loader
Loading...
POEZI
1 vit më parë

POEZI

KOKËN MBËSHTETA MBI XHAM


Të pashë në rrugë të menduar,

ndërsa shkoja në punë me urban,

s'e kuptova as vetë pse aq gjatë

e mbështeta kokën mbi xham.

Në familjen tënde s'më deshën,

pa zanat isha unë vërtet,

do të gjejmë një burrë, tha mamaja,

me diplomë të madhe në xhep.

Dhe të gjeti një burrë, moj Dhorka,

si ia deshi zemra asaj,

tani ecën në rrugë e heshtur,

kokulur si e zënë në faj.

Na u ndanë rrugët në jetë,

njëri-tjetrin ngjatjetojmë me zor,

ti më doje student në Tiranë

dhe u bëra unë minator.

Oh, ç'këndojnë këta shokët e mi,

hokatarë, gastorë në urban,

dhe në rrugë befas pashë ty

e mbështeta kokën mbi xham...

 


 ËNDËRR PËR DUART E TUA


Nuk përqafohemi më,

S’shikohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

M’u ulën mbi flokë si mjegulla.

Duart e tua paskan mbetur te unë,

Si hiri i zjarreve në shpella.

Nuk përqafohemi më,

Mallohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,

Si shirat e vjeshtës përzënë nga era.

Duart e tua paskan mbetur te unë,

Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera.

Nuk përqafohemi më,

Harrohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

Humbasin si ujërat.

Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…

Një jetë të tërë,

Pres të dalin prej meje duart e tua,

Të më qetësojnë mua.

 

 

PËRGATITJE PËR NJË UDHËTIM TË LARGËT…


Mora sytë e mi të lodhur dhe i futa në xhep,

Veshët i mbylla në një kuti hermetike të veshur nga brenda,

Do i nxjerr të shikojnë e dëgjojnë, vetëm po mbërrita në ndonjë ishull të shkretë

Ku luajnë natyrshëm dritat, ngjyrat dhe zërat.

Flegrat e hundës i mbusha me lecka e dyll,

Që të mos tundohen nga aromat e rrugëve dhe avujt,

Po kam një problem me gjuhën dhe me lukthin tim të mpirë,

Që duan fshehur në një qoshe të thellë e të lagësht.

Buzët e djegura nga puthje pasioni, mashtrimi,

Do i fus midis teshave, në fund të çantës së shpinës,

Të veçuara nga dhëmbët kafshues dhe nga qiellza e lartë e shijimit,

Nga frika e mëkateve që mund të na shfaqen tinëz.

Në mollëzat e gishtave vura gishtëzat që përdorte kur qepte nëna,

Kështu mund t’u ruhem tundimeve të prekjeve intime në një çast ligështie,

U vesha trashë jo nga të ftohtit, por që të mos dëgjohet si përpëlitet zemra,

Në këtë prag arratie.

Urdhërova këmbët të nisen për udhë, pa adresë, kuturu,

Po këmbët nuk binden, sikur kanë hedhur rrënjë në këtë vend origjine...

Koka gjëmon, duhet marrë nën sqetull dhe ajo gjithashtu,

Pastaj të vazhdoj rrugën time.

 



 ËSHTË VONË TË MË MUNGOSH

 Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.

Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.

Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha

Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?

Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,

Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,

Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,

Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.

Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,

Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

 Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,

Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.

Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,

Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

 Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.

Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.

Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe

E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

Është vonë të më mungosh, e dashura ime!

 

 

 

 

DIMËR PËR DIMËR E VJESHTË PËR VJESHTË

 

 Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë

Të kam kërkuar dhe më ke ikur,

Sa herë të gjeja s’di pse kam heshtur,

Sa herë më ikje s’di pse kam thirrur.

 Fytyrë ti s’kishe, as emër, as sy,

Hapin ta ndieja, po s’lije gjurmë,

Më shfaqeshe befas, vrapoja te ti

Dhe gjeja dritëhijen e pemëve në muzg.

 Në shtegun e natës, në agun e ditës,

Fytyrën tënde prej avujsh dhe ere

E gjeja në mijëra fytyra që prisnin,

E prapë ty s’të gjeja.

 Ç’ishte ky trill, kjo lojë, kjo fshehje,

Ditë pas dite e stinë pas stine?

Përplaseshim rrugës dhe prapë e paprekshme,

Humbje hapësirave dhe prapë intime.

 Si duket fëmijë kemi qenë pa e ditur,

Mister kemi bërë një gjë kaq të thjeshtë,

Ke ardhur – kam heshtur, ke ikur – kam thirrur,

Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë.

 


POSTA


Unë erdha i shkruar në barkun e nënës,

Një natë kur pranvera harlisej nga marsi,

Porosi e fshehtë postuar nga ati,

Mbyllur thellë si brenda një zarfi.

Atë natë ime më ish më e madhe se unë,

Si pemë që rrathët i rriten në trung.

Midis dy shekujsh, u rrita, u thinja,

Udhëtova me ëndrrat dhe këmbët e mia,

Në një tokë ku kërleshen revolta dhe bindja,

Urrejtja dhe dashuria.

Tashmë ime më është më e vogël se unë,

Si pemë e rrëgjuar që thahet në trung.

Një ditë, kur të iki, siç ikin të vjetrit,

Besoj do postohem sërish për diku,

Në vend të tim ati do jetë Shën Pjetri,

Në vend të nënës një pemë e bërë dru.

Tashmë ajo pemë është prerë për mua,

Dhe pret të më shpjerë në viset që dua.

 


SY TË KËQINJ


Më heton së tejmi, me qetësi të egër një sy i akullt,

Largohem t’i fshihem mes shkurreve të dendura, humnerave.

Ma përgjak fjalën, ma trishton ndjenjën, m’i këput krahët,

Më rreh me fshikujt e erërave.

Më rri përbri, ngrihet përmbi, bën dritë të keqe,

Kërkoj syrin tjetër, mos kushedi është më i ngrohtë,

E gjej si ngre gracka, çarqe, kurthe e leqe,

Të më rrëzojë në tokë.

E lakuriqtë qenka bota! Të fshehtat e saj qenkan profka,

I vetmi mister qenkam unë, plot me guva e pyje,

Flakur në këtë breg të ftohtë nga dallga e shqota,

Dënuar të copëtohem nga thikat e syve.