loader
Loading...
KENDI I POEZISE
10 muaj më parë

KENDI I POEZISE

Të pres!

Si thua do vish me mua?

Atje ka hedhur shtat lastari,

Duhet të jetë harlisur bari.

Të zbrazim të qeshurat,

E, të mbushim kanistrat me qershi.

Të të pres, do vish edhe ti?

Të grisim ferrave fustanet e paveshur.

Të qajmë me të qeshur.

Të digjemi me hithra, të mbytemi me ftua.

Të na trembim bretkosat në përrua.

Të lahemi pellgjeve ujë briskuar.

Të skuqur purpur nga ndroja.

Të na dërrmohen gjunjët nga loja.

Për një pikë ujë të na thahet goja.

Etjen ta shuajmë në gurrë,

gorricat t'i shtijmë me gurë.

Të duhemi lirisht nën shi,

Të mbajmë lehtas mëri...

Hë si thua, a vjen me mua?

Fushës të mbledhim të artët kalli.

Dielli të na zhurit në gji.

Të kafshojmë një të kuqe mollë,

E, lehtas të na kap një kollë.

Eja, atij mali të lartë që na përbuz me hije.

Ç'piqen të ëmbla, të kadifenjta ca kokrra lajthije.

Unë them të nisemi sa të gdhihet!

Nëse mendohemi ende, si dihet...

Eja t'i kthejmë fjalën atit,

Të përvidhemi monopatit,

Të dremisim në prehër të nënës...

T'i rrëfejmë sekretet hënës.

Të kapim xixëllonjat

Netëve të qershorit.

T'i bëjmë sterr të zeza duart

Me arrë në fund të shtatorit.

Pastaj të marrim çantat mbi shpinë.

Rrugës për në shkollë të skuqemi për dashurinë.

Të hamë ndonjë pëllëmbë, për detyrat e pa bëra.

Dhe për katrat, të qajmë me orë të tëra.

Pa më shiko drejtë e në sy!

Nuk të ka marrë malli dhe ty?!

Të shkosh ku dergjen të parët.

T'iu ndërrosh shtëpive trarët.

Të prehesh nën, të rrapit hije.

Të dëgjosh bëma "trimërie".

Hë si thua ikim bashkë?

Mbase nuk do mbesim jashtë...

Shtrat janë dhogat e shtëpisë,

Mbulesë është shtrati i hardhisë.

Dhe kur të bjerë e rënda dëborë.

Të mblidhemi të bëhemi një dorë.

Të hamë kulaç pjekur në vatër, në hi.

Të bëhemi kuluf të zi...

Gorrica. 

Përgjon, e heshtur, qyqare.

Shkund gjethet dhe rri numëron, 

Aty mbi varrin e nënës,

Në vjen njeri,  a në shkon...

Nëna ime e lehtë si pupël,

Një dorë shpirt, e shtat domosdo.

Herë - herë, si hënë në të ngrënë. 

E dojtë si dru shtogu ajo.

Seç më kish dy duar prej eshtre.

Vështrimin gremisur përtej.

Zërin një gjysmë puhize.

E lagësht, si stuhi vjeshte mandej.

Ti qenke këtu ku të lash.

Ndanë kësaj gorrice anuar.

Kam ardhur o nënë një cop herë,

Se për çdo stërrall jam malluar.

S'më ke trazuar më asnjë ëndërr.

Veç në vesh një zëth më jehon...

Enë moj çingane,

Ktheu këtu pse s'dëgjon!

Atje në shtëpizën tonë,

Nën këmbë, s'më rri më dheu.

Pa ngreu o nënë, ngreu!

Se sheh, ç'më dridhet uxhuti,

Si të jetë natë Shën Ndreu?!

 Mall !

Mua më thërrasin malet, malluar deri në eshtrën placë tharë

Dërrasës së kraharorit  për brinjë unë kam stërrall.

Gjaku im shqop e thatë e  ndez veç  një frymë

Ofshama, vullkan mushkërive,  më çjerr si sokëllim.

Malli, kërthi shkëputur grigjës vjeshtake

Gjoran i mbetur fillikat, strukur honeve thinjake

Nduk së largu dhëmb dhëmb, ujku kujtim

Kërcëllon, klith e s’shteron trazim mbi trazim

Kur zë veriu e fryn me vrik  mbi viset e mija

Nuk bëhet kuj’,  por bëhet këngë, logat me iso

Bëhet ninulla në të përkundurin djep

Puhiza e ngrohtë e vatrës ku digjet i fëmijërisë prush.

Gremisen diejt një e nga një, dhe pas lenë të purpurtat jehona

M’i nanurisin ëndrrat ata qiej, siç mëkon foshnjën lehona

Kalvarët e jetës  marrin osh ç’do hije që ndalet

Ah mua… ende më thërrasin malet! 

 Pyes vehten?

Më regëtin një tingull sinoreve të shpirtit,

Nuk e di nëse do të bëhet vaj a këngë.

E pyes: -Në mos sot, mot, do të jesh gaz a lot?

Është memec, e nuk më gjegjet dot.

Bëhu mjegull e bjer mbi mua, që rrugët të humbas,

E, pastaj kallauz kapmë nga dora që pas të të ngas.

Shkoqu kokërr pas kokrre, grurë  nga kalliri pjekur

E mbij  pranverës  filiz i ri, në daç.

Thërrmohu në  dorën time, miell mulliri bluar

E mbruju, e ardhu’ e piqu,  bukë në shpirtin tim gatuar.

 Brengat e mallit

 

 Zë e thur nata rrëfenja.

Rrëfenja për dymbëdhjetë  Hënë

Prerë imët në dymbëdhjetë feta,

Lakmuar si frut i pangrënë.

Zë  kullon rrëkeja nga zalli

E, rrjedh rrokullimë

Zë të qaj brenga e një mali

Por në sy, dot loti si mbin

Zë të caj sythi, të bëhet lastar,

Ta stolis nuse korijen e parë.

Zë të vajtoj qyqja zogun që le jetim

Zë vajin, ku-ku në ç’do zgjim.

Zë kuis malli, për një mall

Saç do të puth valën një valë

Zë trazon gushti fërtunë

Zë arnon uni, një unë.

Zë fryn era lis me lis

E, shpon brinjëve pyllin vjeshtak

Zë hedh pallton supeve për mërgim

Shpendi ikacak.

Zë fjollë-fjollë, dimri të thinjet në mua.

Zunë e rrodhën ...

Të dymbëdhjetat Hënë

S’iç  rrjedh një femër, një krua...

 Kacafytja e puthjes

 Në shtëllungët e ondeve të saj,

Dallgëzohen, shkumëzojnë, trazohen detet.

Dhe sipër qiejve gringjyer zhurmojnë, 

Të uritur shpendët

Dy sytë e saj diej zhuritës, ngrohin, nxehin,

Ndjellin, thellë në mish deri në asht

Lundërtaret  nga anijet  prej letre zbarkuar

Eja të kridhemi atyre dallgëve…

Të veshur me cipën e hollë të përskuqjes

Eja edhe sikur të mbytemi,

Le të  mbytemi në kacafytjen e puthjes.

 Plagët e nënës

 Ju mjegullua syri sonte,

Times nënë, times zonjë, 

 Eh, një rrëke nis e pikon…

Në asht të saj feks një zjarr 

Në mes të shpirtit ka stuhi

Në cep të buzëz ka nje vrag

E brenda zemrës, ah kaq plag

Ja hapa unë, as pranë as largë.

 Vjeshta

 Më vodhi c’më kish mbetur në zemër,

Dhe pa më pyetur më shkoi dhe kjo vjeshtë.

Meit si ftoi i pjekur u ngjeva,

Degëve që nuk zë dot dhe hesht…

Shkulin kurorat si vejushat korijet,

Horizonti ngërdheshet me nge

Më ulërin i xhindosur tek kryet,

Ky mal i malluar për re.

Mos vjeshta është një grua?

Që veç shpirti i di seç i qan…

Rrëkëllejnë lotët  përrua,

Moj vjeshtë më mbytsh edhe mua!

Të iki edhe unë?  Po si!

Ah ç’e merr lumi…

Dhe mbetet fillikat, jetim,

Fattrubullti sokaku im.

Maja - maja me gjegjet një  erëz

Më shpon si ashkla  nën  thua,

Ndjej një lot tek gremiset qerpikut,

I them: - u mbytshin vjeshtrat për mua!

 Prush i vatanit

Kur nisin brenda kësaj koke stuhitë,

E, më dhëmb çdo ind, e çdo brinjë.

Një i pa njohur më zë për dore,

E, më dëfton ku të gjej shërim. 

Më kërcet fyti si dhoga të vjetra qilari,

Ҫ’më ndizet si eshkë urori.

Më përvëlohet e thërrmohet si prush vatre,

I gjithë kraharori.

Një më dy, çdo stinë, e çdo ëndërr,

Mbjell unë një fidan të ri.

Ta bëj të bleroj si nuse,

Timen të malluarën shtëpi.

 Jehona e vëndlindjes

Mua më thërrasin malet, malluar deri në eshtrën placë tharë

Dërrasës së kraharorit  për brinjë unë kam stërrall.

Gjaku im shqop e thatë e  ndez veç  një frymë

Ofshama, vullkan mushkërive  më çjerr si sokëllim.

Malli, kërthi shkëputur grigjës vjeshtake

Gjoran i mbetur fillikat, strukur honeve thinjake

Nduk së largu dhëmb dhëmb, ujku kujtim

Kërcëllon, klith e s’shteron trazim mbi trazim

Kur zë veriu e fryn me vrik  mbi viset e mija

Nuk bëhet kuj’,  por bëhet këngë, logat me iso

Bëhet ninulla në të përkundurin djep

Puhiza e ngrohtë e vatrës ku digjet i fëmijërisë prush.

Gremisen diejt një e nga një, dhe pas lenë të purpurtat jehona

M’i nanurisin ëndrrat ata qiej, siç mëkon foshnjën lehona

Kalvarët e jetës  marrin osh ç’do hije që ndalet

Ah mua… ende më thërrasin malet!