Pak a shumë prej 40 vjetësh kjo guaskë molusku ndodhet në shtëpinë e prindërve të mijë, është një relike kujtimesh, trazuar e gatuar me copra shpirti e historie. Sesi ka ngjarë që ajo është ngjitur deri atyre lartësive, këtë unë nuk mund ta rrëfej, nuk mund të them as se sa vite mbart ajo në koracën e saj. Por di të tregoj se cfarë është për mua… di me saktësi të them se ajo për mua ka qënë shtegu nëpër të cilin unë ndiqja në heshtje dhe me padurim një ëndërr… Një ëndërr që ishte e mbushur me një fllad të panjohur, që kishte aromë të paprovuar, dhe ngjyra që me doemos i ngjanin qiejve të mijë, por që nuk i prekja kurrë. Po të mbyllësh sytë dhe të lesh shpirtin dhe imagjinatën të të udhëheqin, mund të arrish përtej botës që njeh, që ke parë apo dëgjuar të flitet për të, jam rritur duke e ledhatuar mes gjishtërinjsh këtë guaskë e kam patur shoqe të mirë, unë kisha pyetje të pafundme të panumërta e mbase të pakuptimta. Por ajo ishte e duruar, dhe në fakt më përgjigjej vetëm në një mënyrë … kur kisha nevojë të merrja arratinë nga kreshtat e maleve, nga kupa e qiellit që mezi më nxinte brenda saj, unë mbyllja sytë, e afroja atë pranë veshit, merrja frymë thellë, dhe e lëshoja atë me shumë ngadalë. Dhe cfarë ndodhte… ndodhte që ajri i frymëmarrjes time, të futej në sipralen e grykës së saj, të dridhej nëpër të dhe aty ndodhte magjia, unë dëgjoja dallgët e detit, dhe rrija gjatë shumë gjatë brënda asaj ëndrre që s’mund të ma dhuronte asgjë tjëter. Të të japësh detin mes malesh, ja kjo guack ma ka dhënë mua. Por nga erdhi ajo në dorën time? Kjo është pjesa ku të ndalesh pak është e pamundur, për disa ndodhi duhet folur sa gjerë edhe gjatë. Ajo është një dhuratë në shenjë mirënjohjeje për mamanë time, për atë sadopak apo shumë ndihmë që ajo i jepte, poseduesit të fundit të saj, Laze Ndreut ose Xha Lazes siç njihet atyre anëve. Ai besoj se duhet të jetë figura më fantazmagorike që ka prodhuar kujtesa dhe sajesa kolektive e popullsisë së asaj krahine. Jeta është si kalldrëm, duhet të çapitesh me kujdes dhe guxim për në majë dhe një pakujdesi sado e vogël, të çon në fund të tatëpjetës, dhe të duhet të ngjitësh malin si Sizifi me gurin e rëndë të së përditshmes mbi shpinë. Por fatkëqsia dhe forca e shpirtit mesaduket vijnë në mënyrë përpjestimore në shpirtin e njeriut, sa më i pafat aq më i fortë bëhet ai. Dhe ai xha Lazja njeriu që të rriturit çuditërisht na kishin mbjellë frikën në kokë për t’u sjellë mirë sepse përndryshe ai do na ndëshkonte, ishte njeriu mesiluetën gri në të zezë që përshkonte rrugët e fshatit plotë dinjitet. Sa herë që ndodhte që të kthehej në shtëpi për të përshëndetur, në sy i fekste një buzëqeshje e sa e butë aq edhe e trishtë, dhe në xhep nuk i mungonte asnjë herë një kokërr karamele… të cilën ma zgjaste, ndërmjet dëshirës dhe ndrojtes, e merrja padyshim e stepur nga frika, dhe futesha sakaq dhe mbulohesha me çitjanet e zeza të nënës, por për habinë time karamelja ishte njësoj e ëmbël si gjithë të tjerat, ndërsa shikimi i tij ishtë bërë ku e ku më i paqtë. Aty në të dalë të fshatit ndodhej streha e tij, të cilën thuhet se e pat ndërtuar i vetëm, sepse krenaria e tij i mbushte dhe i përmbushte kushtet për t'ja dalë mbanë. Për shumë e shumë kohë ajo copëz nga vendlindja ime më është dukur një botë më vete, sepse në fakt thonë se ai kishte një botë krejt të tijën të cilën askush nuk mund t’ja cënonte dhe mesaduket aq më pak t’ja kuptonte. E kam krahasur me kështjella, me qytet shtete, me piramidat e Gizës (sepse pas ikjes së tij, ne të vegjlit e eksploruam mirë ë mirë atë vendbanim( i cili duhet të kishte mbetur i paprekur) dhe as më shumë as më pak por aty gjenim mini thesare te vogla gjithë farë objektesh deri tek polaroid fotosh. Por sot jam e bindur nuk ishte as kala, as piramid, është mali i Olimpit ndërtuar me gurët e mëdhenj e të bardhë si perla të egra, të latuar veç me dy duar. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe të ndërtosh shtëpinë në “Olimp” duhet të jesh Zot i zoti…që të jetosh mes të zakonshmve pa qënë i detyruar të shpallësh madhështin, me fjalë , por me mure guri. Dhe vitet rrodhën, sot unë me guaskën kemi zbritur nga mali, unë e pashë detin, ajo jo më, i trishtë dhe i pakuptimt udhëtimi i saj… dhe u jam mirënjohëse të dyve, u dashurova me dallgët pa i parë ato…Ndërsa xha Lazja thonë se shpëtoi, por unë nuk jam e bindur, nëse ata që ikin nga kjo botë shpëtojnë, apo ne që mbetemi jemi të shpëtuarit. Megjithatë shumë pak nga prej nesh lenë mbrapa një histori për tu rrëfyer.