loader
Loading...
EDITORIAL
1 vit më parë

EDITORIAL

Nga Aida Lami

Muaji Shkurt, muaji i dashurisë ku për një ditë ndjen që dikush të do. Por a është normale të ndjehesh e dashuruar vetëm një ditë ndërkohë që ditët e tjera të vitit kalojnë mes vuajtjesh, dhimbjesh dhe lotësh dhe askush nuk e kupton se sa i plagosur është shpirti yt. A është normale që të shikosh shoqet e tua se si vishen, dalin, lodrojnë me familjet e veta dhe ti të vuash pse nuk je si ato? A është normale që ti kurrë në jetë mos të dëgjosh një fjalë të mirë dhe ta dëgjosh atë pikërisht atëherë kur as vetë nuk e beson sepse ke arritur në atë pikë sa vetja të duket e tepërt dhe akoma sot nuk po e kupton arsyen se përse jeton. Por a është normale të ndjehesh në këtë mënyrë? A duhet zemra e një femre të vritet kështu? A duhet të dëgjojmë fjalë të bukura vetëm me 14 Shkurt? Sa ditë të vitit lahen me lotët dhe gjakun e krijesës më të pafajshme në botë, sa shpirtra humbasin nëpër labirintet e jetës sepse askush nuk i kupton, as edhe vetë familjarët e tyre. Sa e keqardhur ndjehem për ato femra që shikojnë jetën që shpalos televizioni me emisione të cilat janë jashtë atij realiteti ku njerëzit jetojnë çdo ditë.




 Jam e keqardhur dhe e ndjej dhimbjen thellë në shpirt kur çiftet e reja nuk kanë mundësi të ndërtojnë çerdhen e tyre të dashurisë sepse kushtet ku jetojnë janë të pashpresa dhe duke pritur të piqen kushtet humbet dashuria dhe venitet ajo grimcë pasioni që po fikej dalëngadalë. Jam e keqardhur që sot rrjetet sociale mbushen me dedikime të cilat janë vetëm fasadë që bëhen për inat të të tjerëve dhe pse jeta e tyre është e mbushur me drama dhe vuajtje. Por nuk ka gjë. Mjafton në insagram, facebook dhe tik-tok të duken të lumtur dhe pse shumica që e duan veten janë ne trajtim tek psikolgu, tek psikiatri por pjesa tjetër që as nuk e kupton që ka arritur fundin marrin vendime drastike duke i dhënë fund jetës dhe duke lënë në dhimbje ato që i duan ashtu siç janë, prindërit, vëllezërit, motrat, fëmijët pikërisht sepse dikush nuk i fali atë që kishin nevojë.....Pakëz dashuri..Vetëm pakëz dashuri që të ndjeheshin të vlerësuara, të dashuruara, të luftonin për jetën e tyre dhe të mos dorëzoheshin aq lehtë. Në këtë muaj ku dashuria është në ajër nuk po zgjatem për të treguar se nga e ka zanafillën kjo festë ose kjo ditë. Këtë do e bëjnë televizionet me emisionet e tyre plot shkëlqim ku çdo vit vjen i njëjti rrëfim por që asnjë emision në botë nuk po arrin të sensibilizojë njerëzit dhe të bëjë atë që dashuria realisht bën: Të bëjë njerëz të lumtur, të krijojë familje plot vlera dhe ku më parë çiftet të duan shpirtrat e njëri-tjetrit pastaj pjesa tjetër vjen vetë. Uroj që muaji Shkurt çdo vit të vijë i bardhë dhe me femra dhe meshkuj plot shkëlqim që e duan njëri-tjetrin dhe bëjnë të pamundurën për të parë vetëm buzëqeshje në sytë e njeriut të zemrës. Ndoshta akoma nuk e kemi gjetur fjalën magjike se si t’i lutemi Zotit që ta bëjë këtë botë një vend më të mirë, por deri sa ta gjejmë falni dashuri, dhuroni shpirtin dhe duajeni familjen tuaj. Kërkoni ndihmë nëse jeta ju ka vënë përfund por kurrë mos lëndoni shpirtra të pafajshëm. Kam parë shumë njerëz të dëshpëruar të shpëtuar nga dashuria dhe besoj pa fund dhe sinqerisht ne forcën e saj e cila arrin të bëjë mrekulli. Pra falni dashuri, duajini shpirtin njeriut tuaj të zemrës dhe kurrë nuk do mundeni t’i bëni keq sepse do plagosnit dhe shpirtin tuaj duke bërë të vuajë atë që është futur në jetën tuaj si bekim. Bekoji o Zot të dashuruarit dhe uroj të shtohen këto dridhërima zemre që ky Univers që rënkon në peshën e të këqes të gjejë shërim


 

Une besoj.