Se kur është hapur shkolla në fshatrat tanë, nuk kemi të dhëna
shteruese. Bëhet fjalë për shkollat turke. Turqia, si çdo pushtues, ngutet të ndërtojë infrastrukturën e saj, infrastrukturë pushtuesi. Pushtimi i trojeve ishte kryer, më zjarr dhe hekur, me djallëzi dhe mashtrim. Tani duhej të nënshtrohej edhe shpirti i të pushtuarve.
Një diplomat evropian, kur vendi i tij, ishte në prag pushtimi nga dy vende kufitare, armiqësore, e pyetën se ç’ndjente për këtë gjë, ai u shpreh:
“Njëri nga këta armiq, kërkon të na pushtojë tokat, ndërsa tjetri, që është armik mbi armik, veç tokave, kërkon të na pushtojë edhe shpirtërat. Truallin, me hir a me pahir, do ta çlirojmë një ditë, por pushtimi i shpirtit është më i rëndi dhe kërkon shekuj që të çlirohet.”
Kërkon të asimilojë besimn, zakonet dhe traditat, gjuhën dhe folklorin, emrat e njerëzve dhe toponiminë. Këtë e kishte bërë pushtimi sllav më parë.
Kur u spjegonim nxënësve, bie fjala, se shumica e emrave të vëndeve, në dy fshatrat tona, por edhe në fshatrat e tjerë të Labërisë, e më tej, ishin me origjinë sllave dhe për këtë dëshmonin prapashtesat, - ic, si: Nivicë, Këndrevicë, Trushnicë, Kozicë, etj. ov, si:Sharovë, Munariovë, Kalanjovë, Medarovë, etj, apo parashtesa za, si:Zagovë, Zagjeç, Zabërdie, etj., u thoshim se pushtuesi kishte shekuj që kishte thyer qafën, por të keqen e kishte lënë pas, si helm gjarpëri, për të helmuar edhe shekuj më pas, gjuhën tonë, fjalën e bukur, emrat e lashtë ilirë. Nëse sllavët na përçudnuan toponiminë, turqit, e bënë këtë me emrat e njerëzve. Kështu, nën diktatin otoman, të posalindurve, me detyrim, u viheshin emra
turqisht, duke hequr dorë me dhunë nga emrat e bukur ilirë, si: Genti, Teuta, Donika, Ilir, Liri, Piro, Briken, Bardhi a Bardhyl, etj. Kjo bëhej me qëllim për të asimiluar gjithçka të identitetit tonë. Fëmijët dëgjonin në heshtje dhe ndonjërit i dilte nga shpirti, një thirrje e mbytur dhe trishtuese” Armiq të egër paska patur ky trualli ynë, o mësues!”
* * *
Sipas Sami Frashërit, aty nga vitet 1750, të shek. XIX, në kazanë e Tepelenës, kishte gjashtë shkolla turke dhe katër greke. Përmëndet aty edhe shkolla fetare e Nivicës, (mejtepi). Hapja e shkollës turke për fshatrat Nivicë-Rexhin, u var shumë nga ndërtimi i xhamisë. Aty do të zhvillohej mësimi i fesë. Çdo fshat kishte xhaminë e vet. Xhamia e Nivicës dhe ajo e Rexhinit janë ndërtuar thuajse në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtët ustallarë, por projekti ndryshonte nga njëri-tjetri.
Xhamia e Nivicës ishte një godinë solide, ndërtuar në vënd të shtruar, truall i fisit Shehaj, në anën juglindore të fshatit. Para se të shkoje në dhomën e madhe, ku kryheshin ritet fetare, do të kaloje mespërmes një hajati, në dy anët e të cilit ishin dy sofa të mëdha. Xhamitë, si e Nivicës dhe e Rexhinit, kishin minaretë, ku ngjiteshe brënda saj, nëpër shkallë të ngushta guri, derisa dilje te vëndi, ku hoxha këndonte salanë çdo aksham apo syfyr. Para xhamisë, ishte sheshi, që u quajt Sheshi i Xhamisë. Sheshi, në mot të mirë dhe hajati, kur binte shi a dëborë, shërbenin si mjedise, ku pushonin a loznin fëmijët. Shpenzimet për ndërtimin e xhamive, më së shumti janë bërë me kontribut detyrues të banorëve, Ata do të nxirrnin gurin, do të digjnin gëlqeren e do të siguronin qerestenë. Guri për xhaminë e Nivicës, është nxjerrë në kavot para kalasë. Aty ka qënë nxjerrë edhe guri për ndërtimin e kalasë madhështore për kohën, shekuj e shekuj më parë. Çdo familje, sipas një grafiku të caktuar, do të siguronte ushqimin për ndërtuesit dhe çdo mashkull mbi 15 vjeç, do të kontrbuonte fizikisht me punën e tij. Kjo, rreptësisht e
kontrolluar.
Xhamia e Nivicës duhet të jetë ndërtuar para viteve 1840-50, të shek. XIX. dhe ka shërbyer si mejtep, (shkollë turke) deri në vitet e Pavarësisë, ndërsa si xhami për ritualet fetare edhe shumë vite më vonë. Pastaj në vitet e diktaturës, si për çdo institucion fetar, edhe mbi xhamitë, ra dora e pamëshirshme e diktaturës, duke ua hequr funksionin e tyre të edukimit fetar, por edhe i degradoi në atë farë feje, sa xhamia e Nivicës, u kthye në magazinë e kooperativës bujqësore, ku magazinoheshin prodhime bujqësore e blektorale. Sot xhamia, në kuadrin e projektin “Nivica, si fshat turistik”, është restauruar pjesërisht, por ka shumë për të bërë në këtë drejtim, jo thjesht si objekt kulti, por edhe si në shënjë e historisë.
Krijimi i “Lidhjes Kombëtare të Toskërisë”, në Janinë, më 1880, i dha një zhvillim të madh lëvizjeve patriotike. Qysh në maj 1877, Myslim dhe Ibrahim Vasjari, nën drejtimin e Abdyl Frashëri, themeluan Komitetin Shqiptar të Janinës, me përfaqësues nga
Gjirokastra dhe kazaja e Tepelenës. Detra kryesore ishte të rritej ndjenja patriotike dhe mësimi i gjuhës shqipe. Që më 1903-4, Shuko Dalipi kishte bërë një punë të madhe duke u mësuar në shtëpitë e tyre dhe më pas, në shtëpinë e tij, alfabetin dhe shkrimin shqip, të të rinjve, të cilët, si ajo toka e thatë, që kërkonte ujë, edhe mëndja e tyre kërkonte, ndriçim dhe dije. (Irfan Ceka, “Nivica përtej historisë së njohur”, fq. 154)
Kishte ardhur çasti fatlum i hapjes së shkollës shqipe edhe për Rexhinin dhe Nivicën.
Siç e kemi thënë, godina e xhamisë, u bë edhe godina e shkollës. Shukua me 30-40 nxënësit e tij, mësimin do ta zhvillonte aty, në turnin e dytë, (mbasdite), pasi hija e hoxhës mësues ishte ende e rëndë e mospërfillëse, ndaj mësuesit dhe e rreptë ndaj fëmijëve, që pak e nga pak, po braktisnin shkollën turke. Kjo ndodhte edhe nga presioni dhe kërcënimi, që bënte me njëmijë mënyra, administrata turke, që ndonëse kishte lejuar hapjen e shkollës shqipe, prapë vinte shkopinj nën rrota për ta sabotuar sa të mundte, mësimin e shqipes. Çize Rusto, që kishte bërë mejtepin, me shumë moshatarë të tij, na ka treguar se sa hapi Shukua shkollën, ne me, pahirë shkonim te mësuesi hoxhë dhe më të shumtët e ditëve, mungonim, por edhe fshiheshim, që të mos na gjëndte hoxha i shoqëruar nga asqerët.
Mëndjen na e “kishte marrë” abetatarja e Shukos.
Në mëngjes, kur fillonte mësimi i fesë, ishte një torturë e vërtetë. Hoxha turk kthehej në përbindësh. Na kontrollonte çantat, se mos kishim ndonjë abetare shqipe, se pastaj bëhej qameti. Ne e fshihnim abetaren ku të mundnim, por një ditë u bëra viktima e radhës. Ma gjeti poshtë trikos së leshtë, Më rrahu, sa u lodh. Në fillim më dhjetë dacka(pëllëmbë) në çdo faqe, më ngriti për veshi, havadan, (në ajër) dhe më kërkoi të thoshja përmëndësh disa syre të kuranit. Unë, nga të rrahurit, harrova edhe ato që dija. Atëhere vuri në veprim “artilerinë e rëndë”të ndëshkimit: shufrën e thantë, që ia kishim sjellë vetë. Më qëlloi në çdo pëllëmbë nga dhjetë herë. Edhe tani më duket sikur më djegin pëllëmbët.
Në shkollën turke, (mejtepin), bëhej mësimi i fesë, dhe sidomos mësimi i kuranit në gjuhën arabe. Bëhej shkrim këndim dhe matematikë Shumë nga nxënësit nuk arrinin ta mbaronin shkollën, pasi ishte një torturë e vërtetë. Ora e mësimit ishte e zymtë dhe rreptësia e mësuesit, përhapte panik. Mejtepi, më tepër ishte institucion propagande osmane, që kishte si pikësynim shkombëtarizimin e kombit tonë.
Ndëshkimet fizike ndaj fëmijëve, ishin elementet bazë të pedagogjisë orientale. Përsëritja e mësimeve deri në mërzi, i bënte fëmijët t’i largoheshin asaj. Shprehja “Druri ka dalë nga xheneti”, te kjo pedagogji i ka rrënjët.
Megjithatë, në këtë shkollë morën mësimet e para shumë patriotë e burra të shquar të Nivicë- Rexhinit, si:Balil Nesha, Hoxhë Rexhini, Sali Nivica, Shuko Dalipi, Jaho Karafili, Riza e Veip Runa, Kanan Maloçali, Hysni Duka, Mulo Kaçupi, Hadër
Mevlani, Arif Dalani, Duro Zyka, Velo Emini, Haxhi Skëndi Godo Myrdari, Zaçe Hasani Zagoll e Mehmet Bega, etj.
Në kujtimet e tij Riza Runa, thotë:
“Si gjithë fëmijët e asaj kohe, mësimet e para i kreva në fshatin tim, në Nivicë, nën kujdesin e mësuesit Kadri Hoxha, deri sa në moshë 11 vjeçare, përfundova mësimet turqisht me dhënien e provimit për njohjen e kuranit.”(Riza Runa, “Kujtime”
Xhamia e Rexhinit është ndërtuar, thusjse, në qëndër të fshatit, mbi një kodër të vogël, me vështrim nga të katër horizontet. Më i shquari nga hoxhët, që ka punuar aty, është patrioti hoxhë Rexhini, që duke u maskuar nën veshjen e hoxhës, kreu veprimtari të spikatur kundër pushtimit turk. Si hoxhë, vite e vite më vonë, ka shërbyer edhe Gani Alimemaj.
Xhamia e Rexhinit është tjetërsuar dhe nuk ekziston asgjë prej saj. Më 1972, u kthye në muze i fshatit, por u shkatërrua në vitet e zallahisë së madhe në vite ’90 dhe sot është ndërtuar një lokal shërbimi.
Xhamia e Rexhinit. Foto e vitit 1956.
Xhamia e Nivicës sot, në restaurim e sipër. Ndërtuar në vitin 1828.