Kuçi
shtrihet në amën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Ai kufizohet nga
gjerësia gjeografike 40° 14' dhe 40° 14' dhe gjatësia gjeografike 19° 45' dhe
19° 55'.
Kuçi ka një
sipërfaqe të përgjithshme prej 180 km² ose 350 km² sipërfaqe të
sheshtë. Kuçi ka 350 ha tokë arë, 77–80 km² pyje, pjesa tjetër është
sipërfaqe kullosëse malore, sipërfaqe të zhveshura e përrenjësh.
Kuçi është
620 m mbi nivelin e detit dhe 62 km larg Vlorës. Nga Kuçi në Vlorë shkon
duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç
24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë
47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km.
Kuçi është
një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës
së Kurveleshit, si nga sipërfaqja dhe nga popullsia. Në vitet 1431 Kuçi ka
patur 49 shtëpi me 180 banorë; në vitin 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë
ndërsa sot ka rreth 400 shtëpi më 3500 banorë. Në Kurvelesh janë përfshirë
fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Çorraj, Fterra që
bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm; Vërmik, Rexhin,
Nivicë, Gusmar, Progona, Lekëdush, Golem, Kaparjel, Kolonjë, Picar bëjnë pjesë
në Kurveleshin e sipërm. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit 1878 deri në vitin
1912, së bashku me fshatrat që janë sot në Kurvelesh janë përfshirë edhe
fshatrat Koron, Kardhiq, Humelicë, Fushë-Bardhë, Zhulat, Rrëzomë, Palavli,
Kalasë, Nivicë-Bubar, Shenvasil, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Borsh. Këto fshatra në
kohë lufte janë përfshirë në krahinën e Kurveleshit, ashtu siç ndodhi në luftën
antifashiste Nacional-Çlirimtare të vitit 1942-1944, ku këto fshatra u
përfshinë në një komitet krahinor me qendër në Kuç. Kuçi gjatë luftës së dytë
botërore luajti një rol vendimtar me rëndësi të veçantë historike në të gjithë
këtë krahinë dhe në krahinat përreth. Për këtë rol të veçantë u shpall edhe
fshat MARTIRE i Luftës së Dytë Botërore1) dhe i vendeve Martire e të Paqes në
Botë me qendër në Bolonja Itali. Kuçi, duke qenë edhe në kohët e vona
kryeqendër e Kurveleshit dhe e Labërisë, ku një vend të dukshëm mori tregëtia
me 13 dyqanet që kishte, bluarja e drithit dhe derstila me 12 mullinjtë, njëkohësisht
pazari e panairet janë zhvilluar në Kuç, por ato janë zhvilluar edhe në Himarë,
Delvinë, Gjirokastër e Vlorë, ku tregëtoheshin bagëtitë, punimet e artizanatit,
si sixhadet, velenxat, qylimat, punimet e drurit, si lugë, çibuqe, longare etj.
gurët e gdhendur, sidomos gurët e qosheve të shtëpive dhe ato të portave e të
dyerve, të cilat gdhendeshin me shije e mjeshtëri.Kuçi shtrihet në Kurveleshin
e Poshtëm, atje ku ka zanafillën e vet lumi i Shushicës, i njohur edhe me emrin
Lumi i Vlorës. Pikërisht këtu fillon lugina e Shushicës, një nga më të
rëndësishmet e Shqipërisë jugore, e begatë dhe e banuar qysh nga lashtësia.Pak
më në jug të Kuçit shtrihet qafa e Dërrasës, me lartësi 640m mbi nivelin e
detit, e cila ka rëndësi të madhe gjeografike e strategjike, pasi lidh Bregun e
Detit dhe rrethet Sarandë, Delvinë me luginën e Shushicës e rrethin e Vlorës.
Rruga Sarandë – Kuç është e gjatë 60 km dhe kalon në fshatrat Nivic-Bubar
15 km, Shenvasi 17 km, Lukovë 22 km, Sasaj 25 km, Piqeras
30 km, Borsh 35 km, Fterrë 45 km, Kuç 60 km. Përmes kësaj
qafe shkon rruga automobilistike në gjithë këtë anë të Shqipërisë Jugore.
Prandaj në këtë qafë dhe përreth saj janë shtjelluar ngjarje të rëndësishme
historike që nga koha e Gjolekës së Kuçit deri tek LANÇ, gjatë së cilës këtu
janë zhvilluar beteja të ashpra midis UNÇ dhe forcave armike pushtuese e
bashkëpunëtorët e tyre. Lugina e
Shurit në Kuç dhe gryka e Zarelit e lidh Kuçin me Kurveleshin e Sipërm
(Golemin). Kuçi nëpërmjet grykës së Shurit lidhet me rrugë automobilistike
(verore), me Gusmarin dhe me gjithë Kurveleshin e sipërm, rrugë e cila është e
gjatë 15 km dhe, po të ndërtohet përfundimisht është një nga rrugët
turistike më të bukura të vendit, pasi kalon në gjithë kanionin mahnitës të
Grykës së Lepushkës, përroit të Dushoberit e të Zarelit dhe përroin e Shurit që
zbret nga buza e Dervenit dhe Qafa e Gomarthit. Kjo luginë është shumë e
ashpër, e pjerrët dhe nëpër të në dimër mund të kalojnë vetëm këmbësorët. Në
këtë anë të Kuçit ka edhe qafa të tjera malore në lartësi 800-1000m, si Buza e
Dervenit e Qafa e Gomarthit etj, që e lidhin atë me fshatra të veçanta të
Kurveleshit të sipërm. Nëpërmjet
luginës së përroit të Kudhësit dhe qafës së Grashecit, qafës së Mretes e të
qafës së Shkallës (610m mbi nivelin e detit), Kuçi lidhet më rrugë këmbësore e
me kuaj me bregdetin e Himarës. Ky kalim hëpërhë është i vështirë por në të
ardhmen këtej mund të çelet një rrugë automobilistike, rreth 15 km e gjatë
që do të bashkonte në rrugën më të shkurtër Kuçin me bregdetin e Himarës. Ajo
do të çonte çdo ditë për banjë deti në bregun e bukur të Himarës, gjë për të
cilën do të mjaftonte një urban. Kjo do të jepte mundësi dhe për zhvillim në
terrenin malor të agroturizmit me klimë të pastër, e të gjuetisë së kafshëve e
të shpendëve të egra. Kuçi është
i rrethuar nga një kurorë malesh të larta: Papadhia me lartësi 1481m, në vendin
e quajtur Vali i Papadhisë është një vend i sheshtë me një fushë të bukur prej
7 ha ku ka kullota verore të dhenve e mund të ndërtohet një aerodrom i mirë për
aviacionin civil, ushtarak e helikopterat, ku mund të zhvillohet agroturizmi
dhe gjuetia e kafshëve e shpendëve të egra si: lepuri, kunadhia, thëllënxa,
pëllumbat etj. Mali i Papadhisë është ngjitur me malin e Golemit, (Gjoshnikoshi
1533m) ku ndodhet lapidari i Heroit të Popullit Temo Vasi dhe i gjashtë
kuçiotëve e një nga Golemi që ranë dëshmorë në luftë me nazistët në 2 tetor
1943, malet Shkage, maja e Shytit 1262m, Balçik 1467m, Zareli 1651m, në lindje
e në veri Valthi 1226m, maja e Mureve 1700,3m, maja e Kunjovës Pleshovica 1773m
që shtrihen përkatësisht në veri e lindje, mali i Bogonicës në perëndim (pjesa
e vargut të Çikës) me lartësi 1672m dhe mali i Çorrajt (mali i Shëndëllisë) me
majën e Gjinikut 1404 m i lartë ne jug. Këto male përbëhen nga shkëmbinj gëlqerorë
dhe shpatet e tyre bien pjerrtas mbi luginën e Shushicës e të Borshit
(rrjedhjet e sipërme). Pjesët e poshtme të shpatave zbresin në formë kodrash të
ulëta, të përbëra nga flishe (shtufe) e argjile. Ato janë të veshura me
shkurre. Pjesë përbërëse e relievit janë edhe luginat e lumenjve dhe përrenjve,
për të cilat u fol më sipër.