim, por pa rënë në banalitete apo perversitete të shfrenuara. Ai ka patur fate në jetë kur “vesën e mëngjeseve malore, vajzat e kishin parfum”. Dhe më tej: “Më shumë s’të premtoj, s’i dua dashuriçkat…/ me dashurinë tonë të emërtojë rrugicat”
Ishte një kohë e pakohë
Le të përmendim këtu disa vargje nga libri “Rrufe vetëtimash” (1998), kur shkruan për ditët e kiametit të marrëzisë kolektive të 1997-ës ku: “Deti dhe rrëmeti/ fund’ i detit – shteti”. “Është koha/ të rikthehet një Gjergj Kastriot”, sepse “Atdheun e kthyem në një varrezë të madhe,/ trojanët të tillë lemeri s’patën kurrë!” dhe kur “derrat përtypnin anembanë Shqipërisë” e kur “Shqipëria është shitur për hiç!” Te libri “Dashuria të verboka” (1999), gjithashtu më tepër spikatin motivet erotike në një optikë të re. Ja si i drejtohet dashurisë së tij të përjetshme, Xhikos durimmadhe: “Siç duron mali, malin me borë,/ më durove, e uruar./ Era nuk kapet me dorë,/ as dhe burri i harbuar”. Dhe përfund vjershës: “Ishe ti, moj, zemërbardhë,/ djepi për zërin e këngës./ Shpirtin kaltërosh më fale,/ bujarisht si lum’ i Bënçës”. Një lis rrënjëthellë, degë shumë është Lirim Deda
Botuar nga” IZET S. ÇULLI dhe Ora News” Përditësimi i fundit 31 Gusht 2016, 22:31