loader
Loading...
REIZ NURE BEGA, NJË BURRË I SHQUAR NGA LEKDUSHI

Reizi është djali i dytë i Nure Begës, një burrë i dëgjuar e pjestar kuvëndesh të Kurveleshit, nga fshati Lekdush. Nurja pati katër fëmijë, dy djem, Ajdinin dhe Reizin(i vogli). Pati dhe dy vajza, njërën të martuar në Shenaj në fshatin Progonat dhe tjetrën në Serjanaj në fshatin Lekdush. Vetë  Nurja ishte një burrë që merrte pjesë në odat e gjykimit të fshatit apo të fshatrave dhe në takimet që realizonte vilajeti. Kështu që dy djemtë e tij patën fatin që të quhen djem të fismë, apo dy vajzat e tij të quheshin bija nga derë e madhe. Nure Bega, si të gjithë fshatarët e Lekdushit, apo dhe të gjithë Kurveleshit të sipërm, kishte një ekonomi të fortë mbështetur në blegetori dhe vreshtari. Nuk është për t’u çuditur kur flasim për këtë të fundit në Kurvelesh (veçmas në Lekdush) pasi në këto vite e më përpara, gjatë shekullit të 19 kjo "industri" e përpunimit të rrushit në: raki, verë, pekmez, stafidhe etj, kanë qënë "profesioni" i dytë (pasë blegetorit) në këtë zonë. Duke patur një gjëndje të mirë ekonomike Nurja, i arsimoi të dy djemtë e tij. Në fillim ata mbaruan uniken në gjuhën turke dhe pastaj vazhduan njëri për ekonomi dhe tjetri për bujqësi, shkollë e cila shtrihej në katër vjet. Këtë shkollë ata e kryen në Voshtinë. Një arsimim kaq i gjatë në ato vite ishte shumë, biles shumë fare. Djali i madh Ajdini u arsimua për Ekonomi, ndërsa i vogli, Reizi, për bujqësi. Djali i madh hapi dyqan në Tepelenë dhe aty punoi deri në vitin 1925 deri sa vdiq, duke lënë tri vajza të varfera. Reizi në moshën 18 vjeëare ( lindi në mars 1890) i arsimuar mirë, për kohën. U largua në Amerikë dhe u vendos në Boston në 1908. Aty bie në kontakt me shumë figura të shquara atdhetare të arsimuara në Bukuresht e vende të tjera. Ishte koha kur mbi shpatulla të Shqipërisë vërtitej "korbi i zi" që kish si qëllim coptimin e saj. Vetvetiu apo nga inspirimet e figuarave të mëdha shqiptare ndjenjat kombëtare rriteshin me shpejtësi të pa imagjinueshme. Këto ndjenja doemosdo pushtuan dhe u rritën dhe në shpirtin e Reizit, i cili në vitin 1909 bie ne kontakt me Fan Nolin. I gjatë , brun , me një shikim zhbirues, me pamje shumë tërheqëse dhe i shkathët, me arsim, siç duhet tërhoqi vëmëndjen e Nolit dhe të bashkëpuntorëve të tij dhe mbeti në "shtabin" e tyre. Reizi ishte i antarsuar në shoqërinë" Besa-Besën". Jemi në fundin e Perandorise Osmane në Shqiperi. Mirëpo, po pergatiten pushtime të reja për të. Në këto kushte , shoqeritë shqipëtare në Amerikë ( të cilat ishin të shumta) filluan të viheshin në lëvizje për tu bashkuar në një të vetme në mënyrë që aktiviteti dhe ndima e tyre të ishte sa më e madhe. Takimi bazë zyrtar për këtë punë, është mbajtur me 24 dhjetor 1911 dhe do të shoqërohej nga disa të tjerë deri më 12 prill 1912, kur shoqëria "Besa-Besën", "Flamuri i Krujes", dhe "Dallandyshja", të cilat udhëhiqeshin nga Noli, Konica, Floqi, Paskal Aleksi do të finalizonin krijimin e një shoqërie të vetme e cila e mbajti emrin "Shoqëria Vatra", sipas propozimit të Nolit. Reizi duke qenë se edhe në " Besa-Besën" kishte detyrën sekretar-arkëtar edhe këtu te "Vatra" u caktua po kështu. Kuptohet që këto detyra beheshin pa shpërblim. Sipas udhëheqësve të “vatrës” kësaj shoqërie i dilnin detyra shumë të mëdha për atdheun e tyre, sepse po përgatitej Lufta Ballkanike (që filloi në tetor 1912) ndërkohë që do të shpallej pavarësia në 28 nëntor 1912. Një nga veprimtarët e shquar që sqaronte emigrantët për domosdoshmërinë e ndihmave ekonomike për atdheun, ishte Reizi. Ai sqaronte në grup njerëzish, apo në njerëz të veçantë se shteti i ri Shqiptar duhet të kishte fonde dhe keto fonde do të grumbulloheshin nga emigrantët e Amerikës, deri sa shteti të fillonte  të funksiononte. Për të ngritur në nivel sa më të lartë dashurinë për vëndlindjen viheshin në skenë pjesë të shkurtra teatrale Shqipëtare. Reizi jo vetëm merrte rolet kryesore, por mobilizonte të tjerët të merrnin role në këto pjesë. Një punë të konsiderueshme ka bërë në grumbullimin, ruajtjen e administrimin e ndihmave ekonomike, por dhe në lindjen dhe zgjerimin tek bashkëatdhetarët e bindjes që duhej dhe një bandë muzikore e cila do tju shërbente shqiptarëve në të gjitha aktet ceremoniale. Kështu në 1917 nga trupa vullnetarësh u themelua "Banda Vatra" e udhëhequr nga Prof. Thoma Nasi. Aktivitetet nuk do të bëheshin ashtu, të pa dukura, por shumë të dëgjuara dhe të para, në sajë të ekzekutimit muzikor që bënte "Banda" nën drejtimin e Prof. Nasit. Sakaq , të kthehemi te idetë copëtuese mbi shqipërinë të përcaktuara nga fuqitë e mëdha në Londër në 1915. Midis të tjerash kërkoj që Vlora dhe rrethinat (bëhet fjalë për gjithë Labërinë) do ti aneksohej Italisë. Ky oreks Italian filloi të zbatoj që më 16 maj 1916, ku me urdhër të komandës së pushtimit Italian nuk lejohej ngritja e flamurit Shqiptar mbi objekte ose shtëpi banimi dhe me 20 gusht 1916, ngritja e flamurit u nxorr jashtë ligji. Zbatimi ngjalli shumë revoltë te banorët e kësaj krahine, duke filluar që nga Tepelena e deri te prefektuara apo bashkia e Vlorës. Ata u organizuan në demostrata të fuqishme (sipas Sali Hallkokondit në botimin e vitit 1923), mirëpo u pasua nga arrestime dhe internime nga ana e pushtuesit. Reizi merr lajmin se vëllai itij tregetar ne Tepelene dhe nje aktivist tjeter i shquar i ceshtjes kombetare, Ajdini, ishte arrestuar dhe internuar sepse kishte organizuar grumbullimin dhe djegjen e flamurve Italianë të vendosura nga komanda pushtuese , mbi dyqane dhe ndërtesa, në vënd të flamurit Shqiptar, në Tepelenë. Ishte hera e dytë që arrestohej dhe interrnohej Ajdini për të njëjtin problem, në fillim në 1913 për flamurin Grek (me 6 muaj) dhe tani për flamurin e pushtuesit italian internohet në Sazan. U vinin ndoshta në mëndje vargjet e këngës për gjyshin e tyre, Teno Begës: "Teno Beg' çepe zi,/ Plumbi e mori mbi sy”- dhe gjaku u vërshonte vrullshëm nëpër deje ashtu si mbarë djalërisë Shqiptare për të ushqyer mëmën e tyre Shqipëri. Vatranët mblodhën të tjera ndima dhe bënë shumë sakrifica për të përballuar lëvizjet diplomatike të krerëve të tyre nëpër Evropë dhe në Amerikë. Vargjet "embelmë" janë në gojën e tyre; " Mbahu nëno, mos ki frikë,/se ke djemtë ne Amerikë". Pikërisht këta mërgimtarë ju gjenden Shqiperisë në 1920 në Vlorë, erdhën nga larg! Bashkë me ta edhe një nga propoganduesit e luftëtaret e palodhur për çështjen Shqiptare, Reiz Nure Bega. Politikanët dhe diplomatët Shqiptarë kishin bërë të qartë popullatës, se fuqitë e mëdha kishin firmosur copëtimin e shqipërisë. Me e zellshme për të zbatuar këtë traktat u tregua Italia fqinje, e cila menjëherë siç e përmëndëm filloi aneksimin e Vlorës dhe tërë krahinës së Labërisë nën qeverinë e saj. Kështu që mllefi për të (Italinë) ishte bërë mal dhe nga të gjitha territoret Labe dhe nga diaspora u grumbulluan mijra e mijra luftëtarë , nën komandën e burrave më të stërvitur betejash, filluan luftën më 5 qershor dhe me 5 shtator 1920 e detyruan Italinë që bashkë me hartat e akademikëve të saj, të largoheshin ndoshta për tu dukur me vonë. Në keto perpjekje dhe luftime te pazakonta morën pjesë edhe Ajdini e Reizi. Pas lufte gjërat filluan te rridhnin më qetë për popullatën, e cila me mund e djersë filloi riciklimin ekonomik familjar me idenë për të kapur nivelin e viti 1913-1914 kur u zhurit tërësisht nga ushtria Greke. më 1925 Reizit i vdes i vëllai, Ajdini, që jo vetëm kishte marrë pjesë dhe ishte shquar në luftëra për vatanin, por ashtu si Vatranët ngaqë ishte tregëtar dhe kishte mundësi ekonomike, kishte financiuar këto luftra me armë dhe municione. Gjëndja e Reizit u rëndua nga ana ekonomike sepse i mbetën edhe tre fëmijet e vëllait. Ashtu pa hequr veshin dhe syrin nga flamuri ndërtoi përsëri kapital të mire për familjen e tij. Për veç tregëtisë, ai ndërtoi pemëtore dhe vreshtë dhe një tufë të madhe me blegtori. Aty nga vitet' '40 të shekullit të kaluar ai ra në kontakt me idetë komuniste të cilat si shumë të tjerë i konsideroi si më të mirat dhe me shpresë për Shqipërinë, duke u aktivizuar familjarisht në zbatimin e tyre. Përpjekjet për të dhënë sa më shumë kontribut, bënë që shumë shpejt Reizi të vlerësohej si njeri me vlera të veçanta dhe të drejtonte fshatin Lekdush e të merrte pjesë në të gjitha organet e zgjedhura që drejtonin Kurveleshin. Me njëherë pas çlirimit, kur të gjithë  menduan se lufta mbaroi, bashkë me ta edhe Reizi, Për  Reizin ishte fillimi i një lufte të gjatë pambarim, e tmerrshme, e frikshëme për këdo, e pa imagjinueshme dhe e pa besueshme, nëse do të dëftohen të gjitha betejat e asaj lufte nga të cilat nuk fitoi asnjë deri sa mbylli sytë, më 1972. Po pse ndodhi lufta e madhe, pse ndodhi lufta e gjatë, pse ndodhi lufta e humbur? Reizi kishte tre femijë, dy djem dhe një vajzë. Djali madh i tij, Bega, mori pjesë në formacionin luftarake  partizane, ndërsa vetë Reizi ne formacionet teritoriale. Ngaqë Bega ishte i arsimuar, pas çlirimit, që faktikisht s'duhet thënë kështu, caktohet me detyra të rëndësishme në divisionin 5 të ushtrisë shqiptare. Që këtu i organizohet arratisja nga sigurimi i shtetit, në janar 1946, dhe përfundon në SHBA si punonjes i këtij formacioni. Familja asnjë njoftim. Pyetje, e pyetje e asnjë përgjigje, nga askush! Ҫ'u bë djali , ishte pyetja që s'mori përgjigje, por që shkaterronte dalëngadalë nga brënda, atë që se vuri syrin në gjumë, e se vuri mëndjen në punë, pa menduar për 40 vjet rresht, për flamurin, për Shqipërinë, Reiz Begën. Ne vitin 1948 thirret Reizi dhe i komunikohet: " Djali juaj Bega ka tradhëtuar! Ju tani do te quheni familja e tradhëtarit!" Këtu filloi lufta e madhe, lufta e gjatë, lufta e humbur! Reizi ecte tani ç’do ditë duke thithur sa më shumë tymin e duhanit, e pa kuptuar asgjë. Thoshte me vete: ky është prodhimi i luftës tonë, tre breza në luftë?! Njerzit filluan të mos i flisnin. Nuk thirrej më në mbledhje e në kuvende! Ҫ’do njëra nga këto ishte një e shtirë me pushkë mbi shpirtin e tij. Duhej t'ja pushkatonin shpirtin dhe ashtu bënë! Dorëzoi në kooperativë: Pemëtoren, vreshtën, tufën e madhe të bagëtive, qetë e punës, pra kapital më shumë se të tjerët, por "babë tradhëtari"! Asnjë lajm akoma se ku ishte " tradhëtari", po afronin vitet 60-te. Reizi thithte llullen dhe shprehej ne muhabete te ngushta: Gjyshi në luftë, baba në luftë, unë e vëllai në luftë, djali në luftë dhe tradhëtare?! Mirëpo kështu ishte, tradhëtare. Nuk e flisnin me ne dasma, nuk u vinte mirë që e shkikonin, atë burrë muhabeti, nëpër oda, kur kishte vakira, prandaj u kufizua vetë. E larguan nga dasma sepse ishte me "përbërje të keqe" kur një njeri i tij martoi djalin! Djali tjetër trajtohej si vëlla armiku. Edhe me luftra dhe përpjekje të kishem bërë e këtë luftë të mos kishim hequr, në këtë luftë jam i vetëm dhe duart i kam të lidhura-thoshte Reizi, tani reth të 80-ve! Ai mbylli sytë pa e ditur c'ju bë djali, pse tradhetoi, ai mbylli sytë në mjerim dhe vetmi të thellë. Ata pak njerëz që e vizitonin në shtratin e vdekjes u dukej se shikonin të shtrirë një luan që kish marrë shumë plagë, por atë më të madhen dukej sikur e kish aty, në gjoks, se kur gulçonte, atje e vinte dorën. Na vajti jeta dëm, me vajti djali dem: shprehej në shtratin e vdekjes. Ashtu vërtet! Familjen e Teno, Nure, Ajdin e Reiz Begës per 45 vjet e mbuloi hija e tradhëtarit, hija e armikut dhe jo vetëm që s'u përmëndën ndonjëherë si luftëtare të çështjes kombëtare, por u përçmuan dhe syrgjynosen deri në kufijtë e të pabesueshmes. Ashtu si shumë familje të tjera atdhetare, mbarën verë, por s'pine as ujë!.