loader
Loading...
Pallati i Ëndrrave në të cilin jetojmë çdo ditë

“Kush mund të thotë që ajo që shohim me sytë hapur nuk është e shtrembëruar dhe ajo që përshkruhet këtu nuk është thelbi i vërtetë i gjërave? – “A nuk i ke dëgjuar shpesh pleqtë kur thonë që jeta është një ëndërr?” - I. Kadare (Pallati i Ëndrrave)

Disa libra kanë aftësinë e jashtëzakonshme për t’i mbijetuar kohës. “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë është një prej tyre. E percpetuar fillimisht si një metaforë e regjimit totalitar të kohës, narrativa e Kadaresë në këtë roman e vendos lexuesin përballë një eksplorimi të pakohë të pushtetit, dëshirës për kontroll dhe manipulimit të jetës së individit.

Por, çfarë e bën këtë vepër të rëndësishme kur kanë kaluar më tepër se dyzetë vjet nga botimi i parë i saj? Sot, ne jetojmë në një botë relativisht të lirë ose të paktën na pëlqen ta quajmë të tillë. Ndryshe nga realiteti i romanit dhe regjimit, skutat e errëta të të cilit ai eksplori fillimisht, ne jemi të lirë t’i kritikojmë njerëzit që na drejtojnë. Nëse jemi të pakënaqur me punën që bëjmë, mund të zgjedhim diçka tjetër ose të ndryshojmë tërësisht karrierë. Mund të largohemi lirisht nga qyteti, fshati apo edhe vendi në të cilin jetojmë, në kërkim të mundësive më të mira. Askush nuk na dikton se me kë duhet të shoqërohemi, martohemi dhe të kemi fëmijë ose jo. Ti mund të zgjedhësh kombësinë dhe kulturën me të cilën vetë-identifikohesh dhe askush nuk e ka autoritetin të ta vërë këtë në dyshim. Madje në shumicën e shoqërive, edhe atyre që jetojnë ende nën regjime totalitare, gjithkush është i lirë dhe ka të drejtë të zgjedhë edhe gjininë me të cilën identifikohet. Në mënyrë ironike, Irani është një nga vendet me numrin më të lartë të kirugjive për ndryshimin e gjinisë, por dyshoj se ndokush do ta quante atë një shoqëri të lirë.

Atëherë, përse është e nevojshme që dikush, sidomos një i ri, të lexojë “Pallatin e Ëndrrave” kur realiteti i tij sot është në dukje krejt i ndryshëm nga ai i romanit? A përfitojmë diçka nga rikthimi tek një libër i shkruar më shumë se dyzetë vjet më parë, ngjarjet e të cilit vendosen në një perandori që pushoi së ekzistuari rreth njëqind vjet më parë dhe që shërben si metaforë për një regjim, i cili përfundoi tridhjetë vjet të shkuara?

Natyrisht, përgjigja është “Po”. Së pari, sepse regjimet diktatoriale kanë zakonin e keq që të rikthehen dhe asnjë shoqëri nuk e ka imunitetin e duhur për t’iu rezistuar atyre, edhe nëse e kanë përjetuar vetë traumën e të jetuarit nën diktaturë. Kujtesa kolektive zgjat pak dhe jeta njerëzore është edhe më e shkurtër. “Antitrupat intelektualë”, të fituara nga përvoja e të jetuarit nën totalitarizëm, ato që do të duhej të na ndihmonin të pikasnim lindjen e një diktature të re, jo detyrimisht trashëgohen nga njëri brez tek tjetri. Për më tepër, regjiimet shtypëse nuk lindin befas një ditë të caktuar, çka do të na e bënte më të lehtë të kuptonim ndryshimin e, për rrjedhojë, edhe do të nxiste dëshirën për rezistencë brenda nesh. Përkundrazi, ato zvarriten ngadalë drejt pushtetit, duke ushqyer dhe duke u ushqyer nga frikërat tona, gjersa gradualisht nisin të na i kufizojnë liritë një e nga një. Ndaj, romani shërben së pari si një lloj vaksine (sado e papëlqyer qoftë kjo fjalë në ditët tona), i cili na jep antitrupat e nevojshëm për të mos mbetur individë konformistë. Në faqet, paragrafët dhe fjalët e tij ruhen trajtat dhe mënyrat se si shfaqen dhe qëndrojnë në pushtet regjimet diktatoriale. Se si ato arrijnë të kontrollojnë çdo aspekt të jetëve tona. Duke e lexuar romanin, ne jemi në gjendje t’i pikasim këto regjime në gjenezën e tyre. Nëse jo, atëherë na ndihmon të paktën të kuptojmë se si ato funksionojnë, çka është në vetvete fillesa e një rezistence.

Megjithatë, ka edhe një arsye tjetër përse ky roman i Kadaresë mbetet i rëndësishëm ende sot. Përfytyro një botë ku mendimet, ëndrrat e tua, mund të lexohen e analizohen për të parashikuar veprimin tënd të radhës. Tek “Pallati i Ëndrrave”, Kadareja e vizaton këtë imazh rrënqethës përmes një makinerie burokratike, e cila analizon ëndrrat e subjekteve të perandorisë për të parandaluar rreziqet që i kanosen asaj. Kjo mund të shihet si një alegori ndaj regjimit totalitar në të cilin vetë autori kaloi një pjesë të jetës. Mund të jetë një metaforë ndaj regjimeve totalitare të çdo ideologjie. Ngjarjet zhvillohen në Perandorinë Osmane, por mund jenë edhe në Tiranën e pas Luftës së Dytë Botërore, në Rajhun e Tretë ose në Iranin e sotëm. Mjafton t’i zhveshim ato nga petku i hollë i alegorisë.

Në fakt, romani mund të jetë duke përshkruar fare mirë botën në të cilën jetojmë, kur algoritmet gjurmojnë çdo lëvizje tonën në hapësirën e rrjetit për të parashikuar se çfarë do të blejmë apo për kë do të votojmë. Për shumicën prej nesh sot, nuk është shteti fuqia që përpiqet të na kontrollojë por, kompani private të shfaqura në formën e rrjeteve sociale, aplikacioneve të ndryshme dhe programeve të inteligjencës artificiale. Ato përpiqen të kuptojnë çfarë na pëlqen, çfarë na frikëson, çfarë na inatos e na nxit të reagojmë online, që më pas të mund të na ndikojë në zgjedhjet që bëjmë, duke nisur nga veshjet e deri tek politikanët që do na qeverisin.

Në romanin e Kadaresë, manipulimi i ëndrrave është një mënyrë për të kontrolluar individin dhe shoqërinë në emër të perandorisë. Sot, algoritmet e rrjeteve sociale kurojnë gjithçka që shohim online duke krijuar kështu dhoma të zbrazëta, brenda të cilave dëgjojmë mendime që iu bëjnë jehonë dhe përforcojnë vetëm idetë dhe paragjykimet tona. Ne jetojmë sot me iluzionin se mund të zgjedhim lirisht gjërat që duam, por ky iluzion s’është tjetër veçse një mënyrë për të maskuar kontrollin e fshehtë që ushtrojnë mbi ne krijuesit e këtyre algoritmeve. Narrativa e Kadaresë na detyron të shohim përtej iluzionit, përfshi edhe këtë në të cilin po jetojmë, duke na inkurajuar që t’i analizojmë në mënyrë kritike forcat që formësojnë perceptimet tona. Ndonëse iluzioni mund të shërbejë si një mënyrë për të kontrolluar shoqërinë, fuqia e vërtetë gjendet tek aftësia për ta pikasur dhe mënyra se si lundrojmë brenda tij.

Në të njëjtën kohë eksplorimi i dinamikës së pushtetit në këtë roman na fton të vëmë në pikëpyetje narrativat e ndërtuara nga ata, të cilët na kontrollojnë, qofshin regjime diktatoriale, politikanë, apo “tirania e tregut.” Kadareja na rikujton edhe një herë rëndësinë e të menduarit kritik dhe nevojës për të kërkuar këndvështrime të ndryshme për të mos rënë në kurthin e lirisë iluzore. Ne mund të jemi të lirë në shumë aspekte, por nëse privohemi nga ajo çka duam më shumë, atëherë a jemi vërtet të lirë?

“Pallati i Ëndrrave” nuk shërben vetëm si një alegori historike; ai mund të na ndihmojë edhe ne sot të njohim dhe të përballemi me sfidat e botës së ndërlidhur në të cilën jetojmë. Mos vallë pa dashur kemi hequr dorë nga liria, autonomia dhe privatësia individuale për hir të komoditetit dhe një jete sa më të lehtë? Duke iu rikthyer këtij romani lexuesi, sidomos ai i ri, arrin në një kuptim më të nuancuar të lirisë në një botë gjithmonë e më të monitoruar.

Narrativa e Kadaresë mbetet thelbësore për thellësinë me të cilën analizon kontrollin, iluzionin e lirisë dhe autonomisë individuale. “Pallati i Ëndrrave” na sfidon që të shqyrtojmë në mënyrë kritike kompromiset që bëjmë, shpesh duke hequr dorë nga liritë tona për hir të sigurisë dhe komoditetit dhe na kujton se pas iluzionit të lirisë individuale gjendet një dëshirë edhe më e thellë për një liri më të vërtetë e më të sinqertë.