loader
Loading...
POEZI
1 vit më parë

POEZI

(Kushtim për brezin tim...)

 Shokë të mi, të fëminisë

Juve,ndoshta sot shpërndarë jini nëpër botë

Ndonjëri... mbase nëpër qiell ecën

Por dashurinë time e ka, si të ish këtu, në tokë

Dhënë mbas halleve të jetës, kohës diku

Ju, mbase edhe më kini harruar

Por unë s’ua marr për të keq

Se e di

Të njëjtin kryq dashurie, që kishim,

Mbajmë prapë nëpër duar!

Kini humbur të dashurit, prindërit,

Oh! Ndoshta si unë.

Megjithëse, uroj ti kini (në zemër) gjallë

Në mos më shumë, zgjoini kujtimet e tyre

Si atëherë kur,

Nuk kishim shumë, por me ta, ishim pranë.

Shokët e mi të fëminisë, të shkollës, kohës

Shpërndarë si zogj udhëve të lodhshme të jetës

E di se, ëndrrat u ndoqën, a i ndoqët pas

Por kthimet gjithsesi,

Mbeten stacionet e arta, të së vërtetës!

Shokë të mi, unë një letër malli nis,

Për të gjithë ju..

Ca vargje kushtimi, aty do ti gjeni

Mbase shumë nuk janë, por sidoqoftë

Duhen siç u duhet mushkërive, oksigjeni!

Kudo që të jini, një lutje e kam

Paçi, Zotin akoma më pranë..

Ninullat e djepit, këngët e vëndlindjes...

Trojet, pragun e shtëpisë, varret.

Dhe... shpresën,

Ah’! Shpresën, atë e paçi, më të gjallë!


ËNDËRR E PAMBARUAR..

 Takimi me Ty, mbeti një ëndërr

Përsëri, kilometrat e mallit e lanë të tillë

Kur të zgjuhesh befas një ditë

E di, do të jesh

Trëndafil i çelur që,

Vargut tim do ti shtosh një rimë.....!

Do më pyesësh, nëse të dua përsëri

Ashtu, thjesht si dikur.....

Edhe pse koha ka ecur e në thinjat e mia

Ti, mund të lexosh si në një ditar

Premtimet, brengat, plasdarma

Që  mbeten, ndoshta,

 Na lidh,si e vetmja urë!

Ditar, që edhe kilometrat e pritjes aty,

Të gjitha janë shkruar

Trishtimet e mia, kotesite,stinët që nxitojnë

Në  një ceremonial eterik,

Patjetër, për të mos u harruar

Unë e di se, takimi me ty mbeti një ëndërr

Që ftilllohet çasteve çdo ditë.

Fluide është në ty gjithçka,

Pritja e gjatë, shtegtimi kontinental i zogjve

Pjalmimi pranveror, dehja orgjike e lumenjve

Udhëkryqeve pritja e lodhur                                                                             

 Më pak rimel tek sytë.!


SHKEL* PRANVERA

 

 Shkel pranvera lehtë, mbi livadhe

Ç'e bleroi mendimin tim!

Të kërkoj mimozë e çelur

Kjo pranverë nuk paska çmim!!!

Një burim në rrëzë mali

Shtoi rrjedhën edhe pak

Një fill bari kur u rrit.?!

Manushaqet, zënë në çark!

Shkel pranvera mbi çati

Fllad mëngjesi ngrihet lartë

Gulshon gjaku nëpër vena

Ja dhe t’i që vjen pas pak...!

Lehtë mbi brengat e shpirtit tim

Ç’më sajdisi kjo pranverë

Në Golgotë, si Davidi

Aty jam dhe këtë herë.

Pastaj, stinës nisem prapë

Një bajame tej ka çelë

Nga shtegtimi, vijnë ca zogj,

Ndoshta, një letër ma kanë sjellë...

Erë e gjethit si një vals

Prej Vivaldit këtë radhë

Më zgjon kujtimet në fundmars

Për ca brenga që s'u thanë...

Shkel pranvera edhe tek varret

Përmbi pllaka një puhizë

Diç i thot dhe nënës time

Tek vështron nga një kornizë!

Shkel pranvera gjithandej

Dhe ca derte ç’i shtyn tutje

Ca bilbila këngën e zunë

Se pranvera ka dhe huqe.



FILOZOFIA IME


 

 

 Pse jam vetëm, nuk e di

Dhe, sdi nëse një shkop duhet të mbaj

Në oxhakun për karshi

Ca shkëndija zjarri, gjithnjë i bëj me faj

Shpesh herë ndihem në siklet

Vajzat e bukura, a gratë nën moshë

Më bëjnë të mendohem, të matem t’u flas

Më bëjnë të nervozohem...

E ndonjëherë, edhe gazit t’ia plas

Kam qenë i urtë, siç edhe tani

Kam pasur me dhjetra raste për flert

Si një lastarë ndanë udhës

Ku shkojnë mijëra këmbë

Kam dëgjuar llafe, fyerje, lavde

Surrealizma më shpesh

Por gjuhën kam kafshuar me dhëmbë

Kam këshilluar veten, hesht....!!!

*I florinjti* rast për karrierë

Mëse njëherë, më ka vizituar

Por unë *paçet* i kam bërë

Dhe, pikërisht të parët

Shefat e mi janë keqkuptuar

Pastaj bëra me njerëz,

Këmbeva mendime

Nuk urdhërova kurrë,

U luta dhe besova në një Zot

I këshillova përmbajtje vetes time

E mësova filozofinë...

Jeta, shtrihet në fjalën Sot!

Unë e kuptova sapo fillova të thinjem

Se në jetë kemi plot stacione

Ku të zbresim, të mësojmë

Argëtohemi a rrijmë...

Filozofia ime, thjeshtë                                                                      

*vendos veto* Dashurinë....!


 FSHATRAT LABE

 Rrijnë fshatrat labe, si zota prej guri

Sipër maleve që kan shaluar

Si gur të hedhur me hobe

Grup polifonie, që kënga rrjedh e vete shtruar

Si një cop fustanell e mbetur

Që valvitet me simptoma të vakëta krenarie

Lugjeve nuk kullosin më dele

Por balada dhe vargje të trishtuar elegjie

Jan bër modern!

I hoqën edhe themelit e vjetra

Edhe pse gushteve bën ftohtë njësoj

Njësoj ther edhe reumatizma në eshtra

Jan mpakur, si pellgjet e ujit

Si plagë që dhembin pa zë

Të shkoj apo jo?

Një dëshirë e kahershme ka mbetur

Më kujton, e një dridhje e lehtë të qetë, s’më lë

Porsa të ulesh në gjunj

Ndien si lëviz gjaku nëpër damarë e rrema

Këtu edhe gurët e rrugës më njohin

Po i shkele njëherë, të hapin dyer dhe zemra

Shën Mihali, aty bleroi ca livadhe

Ca pyje të lartë me blinj e mimoza

Shën Nikolla që herët në pergamenë

Na la një amanet, dhe ca fjalë                                                                 

 Hapni sa më shumë shkolla!!

 

 

TI JE LIBRI IM I SHENJTË


Këtë vjeshtë, gjithçka ikën penduar

Gjethet që bien, mollët në degë

Ullinjtë akoma pa bërë

Nënokja ime e dashur, të gjitha shkuan

Mama,ti lutjen time të fundit se dëgjove

Në fundgusht ike si një fillim vjeshte

Klorofili jetonte gjetheve akoma

Por ti, shtegun të ikje larg…

Sikur kërkoje pareshtje!

Nënoke, lutjen time se dëgjove

Të vetmen në fund të jetës, në skaj

T’i, që na përktheje cicërimet dhe heshtjen e zogjve

T’i, që dimrave me dashuri na ngrohje si në maj

Të mos u bëhem barrë thoje gjithmonë

Po cilin avjon more për në qiejt e thellë...?!

Lart, tek zoti ku ke shkuar...

Si e kalon ditën...mamaaaa..?!

Vallë, ta sjell ndokush kafenë..?!

Mama...!!!!fjalë që më dhemb kaq shumë

Lumenjtë e lotëve që ditëve derdh,

E di, sikur ti, ta dije...

Vrapin do e lije tek unë...!

Mama,kokën ma uli kjo gjëmë

Shpirtin dysh si rrufeja lisin në këmbë e çau...

Lutjen s’ma dëgjove, mama..

Kjo vjeshtë e parë ..

Kështu, kaq befas...si mundi, na ndau..?!

Ti ike mama,si një vjeshtë e butë...penduar..

S’iç ikin retë për të liruar pak qiell,

Mama, ti je Tempulli...

Që më ule në gjunjë....

Ti je: Bibla ime nën këtë diell...!